TIRANE- Pedofilia, pornografia, varferia jane vetem disa nga shqetesimet qe Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA/DCI Shqipëri), ngre ne deklaraten e saj me rastin e 1 Qershorit, ditës ndëkombëtare të fëmijëve.
Sipas CRCA legjislacioni shqiptar paraqet mangësi të mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve e per kete duhen marre masat e nevojshme.
“Legjilacioni shqiptar paraqet mangësi serioze për mbrojtjen e fëmijëve nga pornografia. Pornografia e fëmijëve, përfshi edhe atë në internet, është një fenomen i ri në Shqipëri dhe kjo kërkon përmirësimin serioz të kuadrit ligjor. Çdo vit, numri i përdoruesve të Internetit rritet me 300 përqind, e kësisoj rriten edhe rreziqet e mundshme nga përdorimi jo në mënyrë të sigurt të internetit. Gjatë vitit 2011 pranë ALO 116 janë referuar 16 raste ku fëmijët janë ndeshur me postime të pahijshme, me kërcënime, ofendime, shantazhe dhe ftesa për tu bërë pjesë të faqeve me përmbatje pornografike. Dita ditës numri i rasteve të raportuara shtohet, tregues ky që fëmijët shqiptare po ekspozohen cdo ditë e më tepër ndaj pornografisë, sidomos asaj në internet”- thuhet ne deklarate.
Krahas kesaj, sipas CRCA dështimi i Parlamentit Shqiptar për adresimin e këtij fenomeni në ndryshimet e fundit të Kodit Penal, vetëm ka rritur mundësitë që fëmijët të jenë akoma më të rrezikuar për t’u bërë viktima të shfrytëzimit për qëllime seksuale.
“Fëmijët në Shqipëri kanë qenë, janë dhe vazhdojnë të jenë të pambrojtur nga pedofilia. Rasti i djalit 9-vjeçar nga Korça, i cili, sipas raporteve në media, u shfrytëzua nga daja i tij për qëllime përfitimi duke ofruar shërbime seksuale, është një tregues i frikshëm se mirëqenia e fëmijëve rrezikohet seriozisht nga të rriturit dhe njëkohësisht ngre dyshime mbi ekzistencën e një rrjeti të organizuar pedofilie në vend. Deri më sot organi i Prokurorisë ka heshtur duke mos dhënë asnjë informacion mbi përmasat dhe personat e përfshirë në këtë fenomen”- theksohet me tej.
Sipas CRCA-së, “është detyrim ligjor i të gjithë institucioneve dhe aktorëve përgjegjës të marrin masa serioze dhe të menjëhershme për parandalimin e këtyre fenomeneve, pasi pasojat që ato prodhojnë rrezikojnë zhvillimin e fëmijëve sot dhe brezit të ardhshëm nesër”.











