Rënia e komunizmit në Rumani, dekada më parë, e ka hequr perden prej rrjetit famëkeq të jetimoreve, duke shokuar botën me imazhet e fëmijëve të paushqyer dhe të pistë, me rroba të vjetra, disa edhe të lidhur me zinxhirë nëpër shtretër.
Një komitet special rumun, ka nisur hetime për krimet në epokën e diktatorit Nicolae Ceausescu, i cili ka qenë në pushtet në periudhën 1965-1989, dhe ka kuptuar që më shumë se 15.000 fëmijë – jetimë, fëmijë me çrregullime fizike dhe mendore, dhe disa të padëshiruar prej prindërve – kanë vdekur nëpër jetimore dhe qendra tjera.
Sipas komitetit, të njohur formalisht si Instituti për Hetim të Krimeve të Komunizmit dhe Kujtesës së Mërgimit Rumun (IICCMER), shumë vdekje kanë qenë rezultat i neglizhencës, përfshirë urinë, ndonëse nuk ka pasur informacione se ata kanë qenë me sëmundje serioze, kur janë pranuar në spitale.
Duke analizuar dokumentet e lidhura me hetimet, Shërbimi rumun i Radios Evropa e Lirë, ka zbuluar detaje të reja sesi disa fëmijë kanë përfunduar në shtëpi shtetërore të kujdesit apo jetimore.
Në disa raste, kuptohet se fëmijët janë shfrytëzuar për financim të qendrave të banimit, pasi autoritetet shtetërore kanë kërkuar që prindërit të paguajnë për “trajtimin” e fëmijëve të tyre, sipas historianit, Cosmin Popa.
Në tetor të vitit 2022, Instituti për Hetim të Krimeve të Komunizmit dhe Kujtesës së Mërgimit Rumun (IICCMER) ka gjetur që më shumë se 15.000 të mitur, kanë vdekur në 26 objekte në Rumani për fëmijë me çrregullime mendore, në periudhën 1967-1990, kur edhe janë mbyllur institucionet.
Sipas raportit të IICCMER, në mesin e arsyeve për mijëra vdekje kanë qenë uria, kushtet jo të mira të jetesës, abuzimi dhe mungesa e kujdesit shëndetësor.
“Ka ekzistuar kulti për ulje të shpenzimeve të panevojshme, më pas këta fëmijë janë shpallur si të papërmirësueshëm dhe kjo ka nënkuptuar asistencë afatgjatë gjatë gjithë jetës së tyre, dhe ata nuk kanë mundur të jenë më pjesëtarë të barabartë në shoqërinë socialiste”, ka thënë Popa.
Instituti ka thënë se numri më i madh i vdekjeve është regjistruar në qendrën Cighid, me bazë në Giorak, afër kufirit me Hungarinë, ku besohet se 138 fëmijë kanë vdekur në periudhën tetor 1987 – prill 1990.
Instituti ka vënë re se gjatë asaj periudhe vetëm 183 fëmijë janë pranuar.
Më shumë se 300.000 fëmijë janë dërguar në rrjetin e jetimoreve të Rumanisë, në spitalet e fëmijëve dhe në objekte tjera për të rinjtë, në periudhën 1954-1989.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al