“Fëmija u vra me granatë teksa luante”

Jun 27, 2011 | 12:00
Viktor Boçi, objektivi i 74-vjeçarit, para godinës në ndërtim

“Xhermëhalla”, lagjja më e vjetër e Del-vinës, ndodhet rreth 3 km larg qendrës së qytetit. Është një lagje e gjelbëruar ku shtëpitë e veta, që nuk janë pak, por rreth 150, ndodhen të fshehura mes gjelbërimit dhe drufrutorëve.Në shtëpinë e parë që pyetëm se ku mund të gjenim banesën ku ndodhi tragjedia, ku humbi jetën 3-vjeçarja Sara Zera, nuk ngurrojnë të tregojnë. Madje, për të gjetur më shpejt shtëpinë, na shoqëron një vajzë e vogël, Klesta. Përballja e parë me shtëpinë e Selman Meleqit, autorit të ngjarjes, të tregonte se këtu jetohej keq. Dritarja dhe dera e mbyllur, ndërsa në oborrin e saj disa hedhurina hekurishtesh të ndryshkura. Me anë të një rrugice kalon nga ana tjetër e banesës, nga pamja ballore njëkatëshe, ndërsa në pjesën tjetër, dykatëshe. Një mur i përbashkët lidhte shtëpinë e autorit dhe të shenjëstrës së tij, Viktor Boçi. Prej gjashtë muajsh në katin e parë jetonte familja Zera me tri fëmijë dhe ajo Vathi, gjyshërit e viktimës. Në një cep të banesës së vjetër, në katin e dytë, jeton 74-vjeçari Selman Meleqi. Banorët tregojnë se ai nuk i fliste njeriu me gojë, as për përshëndetje. Fëmijët kishin frikë prej tij, siç na tha Klesta e vogël. Ai mbante në dorë një elektrik dhe ua hidhte dritën në fytyrë duke i trembur. Me t’u larguar nga oborri i Selman Meleqit, shkuam në krahun tjetër që lidhej me një palë shkallë. Në dhomat ku jetonte familja Zera nuk kishte asnjëri, ndërsa nga shtëpia ngjitur dolën dy gra dhe një burrë. Mësuam se ai ishte Viktor Boçi, pronari i shtëpisë ngjitur me atë të Selman Meleqit, njëkohësisht dhe objektivi që kishte synim të dëmtonte i moshuari kur hodhi dy granata.
Përshëndetje. Ju jeni Viktori?
Mos kërkoni shumë…unë jam Viktori. Unë jam njeriu që donte të vriste Selmani. Kur e kujtoj ngjarjen e djeshme dridhem.
A mund të na tregoni pak ngjarjen?

Banesa ku jetonte familja e viktimës Zera në katin e parë. Në katin e dytë banonte autori

Ishte ora rreth 17:00. Unë kisha punëtorë për të forcuar themelin e shtëpisë. Ishin rreth 10 veta. Familja e Ladimirit kishte dalë jashtë nën hijen e atij rrushit dhe rrinin si për pasdite. Selmani dilte herë pas here në dritare dhe shante. Askush nga ne që ishim në punë nuk i fliste. Në një moment goditi edhe me gurë. Kur e pa se përsëri askush nuk iu përgjigj, u fut brenda dhe sa hap e mbyll sytë hodhi granatën. U përplas te hekuri që shërben për hardhinë dhe me rikoshetë u përplas me një bidon të madh me ujë, pranë të cilit ndodhej familja Zera, Agia dhe vajza e saj e vogël Sara, që luante, si dhe prindërit e saj, Nikolla dhe Bardha. Gjithçka ndodhi aq shpejt sa ne nuk morëm vesh se Selmani goditi edhe me një granatë tjetër. Vëllai im e priti granatën e dytë në dorë dhe e hodhi në bahçen tonë. Ladimiri mori vajzën e përgjakur dhe doli poshtë në rrugë, ndërsa të tjerët morën gruan e tij për ta shpurë në spital. Gjaku mbushi vendin.
Pse ka lindur ky konflikt me Selmanin?
Nuk kam ardhur sot në këto shtëpi. Kam lindur këtu. Shtëpinë e kemi pasur gjithmonë të lidhur me një mur. Madje këtu ku ju shihni këtë gjysmë muri, kemi pasur hyrjen për në shtëpinë tonë. E thënë me një fjalë, këto shtëpitë këtu kanë një moshë mbi 60-vjeçare. U rrita, krijova familjen time dhe shihja punën time. Por, kur një ditë prej ditësh nisën të plasariteshin muret e shtëpisë, u tremba. Shkova në Bashkinë e Delvinës dhe ata më dhanë leje për të forcuar themelet e shtëpisë pranë asaj ekzistuese.
Nisa ta rindërtoj, por komshiu im, Selmani, nuk pranonte pasi thoshte se i zë pamjen e shtëpisë sime. Nuk të lë të ndërtosh gjallë në botë, më thoshte. Ja, shiheni, nuk e kam cënuar aspak shtëpinë e Selmanit apo të Enverit, vëllait të tij. Enveri nuk jeton në këto shtëpi se, si i shihni, janë të pabanueshme. Ndërsa Selmani ka gjashtë fëmijë, por që prej 40 vitesh është i ndarë me gruan e vet dhe fëmijët nuk janë bërë kurrë me të atin, se ndarja e tyre ka ardhur pasi Selmani e trajtonte shumë keq gruan e tij.
Nuk e mendoja kurrë se do të shkonte deri këtu. Unë çdo gjë për themelet e shtëpisë i kam bërë me specialistë dhe ai nuk do të kishte asnjë problem.

Gjyshërit: Sara dje mbushi 3 vjeç

Nikollë Vathi në spital

Nikollë dhe Bardha Vathi, 68 dhe 62 vjeç, gjyshërit e vogëlushes që u vra me granatë, ndodhen në Spitalin e Sarandës. I gjetëm në dhomën nr.5. Para se të flisnim me ta, mjekët na këshilluan që të mos u tregonim se Sara kishte vdekur, pasi ata ende nuk dinin asgjë. “Nuk mund ta mbledhim ende veten. Ishim jashtë kur i them gruas të na bënte një kafe. Ende pa u ngritur ajo, një shpërthim i fuqishëm u ndje te këmbët tona. Nuk kuptova fare se ç’po ndodhte. Dhëndëri, Ladimiri, mori vajzën në dorë. Pamë që ishte shumë e vrarë. Që kur kemi ardhur këtu në spital, nuk dimë më gjë se çfarë bëhet me të tjerët”, u shpreh i moshuari. Sipas tij, ata kishin vetëm gjashtë muaj që rrinim në atë shtëpi. “Kemi ardhur nga Vau i Dejës ne, ndërsa Ladimiri me vajzën tonë, Agen, nga fshati Babin i Korçës. Erdhën këtu për një jetë më të mirë. Asnjëherë nuk kam folur me Selmanin. Njëherë i thashë mirëmëngjesi, kur u përballa me të, dhe ai nuk m’u përgjigj. Që atëherë nuk i fola më. Selmani me ne nuk shprehte ndonjë gjë, ndërsa më tha njëherë Ladimiri, dhëndëri, se i kishte thënë që do të ha kokën ndonjë ditë. Ditën që ndodhi ngjarja, dëgjova dhëndrin që i tha: E the dhe e bëre, o plak i keq.  Më bëre gjëmën. Më vrave familjen”. Ndërsa Bardha tregon e tronditur se vajza e saj, Agia, kishte pranë vetes Sarën që luante, ndërsa dy fëmijët e tjerë, Xhesika 8 vjeçe dhe Xhovani 6 vjeç, kishin shkuar për të mbledhur dhitë. “Sara dje mbushi tri vjeç”, u shpreh e moshuara, e cila ende nuk e kishte mësuar lajmin se mbesa e saj kishte vdekur.

 

DELVINE/ SHPRESA DINO

© Panorama.al

Te lidhura