Fëmija: Më përdhunuan 4 herë

Jul 7, 2011 | 10:18
I mituri duke rrëfyer abuzimin nga dy të rinjtë

“Është i tmerruar. Netëve nuk arrin të flejë, ose edhe kur mundet të dremisë pak, zgjohet duke bërtitur.Gjendja fizike e tij është shumë e rënduar, nuk i ulet temperatura, ndërsa në trup ka gjithë ato shenja nga goditjet. Me zor arrin të hajë, psikologjikisht është tmerrësisht keq”. Kështu e përshkruan gjendjen e djalit 12-vjeçar nëna e tij, A. P. Fëmija, nga fshati Bitinckë i Devollit, me të cilin dy të rinj, që tashmë janë të arrestuar, abuzuan seksualisht, ka frikë dhe nuk del as tek pragu i shtëpisë. Ai rri i strukur në një cep të divanit dhe rrëfen se si dy të rinjtë kanë abuzuar me të katër herë gjatë këtij viti.
Rrëfimi i 12-vjeçarit me inicialet Xh. P. është tronditës. Ai tregon abuzimin e dy bashkëfshatarëve, R. Mullai, 16 vjeç dhe E. B., 19 vjeç. “Kjo ishte hera e katërt që më përdhunonin. Herën e parë unë po luaja me shokët nga tokat e fshatit. Maqoja (R. Mullai) më thirri dhe më hipi mbi gomar, gjoja për të më bërë një xhiro. Ai ishte bashkë me shokun e tij, Edin. Unë hipa dhe ata më çuan në të dalë të fshatit, te vakëfi dhe nisën të më ngacmonin. Më pas po më goditnin pasi unë nuk doja të më afroheshin. Edi më kapi dhe po më mbante fort, ndërsa Maqoja më përdhunoi. Unë nuk bëja dot asgjë, pasi ata ishin dy”, rrëfen 12-vjeçari. Ai ka pasur frikë t’i tregojë nënës së tij se çfarë kishte ndodhur, ndaj shumë kohë e ka mbajtur të fshehtë abuzimin. “Të njëjtën gjë bënë edhe herën e dytë, edhe të tretën…. Herën e fundit unë isha duke luajtur me shokët e mi te qershitë kur ata më morën dhe më larguan pak më tej. Këtë radhë edhe Edi abuzoi me mua, pasi tri herët e tjera këtë e kishte bërë vetëm Maqoja”.
I shokuar pas asaj që ka ndodhur, i mituri tregon se tani nuk mund të dalë më as te pragu i derës për të luajtur nga frika se mos ia behin dy të rinjtë për të bërë me të sërish të njëjtat gjëra. “Tani nuk dua të dal për të luajtur më. Kam frikë se mos vijnë ata. Unë nuk do të dal më me shokët, do të rri vetëm te dritarja e shtëpisë, pasi atje e di që ata nuk vijnë dot për të më marrë”. Drama e 12-vjeçarit është tepër e rëndë. Vetëm kur ishte 3 vjeç, babai i tij është ndarë nga jeta duke e lënë familjen, e cila jetonte në fshatin Sul të Devollit, në gjendje tepër të vështirë. A. P., nëna e 12-vjeçarit dhe 5 fëmijët e saj humbën jo vetëm kryefamiljarin, por edhe banesën, e cila u rrënua. Më tej ata u vendosën në fshatin Bitinckë, ku rinisën jetën.

1 vit
më parë sipas të miturit ka zgjatur historia e përdhunimeve, fillimisht duke u abuzuar prej 16-vjeçarit e më pas edhe prej 19-vjeçarit të hënën pasdite

Nëna: Ka temperaturë, zgjohet natën me britma

Nëna e 12-vjeçarit

“Ishte vetëm 3 vjeç kur humbi të atin”, tregon 37-vjeçarja A. P. për 12-vjeçarin me të cilin dy të rinj, bashkëfshatarë të tij, abuzuan. “E kam rritur me shumë vështirësi së bashku me motrat dhe vëllezërit e tjerë, por diçka të tillë nuk e kisha menduar kurrë se mund të më ndodhte. Nuk e di se si patën guximin të bënin diçka të tillë, pasi me djalin 16 vjeç kemi edhe lidhje krushqie. Herën e parë djali nuk më tregonte se çfarë kishte, qëndronte i mbledhur dhe i strukur poshtë tavolinës. Kur e pyeta se çfarë kishte, më tha se kishte dhimbje barku. Për tri ditë rresht nuk pranoi të më tregonte se çfarë i kishte ndodhur. Herën e dytë dhe të tretë unë tentova të shkoja në polici për t’i denoncuar, por familjarët e tyre na kërkuan disa herë falje dhe na premtuan se nuk do të ndodhte më kjo gjë. Nuk e denoncova rastin sepse mendova edhe për djalin, nuk doja që të merrej vesh çfarë i kishin bërë. Më dukej e turpshme, ndërsa për mua si nënë ishte tepër e dhimbshme. Ende nuk arrij ta pranoj”, shprehet nëna 37-vjeçare, e cila po rrit e vetme 5 jetimë. Ajo kërkon dënimin e autorëve pasi, sipas saj, ata kanë vënë në rrezik jetën e fëmijës. Sipas saj, gjendja e fëmijës është e rëndë jo vetëm psikologjikisht, por edhe fizikisht. Ai ende ka shenjat e dhunës në trup, ndërsa ka edhe temperaturë. “Me zor flet, nuk afrohet, mbyllet në vetvete dhe dridhet i gjithi nga tmerri që ka parë me sy. Tani unë nuk dua asgjë, vetëm që autorët të marrin atë dënim që meritojnë, nuk mund të falet diçka e tillë”, shprehet më tej ajo.

 

DEVOLL/ Dhorjela Demkovi

© Panorama.al

Te lidhura