
Sekretari Juridik i Partisë Socialsite, Fatmir Xhafa, komenton qëndrimin e kryeministrit Berisha për raportin e OSBE/ODIHR për të cilin thotë se, nëse kreu i ekzekutivit do ishte i sinqertë kur e quan raportin objektiv, do pranonte të vërtetën e Tiranës dhe do shpallte zgjedhje të reja, pasi të bëhej reforma zgjedhore.Sipas tij, ndërkombëtarët duhet të organizojnë zgjedhjet në Shqipëri, përfshi këtu edhe prezencën e tyre fizike në administrimin e procesit. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ai flet edhe për ndryshimet kushtetuese dhe marrëdhëniet e PS-së me Parlamentin.
Raporti i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet lokale te 8 majit tashmë është bërë publik. Kryeministri Berisha e vlerësoi i pari raportin si objektiv. Opozita, në të kundërt, e konsideroi si realist dhe shumë kritik. Si e gjykoni ju këtë raport?
Raporti është një pasqyrë e trishtuar ku të gjithë ne, por kryesisht qeveria, mund të shohë të vërtetën e hidhur dhe tronditëse se në Shqipëri është shkatërruar themeli i demokracisë, vota e lirë, se në Shqipëri nuk është ende e mundur të ketë zgjedhje të ndershme dhe të lira, se sot Shqipëria drejtohet jo vetëm nga një qeveri me legjitimitet të cunguar, por dhe Tirana drejtohet nga një produkt klonimi qesharak që ju dha mandati në dorë si një fëmije të lindur nga babai i tij politik. I gjendur përballë këtyre akuzave të ashpra, Berisha nxitoi të jetë i pari që ta konsideronte raportin objektiv dhe pastaj, t´i quante zgjedhjet si te suksesshme, sepse ato ishin “konkuruese dhe transparente”. Të thuash se zgjedhjet ishin konkuruese, do të thotë që në të kundërt, ato të mos ishin pluraliste. Pra, të kishte vetëm një subjekt konkurues ose më së shumti, t´i përkisnin një spektri të vetëm politik. T´i konsiderosh zgjedhjet e suksesshme mbas 20 vjetësh pluralizëm, sepse “ato ishin konkurruese” – standardi minimal i Kartës së Kopenhagës – këtë vetëm Saliu, Lukashenko dhe Gadafi mund ta thonë. Saliu është i vetmi drejtues në planet që konsideron arritje të demokracisë faktin që, veç tij, në garë kishte dhe parti të tjera. Për mentalitetin e tij diktatorial, kjo ngjan e mjaftë.
Po kështu, sipas tij, zgjedhjet ishin të suksesshme sepse raporti i ka konsideruar ato transparente!!. Si mund të mos ishin transparente këto zgjedhje, të vëzhguara hap pas hapi edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë, deri në pikën që edhe numërimi i votave për Tiranën u bë nën sytë dhe mëngët e përveshura të ambasadorëve të akredituar në Tiranë? Problemi shtrohet se si u trajtua kjo transparencë, si u injorua dhe dhunua ajo nga kryeministri që grabiti mandatin e Tiranës. Këtë detaj thekson raporti që, me gjithë transparencën publike të zgjedhjeve, qasja e kryeministrit ndaj votës është edhe më e rrezikshme. Opozita, faktori ndërkombëtar dhe media e lirë ishin faktorët që garantuan transparencë dhe që e bënë procesin e dhunimit të votës një fakt të kryer dhe vetë kryeministrin, një grabitës që grabit ditën me diell, edhe para syrit të kamerave, mu në sy të qytetarëve, mu në sy të ndërkombëtarëve.
Edhe një detaj më shumë. Saliu e quajti raportin objektiv. Ju pyes, a ka pasur ndonjë raport të ndërkombëtarëve që ky pehlivan i fjalës e ka quajtur ndryshe? Qeverisja e tij konsiderohet e korruptuar, e paaftë, jo demokratike, konsiderohet se ka krijuar kulturën e pandëshkueshmërisë dhe, megjithatë, me qasjen e tij servile ndaj kujt nuk e ka nën hyqëm, me premtimin e gënjeshtërt se do të angazhohet personalisht për ndryshimin e situatës, Saliu është i pari që del dhe përshëndet secilin raport (Mos u çudisni që po t’ia dojë puna për të ruajtur karrigen e tij, ky njeri të dalë sot e të lavëdrojë si objektive edhe kabllogramet e sapodala të Wikileaks-it, paçka se në to e kanë cilësuar si: vrasës njerëzish, shpërdorues të pasurisë publike e deri mendjelehtë, mburravec, euforik etj. epitete sa të dhimbshme aq edhe qesharake!!)
Nëse do ta kishte të vërtetë këtë pohim – raporti është objektiv – Saliu duhej të bënte të parin gjest ndershmërie. Të kërkonte falje publike, të pranonte rezultatin final e të vërtetë të Tiranës dhe të jepte garanci të qarta se nuk do të afrojë vullnetin e tij të pandryshuar politik për të shkatërruar sistemin e zgjedhjeve, institucionin e zgjedhjeve. Për këtë do të duhej të përcaktonte si rrugëdalje të vetme nga situata, vendimin për çuarjen e vendit në zgjedhje të reja menjëherë sapo të përfundonte një reformë e ndershme zgjedhore.
Por këto qëndrime janë të pamundura të mbahen nga një njeri që vesin e quan virtyt dhe grabitjen e votës, fitore në zgjedhje. Të mendosh të kundërtën për Saliun, është naivitet.
Kjo do të thotë se ju nuk do të duhet të bashkëpunoni me maxhorancën për reformën zgjedhore ?
Jo, nuk doja të thosha një gjë të tillë, saktësisht mendoj të kundërtën. Vendi ka nevojë të dëshpëruar për një reformë reale, të ndershme, politike dhe profesionale zgjedhore. Madje, një gjë e tillë duhej të kishte ndodhur që mbas zgjedhjeve të manipuluara të 2009-s. Në fund të vitit të shkuar, PS-ja, strukturat politike dhe juridike të saj përgatitën një paketë propozimesh për reformën. Pati një mori arsyesh pse reforma nuk u inicua. Si puna e kambanave që nuk binin në fshat. Së fundmi, sepse nuk kishte fare kambana, domethënë, nuk kishte vullnet për të bërë reformë nga PD-ja, sa kohë që ata me vullnet të plotë po përgatisnin masakrën elektorale në të gjithë Shqipërinë dhe kryesisht në Tiranë. Për të qënë i drejtë, edhe në vendimmarrjen politike të PS pati momente hezitimi dhe paqartësie në këtë pikë për t’i bërë publike e për të luftuar për implementimin e tyre, duke kushtëzuar në kohë e me propozime konkrete pjesëmarrjen në zgjedhje. Ky hezitim ishte edhe më i dukshëm nga prezenca e OSBE-së në Tiranë, që thjesht, së paku, nuk kreu misionin për të cilin ndodhet këtu.
Realisht, reforma zgjedhore duhet të marrë në konsideratë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it të vitit 2009 dhe 2011, çka do të thotë se nuk mund të jetë thjesht e vetëm një ndryshim Kodi Zgjedhor. Ajo duhet të mirëpërcaktojë deri në detaje garancitë ligjore dhe infrastrukturore që do të minimizonin abuzimin e pushtetit me votën veçanërisht në procesin e votimit (listat e zgjedhësve, identifikimin e votuesve) dhe gjatë numërimit (numërimi elektronik), ndryshime thelbësore në procesin e administrimit e ankimimit, si dhe saksionimin e auditimit të hetimit postzgjedhor të procesit, pjesëmarrjen dhe garancinë e votës së emigrantëve në procesin e votimit etj.
PS-ja e konsideron dhe do ta konsiderojë kontributin e saj në këtë proces si një detyrim politik dhe moral të saj për të garantuar demokracinë si sistem në Shqipëri dhe si një vijimësi të aksionit që ka nisur që me krijimin e saj dhe që është përshkallëzuar në këto dy vitet e fundit. Me protestat për votën e lirë e deri me gjakun e derdhur më 21 janar, po mbi pllakat e atij Bulevardi në të cilën PS ka luftuar me uri. Angazhimi në këtë proces nuk është thjesht çështje e vullnetit të PS-së, ai është detyrimi i saj sublim për votën dhe demokracinë, për fatet e sotme dhe të nesërme të vendit. Ky angazhim nuk është bashkëpunim me Sali Berishën, por kontribut special dhe i pazëvendësueshëm për të garantuar sistemin.
Dëshiroj të nënvizoj edhe një element tjetër, që duhet të merret parasysh në të gjithë procesin. Diferencën e vullneteve të palëve që do të përfshihen në të. Nëse ne mendojmë se si të përmirësojmë kuadrin zgjedhor aktual, Sali Berisha do të mendojë se si ta shkelë atë. Kjo është e pandryshueshme. Ai ka treguar se është një politikan që nuk i qëndron as ligjit, as marrëveshjeve dhe as fjalës. Praktika e vitit 2009, pabesia e shprehur personalisht prej tij, e dëshmoi qartazi këtë gjë. Ky fakt nënkupton që reforma duhet të fokusohet në një sërë elementësh, që i japin sa më pak akses pushtetit të tij në proces, që e bëjnë të parashikueshëm në detaje dhe të kontrollueshëm çdo ndikim të pushtetit mbi sistemin zgjedhor. Nga ana tjetër, kjo kërkon prezencë aktive të komunitetit ndërkombëtar me ekspertë të specializuar në praktika të tilla dhe, kryesorja, që po ky komunitet të marrë përsipër garancinë e zbatimit të ligjit përmes prezencës dhe kontrollit aktiv të tij në gjithë hallkat e procesit elektoral. E kam thënë dhe më parë në një inervistë të mëparshme dhe e ripërsëris me dëshpërim: duhet të jenë partnerët ndërkombëtarë që duhet të asistojnë e organizojnë zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri, deri dhe me prezencën e tyre fizike në përbërjen e institucioneve përcaktuese të administrimit e ankimimit. Jo sepse ne shqiptarët nuk dimë, por nuk mundemi. Sepse është gjithmonë e pranishme një palë me emrin dhe vullnetin e Sali Berishës që helmon procesin. Kjo do të ishte një garanci reale për standardet e munguara në zgjedhjet shqiptare dhe, njëherësh, baza e pakundërshtueshme për pranimin e rezultatit nga palët në proces.
Çfarë u bë mirë dhe çfarë u bë keq gjatë procesit të ankimimit për rezultatin e Tiranës, nga pikëpamja juridike prej ekipit të juristëve të Partisë Socialiste që ju drejtonit?
Ka një risi ky raport. Që nuk e gjen në asnjë raport tjetër të mëparshëm për zgjedhjet në vendit tonë dhe në asnjë raport tjetër për zgjedhjet në vendet e tjera. Në asnjë prej tyre. Ky raport bën një diagnozë shumë të thellë dhe profesionale lidhur me procesin e ankimimit, gjykimin në KQZ e në Kolegjin Zgjedhor dhe që i lejon vetes (atë që pothuajse nuk ndodh – dhe as ne nuk e prisnim të ndodhte kaq qartë) të japë vlerësime për gjykimin e gjykatat. Ky lloj gjykimi konsiderohet tabu për ODIHR-in dhe nuk e gjen në asnjë raport tjetër që ky institucion ka lëshuar për zgjedhjet, kudo ku ka asistuar. Kjo s’ka ndodhur me asnjë nga raportet e mëparshme për Shqipërinë. Në fakt ka ndodhur këtë herë. Ka ndodhur për vendimet e Tom&Sashenkës dhe për arbitrimet e Ristanit. Jo rastësisht. Sepse është kaluar çdo lloj kufiri me këtë gjyqësor, që në një masë të konsiderueshme të tij është jo vetëm i paaftë e i korruptuar financiarisht, por edhe i varur dhe i kontrolluar nga qeveria e Kryeministri. Kjo e vërtetë e dhimbshme i ka detyruar ndërkombëtarët ta shkelin këtë tabu, të flasin hapur. Për të mos lejuar Kryeministrin që të flasë ndryshe. Tashmë, për këdo është e qartë se si raporti i ka gjykuar gjykatësit tanë të mjerë. Vendimmarrja e shumicës së KQZ-së ishte joprofesionale, e paaftë dhe në shërbim të qeverisë dhe se vendimmarrja e Kolegjit Zgjedhor ishte e dyshimtë, në tejkalim të kompetencave të parashikuara nga ligji, ishte joprofesionale dhe me standarde të dyfishta. Konstatimet dhe vlerësimet e raportit të ekspertëve të ODIHR-it i dhanë plotësisht të drejtë aksionit ligjor të PS, hapave e kërkesave ligjore të grupit të ekspertëve të saj. Vini re! Raporti e konsideroi se kërkesa për pavlefshmëri ishte kryer në kohë dhe konsideroi si të pajustifikuara dhe të pabazuara në ligj vendimet e marra për rrëzimin e tyre. Në këtë pikë, unë justifikoj ndër ta, ata zëra që e kanë bërë në momente emotive, por mëshiroj gjithë ata pseudojuristë apo fjalamanë të radhës që rrahën tenxhere dhe legena për të sulmuar PS-në dhe për të qenë në krah të Saliut.
E kam për krenari dhe detyrim që për herë të parë të bëj një vlerësim personal publik dhe të shpreh gjithashtu mirënjohje të jashtëzakonshme për atë ekip pune, që realisht funksionoi si ekip njerëzish të fortë, të ndershëm dhe profesionistë. Jam krenar që kam ndërtuar e drejtuar në gjithë këto vite një nga ekipet më të mira të ekspertëve ligjorë që mund të ketë pasur të angazhuar në funksion të strategjisë së saj një forcë politike në këtë vend. Jo vetëm për numrin e konsiderueshëm të tyre që e bëjnë një prej komisioneve aktualisht më të plotësuar të PS, por edhe më aktivin për shkak të cilësisë së përbërjes dhe produkteve të spikatura, të cilat kanë shërbyer në jo pak raste si pikëmbështetje për aksionin politik e institucional të opozitës socialiste. Ky grup ekspertësh, që vepron në përbërje të Komisionit të Ligjeve të Asamblesë Kombëtare të PS, ka në radhët e tij juristë me përvojë në fusha të ndryshme dhe në çështjet elektorale. Ka si bashkëpunëtorë të jashtëm juristë të shquar, konstucionalistë të njohur, akademikë, pedagogë të universiteve të vendit, avokatë, ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë të spikatur në fushën e tyre, ndoshta secili prej tyre, ndër më të aftët në fushat përkatëse. Personalisht, e kam konsideruar privilegj bashkëpunimin me ta, duke qenë gjithmonë një “primus inter pares”, i parë mes të barabartëve, koordinues i aftësive dhe kontributeve të tyre, thjesht drejtuesi i tyre në funksion të përgjegjësisë politike që ushtroj në PS. Ky grup ekspertësh ka përballuar aspektin ligjor të disa zgjedhjeve me shumë përkushtim e profesionalizëm, ka kryer disa beteja të vështira legale për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si në rastin e ngjarjeve të 21 janarit, ka zhvilluar e fituar disa beteja ligjore të spikatura në mbrojtje të Kushtetutës, ka prodhuar dokumente politike e ligjore tejet cilësore, siç është ndër të tjera “Pakti Kombëtar për Drejtësinë”, një dokument që i bën nder PS-së. U jam mirënjohës atyre grave dhe burrave për të cilët, liria qytetare dhe pavarësia intelektuale është më e çmuar se lëmoshat milionere që ndan pushteti ndaj kujt i zvarritet pas, duke lënë identitetin e moralin peng.
Në të njëjtën kohë që flitet për hapje të partisë, flitet edhe për largimin e individëve të caktuar në PS. Ka kundërshti në këtë diskutim?
Është e vërtetë që ka pasur debate publike edhe në këtë aspekt. Mendoj se një pjesë, edhe të nxitura për t’u paraprirë zhvillimeve të pritshme politike në PS. Gjykoj se kjo situatë ka ardhur edhe nga fakti se disa qëndrime do të duhej të ishim marrë shumë kohë më parë dhe sot janë të vonuara. Në këtë aspekt, në vend të vlerësimeve personale e tavolinave politike, do të duhej të ishte bërë një debat i hapur, i qartë në forumet e PS-së për të mirëpërcaktuar qartë kufijtë dhe raportin me vendimet kolegjiale të institucioneve dhe qëndrimeve që duhen mbajtur në rastet e shkeljes së tyre. Hezitimi për të hapur këtë debat, në gjykimin tim në një farë mase i justifikuar, ka krijuar një gjendje amullie, abuzimi nga individë të caktuar, gjë që e ka dëmtuar imazhin PS në publik dhe ka motivuar jo rrallë edhe modele të ngjashme në rrafsh lokal.
Ka ardhur koha që të ndahet më mirë shapi nga sheqeri, për të përcaktuar më mirë rregullat e disiplinës në parti, respektimin e vendimeve politike kolegjiale, duke caktuar qartazi edhe sanksionet përkatëse në rastin e abuzimit me lirinë e fjalës dhe të qëndrimit politik. Ka një cak përtej të cilit liria në një komunitet politik shndërrohet në anarki. Gjithmonë brenda kufijve të mandatit politik apo përfaqësues që gëzon për shkak të mbështetjes politike nga forca politike që të ka mandatuar. Ky proces më se i drejtë ka të domosdoshëm një funksionim shumë më të mirë se deri tani të forumeve të partisë, zgjerimin e debatit dhe vendimmarrjes kolegjiale.
Në gjithë këto vite, në PS nuk ka mbizotëruar filozofia e politikës përjashtuese. Përkundrazi, është synuar drejt politikave përfshirëse. Sot është momenti jo për t´u rrudhur, por për t´u zgjeruar në aksionin tonë opozitar, duke u ridhënë një shans e mundësi reale të gjithëve që dëshirojnë të kontribuojnë realisht e vendomërisht në kauzën për të luftuar këtë regjim antidemokratik të instaluar në vend. Ky është një hap vendimtar për këdo, një hap që kërkon reflektim, kurajë dhe përgjegjshmëri nga të gjithë ne, nga cilido që është pjesë e forumeve dhe institucioneve politike të PS, nga cilido që e vendos vehten në radhët e progresistëve të fjalës e votës së lirë, por dhe dhe nga ata që janë apo vetëndihen të përjashtuar apo të diskriminuar nga proceset a forumet politike në nivel qendror e në nivel vendor.
Kongresi i ardhshëm që do të miratojë dokumente të rëndësishme politike për një forcë politike serioze siç janë: programi i ri politik i partisë dhe reforma e re organizative me ndryshimet përkatëse statutore. Ekziston shansi dhe detyrimi historik për të bërë një amnisti partiake, politike dhe organizative, duke e konsideruar bashkimin e gjithë forcave dhe individëve progresistë që janë për fjalën e lirë dhe votën e lirë në këtë vend, në një kauzë të përbashkët, në një front të madh opozitar. Kjo kërkon reflektim, guxim e veprim për të krijuar një frymë të re mirëkuptimi, solidariteti e veprimi në frontin opozitar në përgjithësi e brenda socialistëve në vecanti, ku seicili e vendos vehten në funksion të kauzës e organizatës dhe jo në funksion të egos e karrierës personale apo të protagonizmit personal mediatik.
Eshtë rikthyer sërish tema e ndryshimeve kushtetuese, madje PS ka kërkuar ndjesë dhe për një pjesë të tyre. Ju keni kryesuar grupin negociator socialist në atë kohë, por njëkohësisht, kronikat e kohës dëshmojnë se keni qenë kundër disa amendimeve të Kushtetutës. Cila është e vërteta?
Nuk mendoj se kjo ka ndonjë interes të veçantë, por në respekt ndaj publikut, si edhe për t´u dhënë përgjigje disa abuzimeve të bëra së fundimi në media dhe në tavolinat e politikës kritizere të kafeneve, po bëj një sqarim të shkurtër me shpresë të jetë i fundit.
Dua të sqaroj se nuk kam qenë në atë kohë kryesues i grupit negociator për ndryshimet kushtetuese. Absolutisht jo. Nuk kam negociuar në asnjë rast për atë paketë ndryshimesh. Kam qenë bashkëkryetar i komisionit për reformën zgjedhore, madje përkundër vullnetit tim. Jam ulur në tavolinë për reformën zgjedhore, përfshi edhe ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe jemi vënë para faktit të kryer me një paketë amendimesh kushtetuese tej mandatit tonë.
Ato ndryshime ishin negociuar jashtë asaj tryeze dhe aty u bënë fakt i kryer. Pa qënë në dijeni të tyre, kam deklaruar edhe publikisht se kjo ishte një pabesi politike e PD-së që kushtëzonte ndryshimet në sistemin zgjedhor me një paketë tjetër amendimesh të panjohura prej nesh. Në të vërtetë, ato ndryshime kushtetuese ishin negociuar në kanale paralele, me kontributin edhe të dy kolegëve tanë. Gjithsesi, në cilësinë e Sekretarit Ligjor, së bashku me ekipin që drejtoja, kam përgatitur një dokument për vendimmarrjen në kryesi, në të cilin në thelb e konsideroja të papranueshëm procesin e ndjekur. Nënvizoja nevojën për një proces të gjerë konsultimi para se të votoheshin ndryshimet kushtetuese, një pjesë të të cilave, përfshi dhe zgjedhjen e presidentit, e konsideroja si të diskutueshme. Fakt është që me shumicë të konsiderueshme votash në kryesi, paketa u miratua dhe vendimi politik mbetej vetëm të zbatohej. Pas kësaj, thjesht bëra detyrën time, duke respektuar vendimmarrjen politike kolegjiale. Kjo është në thelb e vërteta e qëndrimit tim në atë proces.
Sot, tre vjet më pas, jemi në një situatë tjetër. Të reflektosh dhe të kërkosh ndjesë për një gabim të bërë në politikë është vlerë dhe shpreh përgjegjshmëri e kurajë qytetare e politike. Është e rëndësishme që ky mendim i ri të jetë një reflektim dhe fryt i një analize serioze dhe të përgjegjshme. Besoj se i tillë është edhe ky reflektim i bërë nga lidershipi i PS-së.
Sot, tre vjet më pas, gjykoj se nuk bëhet fjalë thjesht e vetëm për një proces korrigjimi të amendamenteve të bëra në vitin 2008. Përkundrazi. Jo të gjitha ato kanë nevojë për korrigjim, sepse pavarësisht mënyrës së miratimit, një pjesë e tyre janë në përputhje me sistemin elektoral të zgjedhur. Fjala është për një reformë më të plotë, që synon disa ndryshime kushtetuese për disa momente që dëshmohet se ka nevojë të bëhen ndryshe. Të shoqëruara këto edhe me ndryshime që do të duhet të jenë pjesë të paketës me disa ndryshime të rëndësishme në kuadrin ligjor, që miratohet me shumicë të cilësuar. Kjo ka qënë dhe një këshillë e drejtpërdrejtë e partnerëve tanë ndërkombëtarë, e bërë edhe publike përmes ambasadorit Arvizu dhe vetë Komisionerit Fyle. Shpresoj që kjo këshillë të shndërrohet në kërkesë, por dhe në kushtëzim, nëse nuk do të ketë reflektim.
Implementimi i 12 kushteve të BE ka të domodoshme nevojën për një paketë ndryshimesh kushtetuese dhe kuadrit ligjor me shumicë të cilësuar. Opozita e ka shfaqur vullnetin e saj politik me Rezolutën përkatëse të propozuar në Parlament apo me Paktin Kombëtar për Drejtësinë. E bëri dhe hapin e saj insitucional me deklarimin publik. Nëse kjo maxhorancë ka vullnet për t’i dhënë rrugë procesit të integrimit, le të mësojë e të kërkojë të bëjë konsensus pa kushtëzime, ashtu siç bën çdo qeveri e përgjegjshme. Është detyrë dhe përgjegjësi e saj dhe jo e opozitës. Në të kundërt, qytetarët e këtij vendi dhe partnerët ndërkombëtarë gjithashtu duhet të kuptojnë e pranojnë destruktivitetin e kësaj qeverie, që mbi interesat madhorë integrues të vendit ka vendosur konfliktualitetin politik në shoqëri, fuqizimin e pushtetit personal të Kryeministrit, forcimin e garancive për mbijetesë të këtij rregjimi autokrat.
Si e parashihni fytyrën e opozitës në sesionin e ri parlamentar dhe a keni një parashikim së paku se si do të shkojë politika shqiptare deri në zgjedhjen e Presidentit të Republikës?
Një opozitë të fortë parlamentare, në një marrdhënie të kushtëzuar me qeverinë. Të fortë për të vazhduar të denoncojmë këtë qeveri të padrejtë e të pandershme, që qeveriset nga një Kryeministër megaloman e gënjeshtar, një Kryeministër që rri e bën “të fortin” me Gadafin e Libisë, që merakoset për situatën e nderë në Libinë e naftës, ndërkohë që nuk merr mundimin të ndërmjetësojë për fatin e minatorëve që ngujohen në greva urie për një pagë pak më të mirë, ndërkohë që qytetarët e vendit të tij janë në krizën e ushqimit, të papunësisë e të shëndetësisë, një Kryeministër që guxon e blen helikopter luksoz për pushtetin e tij, ndërkohë që vendi digjet flakë dhe nuk ka as edhe një helikopter të vetëm kundër zjarrit, ndërkohë që Mali i Zi ka disa të tillë !!! Marrëdhënie e kushtëzuar, që do të thotë se nuk mund t´u jepet mbështetje ligjeve të propozuara nga kjo qeveri, që nuk synojnë forcimin e shtetit të së drejtës, të demokracisë, të zbutjes së krizës ekonomike në vend, por ruajtjen e regjimit autokratik të Berishës. Nuk kemi rrugë tjetër. Si mund të flitet për një marrëdhënie normale në këtë Parlament, çfarë ka ndryshuar në të? Parlamenti është vendi ku opozita është privuar nga e drejta e fjalës, vendi ku opozita është e diskriminuar dhe e dhunuar në çdo debat parlamentar, është vendi ku nuk ka peshë fjala dhe vota e deputetit, është vendi ku edhe vota e deputetëve manipulohet dhe vidhet. Duhet ndryshuar kjo situatë jo demokratike në funksionimin e Kuvendit, që të fillojë të flitet për një marrëdhënie normale në Parlament mes pozitës dhe opozitës. Eshtë e pamundur të flitet për konsensus apo për marrëveshje në një mjedis politik ku mungon fjala e lirë, ku deformohet vota e lirë, ku cënohet në sistem integriteti dhe dinjiteti moral e parlamentar i deputetëve. Këtu fillon gjithçka. Nëse ka vullnet real kjo maxhorancë (nuk po flas për deputetët e thjeshtë të saj, por për dyshen Berisha – Topalli), le t´i rikthejë Kuvendit fjalën e lirë, votën e lirë dhe dinjitetin e munguar.
Në të gjithë këtë histori që ka ndodhur prej vitesh në Shqipëri, në këtë raport të ndërlikuar të votës me pushtetin që ajo prodhon, ka njerëz që pretendojnë se përballë Berishës duhet bërë gjithçka dhe se ai duhet të luftohet me armët e tij. Në vlerësimin tim, kjo është një qasje e papranueshme. Ne nuk mund të bëjmë atë që bën Berisha, për një arsye thelbësore, sepse nuk jemi si ai. Shqiptarët nuk duan të qeverisen nga të ngjashëm me autokratin Sali, të qeverisen nga njerëz që janë pengje të mëkateve politike e ligjore. Ne jemi të ndryshëm me këtë regjim dhe duhet të mbetemi kështu. Sepse ne duam që t’u japim shqiptarëve një qeverisje të mirë, demokratike e mbi të gjitha, një qeverisje të drejtë e të ndershme. Ne duhet t’i bëjmë shqiptarët, por dhe partnerët tanë, të shpresojnë e të besojnë për një ndryshim të tillë që të mund të luftojnë aktivisht së bashku me ne, për ta realizuar në një front të përbashkët edhe përmes votës këtë ndryshim të madh, aq shumë të pritshëm.
ARISTIR LUMEZI











