Fatmir Xhafaj: Beteja ligjore vazhdon

Jul 10, 2011 | 10:25

Sekretari socialist për Çështjet Ligjore, Fatmir Xhafaj, tha dje se beteja ligjore për Tiranën nuk ka përfunduar. Në një intervistë për Top Channel, Xhafaj tregon dhe rrugët që do të ndjekë Partia Socialiste për të nxjerrë në pah të vërtetën e votës së qytetarëve.“Do të shikojmë mundësinë e kallëzimit të këtij procesi në Prokurorinë shqiptare, një hap tjetër është ankimimi në Gjykatën Kushtetuese, konsultimi me Komisionin e Venecias dhe çuarja e çështjes në Gjykatën e Strasburgut. Është shumë e rëndësishme t’i shkohet deri në fund së vërtetës, sepse kjo lidhet me të ardhmen e zgjedhjeve në vend”, deklaroi Xhafaj.
Njeriu që i qëndroi në kokë të gjithë procesit ankimor të Partisë socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe në Kolegjin Zgjedhor, e cilëson vendimin e fundit të Kolegjit si vjedhje të votës së qytetarëve. “Vendimi ishte thjesht një akt noterizimi i grabitjes së mandatit të Tiranës. Në mënyrë absurde Kolegji arsyetoi se kërkesa e PS-së ishte jashtë afatit. Ne ishim me 10 vota plus dhe nuk mund të bënim asnjë ankimim në ato momente. Me daljen e rezultatit të ri, PS-së i lindte e drejta që të kërkonte pavlefshmëri, ashtu siç edhe veproi”, u shpreh Xhafaj.
Duke i bërë një ballafaqim vendimmarrjeve të shkuara të Kolegjit Zgjedhor, sekretari socialist për Çështjet Ligjore shprehet se Kolegji ka aplikuar standarde të ndryshme në vendime të ndryshme. “Vendimi është në kundërshtim me vetë Kolegjin. Në kushtet e njëjta, Kolegji ka marrë një vendim identik si ky në 2006-n. Është po ky Kolegj që në 2009-n ka mbajtur të njëjtin qëndrim. Ndërkohë që në 2011-n ka mbajtur një vendim krejt të ndryshëm. Kolegji mohoi edhe vetveten dhe mohoi vendimin e tij të para një muaji”, theksoi Xhafaj. Të premten Kolegji Zgjedhor rrëzoi kërkesën e Partisë Socialiste për pavlefshmëri të rezultatit për shkak të skadimit të afateve kohore, duke lënë në fuqi rezultatin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që shpallte Lulzim Bashën fitues me 93 vota në avantazh ndaj Edi Ramës. Kreu socialist, pas këtij vendimi, e cilësoi atë vjedhje të votës së qytetarëve, ndërsa paralajmëroi një aksion popullor për shpëtimin e Drejtësisë, që, sipas tij, ka vdekur në Shqipëri. Partia Socialiste përgatiti edhe një dosje të gjerë ku pretendon se ka gjetur pavlefshmëri në 284 qendra votimi në Tiranë, ku ka ose më shumë, ose më pak vota se zgjedhës. Mosrakordimi i shifrave ka qenë pretendimi kryesor i PS-së. “Diferencat midis numrit të votuesve dhe numrit të fletëve të votimit të gjetura në kutitë e votimit për kryetarin e Bashkisë së Tiranës nuk përmbajnë diferenca midis tabelës përmbledhëse të rezultatit dhe tabelave origjinale të qendrave të votimit, që është argumentuar se është gabim ‘njerëzor’. Jemi para një mospërputhjeje të rezultatit zgjedhor me pasojë të dukshme deformimin e tij, gjë që përbën shkelje të ligjit, me ndikim në ndarjen e mandateve. Për këtë shkak, janë të gjitha arsyet ligjore që zgjedhjet për kryetar të Bashkisë së Tiranës të shpallen të pavlefshme”, thuhet në kërkesën ankimore të PS-së, e cila u rrëzua nga Kolegji Zgjedhor.

Ankesat e fundit

Procesi zgjedhor i 8 majit është drejt fundit zyrtarisht, tek kanë mbetur edhe disa procedura të fundit. Të hënën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të japë vendimin e tij në lidhje me ndarjet e mandatave në Tiranë, si dhe për caktimin e datës së përsëritjes së zgjedhjeve në 8 komuna të vendit, të cilat patën probleme më 8 maj. Në të njëjtën kohë, edhe në Kolegjin Zgjedhor mund të thuhet se ka përfunduar procesi, pasi trupa gjyqësore pritet të japë edhe dy vendime të fundit që kanë të bëjnë me ndarjen e mandateve të Këshillit Bashkiak në komunën Lazarat dhe Bashkinë e Bajram Currit, të kërkuar nga Partia Demokratike. Gjithsesi, procesi mund të ketë zgjatje në varësi të mbledhjes së ditës së hënë.

Përsëritjet

Zgjedhjet lokale të 8 majit nuk kanë përfunduar ende zyrtarisht, pasi pritet që në 9 komuna të vendit të ketë zgjedhje nga fillimi. Teksa pritet shpallja e datës së votimit në këto komuna, procesi i certifikimit përfundimtar të rezultateve do të finalizohet. Në këto komuna ka pasur problematika të ndryshme, që nga pamundësia për të zhvilluar zgjedhjet e deri te problemet në proces, të cilat detyruan Kolegjin Zgjedhor të kthejë rezultatin dhe të vendosë që procesi të fillojë nga fillimi. Ditën e hënë pritet të mësohet dita e zhvillimit të zgjedhjeve në këto komuna. Bëhet fjalë për komunën Shllak ku nuk u arrit të zhvillohet procesi, si dhe Papër, Pishaj, Mollaj, Zall-Dardhë, Armen, Kolsh, Shallës dhe Finiq.

Ceka: Rama të presë Bashën në Bashki

Kreu i Aleancës Demokratike, Neritan Ceka, përshëndeti dje vendimin e Kolegjit Zgjedhor, ndërsa i kërkoi Partisë Socialiste të pranojë verdiktin e Drejtësisë. Sipas Cekës, Rama duhet të urojë kreun e ri të Bashkisë së Tiranës dhe të heqë dorë nga procedura absurde në vijim të procesit. Kreu i PAD-së shtoi më tej se do të ishte në nderin dhe në të mirën e PS-së që të pranonte verdiktin për të dorëzuar Bashkinë e Tiranës. “Ne ftojmë PS-në që të pranojë verdiktin e Drejtësisë dhe të jetë në nivelin e zgjedhësve të ndershëm të PS, që secili prej tyre është gati të pranojnë në nivelin e qytetarisë Drejtësinë shqiptare. PS duhet të gjejë rrugën për të dalë nga Bashkia e Tiranës. Për fat të mirë, Bashkia ka dy dyer. Është mirë që z. Rama të presë kryetarin e ri të Bashkisë nga dera e nderit dhe e ballafaqimit. Të pranojë humbjen dhe nuk duhet të vazhdojë më me procedura absurde dhe të kërkojë derën e prapme të Bashkisë dhe të dalë që andej i turpëruar”, tha Ceka.

© Panorama.al

Te lidhura