Fatmir Limaj e tre të akuzuarit e tjerë shpallen të pafajshëm

May 3, 2012 | 14:49
Fatmir Limaj

Gjykata e qarkut Prishtinë i ka shpallur të pafajshëm deputetin e PDK-së, Fatmir Limaj dhe tre të akuzuarit e tjerë, ish-luftëtarë të UÇK-së, për akuzën e krimeve të luftës në vitin 1999 në Kosovë, në rastin “Kleçka”. Fatmir Limaj, Nexhmi Krasniqi, Naser Krasniqi dhe Naser Shala u shpallën të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës për krime lufte të ngritura nga prokurori Mauricio Salustro, pas rrëzimit të dëshmisë së dëshmitarit X, i cili u gjet i vetëvrarë në vitin 2011 në Gjermani. Ditari i tij, i cili ishte prova kryesore e prokurorit, u zbulua nga ekspertiza se në fakt ishte shkruar nga katër persona të ndryshëm dhe për këtë u klasifikua si një dëshmi e rreme dhe e pavlefshme. Gjashtë të akuzuar të tjerë të kësaj çështjeje u shpallën të pafajshëm disa ditë më parë, ndërsa për Limajn dhe tre bashkëluftëtarët e tij, prokurori kundërshtoi lirimin në atë seancë, pasi ata “kishin role drejtuese” në grupin e Kleçkës. Prokurori Maurizio Salustro ka paralajmëruar se do ta ankimojë edhe vendimin e fundit. Rasti “Kleçka” ishte shqyrtuar edhe një herë tjetër në Gjykatën e Hagës, ku çështja u pezullua për shkak të mungesës së dëshmitarëve dhe Limaj doli i pafajshëm për atë rast. Rihapja e kësaj çështjeje u prit me polemika, megjithatë rezultati duket se do të jetë sërish pafajësia. Kryeministri Hashim Thaçi e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës për lirimin e deputetit Fatmir Limaj dhe bashkëluftëtarëve të tij. Duke uruar rikthimin në angazhimet shtetërore, Thaçi ka shprehur besimin e plotë në lirimin e shpejtë edhe të Ramush Haradinajt dhe bashkëluftëtarëve të tij.

© Panorama.al

Te lidhura