Fati i maxhorancës, në duart e Bashës

Jun 9, 2011 | 11:10

ARMAND SHKULLAKU

Mënyra se si përfundoi gara për Bashkinë e Tiranës e ka vënë kryetarin e ri në një përgjegjësi shumë herë më të madhe se sa mund ta kishte menduar. Mbi Lulzim Bashën nuk do të rëndojë vetëm ankthi i premtimeve të mëdha elektorale për kryeqytetin, por edhe pesha e një sfide politike për vetë maxhorancën. Gjysma e parë e mandatit të Bashës në Tiranë, me shumë mundësi do të jetë përcaktuese për fatin e Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. Kryetari i ri i Bashkisë shumë shpejt do të shndërrohet në njësinë matëse të maxhorancës në përgjithësi dhe puna e tij do të stërvëzhgohet nga opozita dhe opinioni publik.
Rezultati i ngushtë dhe mospranimi i tij nga opozita, dyshimet mbi vendimin e KQZ-së dhe përfshirja nga afër e ndërkombëtarëve në garën për Tiranën, do të jenë një presion i vazhdueshëm mbi kreun e ri të Bashkisë dhe çdo veprim i tij si kryebashkiak do të kalojë nga skaneri i gjykimit dhe paragjykimit që prodhoi procesi zgjedhor. Basha nuk do të vlerësohet thjesht si një administrator qyteti, por do të përdoret nga opozita si një lakmues për mënyrën e të menduarit dhe të vepruarit të krejt maxhorancës. Një pozitë e tillë do t’ia vështirësojë vendimmarrjen kreut të Bashkisë, pasi përgjegjësia do të jetë dyfishe dhe paragjykimi disa herë më i madh. Ai duhet të dëshmohet një kryebashkiak i zoti jo vetëm për të mos zhgënjyer votuesit e tij, por për të rikuperuar besimin e humbur dhe për të ndryshuar imazhin e vetë qeverisë deri në zgjedhjet e 2013-s. Një mision i vështirë, një përgjegjësi e rëndë dhe në një kohë tepër të shkurtër, vetëm në dy vjet. Një dështim në Tiranë do të ishte dështim thuajse i sigurt në të gjithë Shqipërinë.
Në një vështrim optimist, Lulzim Basha ka në dorë shumë për të përcaktuar fitoren e grupimit të tij politik në zgjedhjet e ardhshme. Një ndryshim pozitiv në Tiranë, përmirësimi i jetesës, krijimi i energjive dhe mundësive të reja për gati një milion njerëz, do ta shërbente për t’i dhënë një tjetër dimension një maxhorance të goditur nga skandalet dhe të konsumuar nga pushteti. Mbajtja e premtimeve të mëdha, disiplinimi i ndërtimeve, hapja e vendeve të punës, krijimi i hapësirave që do t’i jepnin frymë kryeqytetit, ndërhyrjet në infrastrukturë, mundësitë e reja për biznesin dhe investimet në kulturë, formim e argëtim për mijëra të rinj, do të kishin një rëndësi dyfishe. Ato jo vetëm që do të ndryshonin kryeqytetin dhe do të ringjallnin frymën e besimit, por do të ishin shembulli që nuk ka nevojë për koment, për të bërë dallimin me mënyrën se si Edi Rama e qeverisi Tiranën për 11 vjet. Njerëzit do të shihnin e do të kuptonin se ndryshimi në Tiranë paskësh qenë vërtet i nevojshëm. Një sukses dyvjeçar në administrimin e qytetit do të bënte të harrohej debati për mënyrën e shpalljes së fituesit për Tiranën dhe qytetarët do të bindeshin se Lulzim Basha, në fund të fundit, paska qenë zgjedhja më e mirë. Drejtpërdrejt një model i tillë suksesi do të ndikonte në zgjedhjet e përgjithshme dhe Basha do të ishte karta më e mirë e maxhorancës për të bërë jo vetëm diferencën me qeverisjen e Ramës, por për të pasur dhe një bilanc pozitiv për t’u dëshmuar përpara elektoratit. Efekti pozitiv i kryeqytetit do të përhapej me gjerë dhe opinioni publik do ta përkrahte atë. Në këtë kuptim, misioni i Bashës në Tiranë ka mbi të gjitha një peshë dhe rëndësi të jashtëzakonshme politike dhe për këtë arsye e bën atë më të vështirë.
Dështimi i Bashës në qeverisjen e Tiranës do të vërtetonte akuzat e opozitës dhe do t’i jepte asaj një avantazh të madh moral e politik në zgjedhjet e ardhshme. Nëse kryebashkiaku i ri nuk do t’u qëndronte premtimeve elektorale, nëse Bashkia do të shndërrohet në një tjetër qendër abuzive pushteti, po të vazhdohet me favorizime klienteliste, leje ndërtimi korruptive e përvetësim të pasurisë publike, atëherë do të vërtetohej akuza e Edi Ramës se Sali Berisha po vjedh votat për të vjedhur shqiptarët. Dy vitet e para të Bashës si kryebashkiak duhet të bëjnë diferencën me filozofinë qeverisëse qoftë të Ramës në Tiranë, qoftë të Berishës në Shqipëri. Ndryshe, zhgënjimi do të jetë dyfish dhe fatura tepër e rëndë për t’u paguar.
Prandaj destini i Bashës është shumë më tepër se ai i një krybashkiaku. Atij i duhet të mbajë premtimet e fuqishme që ka bërë, të hedhë në harresë dyshimet e 8 majit dhe ta drejtojë Tiranën nën shenjën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Mënyra se si Lulzim Basha do të arrijë t’i kombinojë e realizojë këto, do të vendosë dhe për fatin e maxhorancës.

© Panorama.al

Te lidhura