
U ikën motra nga shtëpia, marrin peng familjen e “dhëndrit”.Policia e Lezhës arrestoi dje rreth orës 05:00 dy vëllezërit, Ndoc e Vladimir Gjoka, përkatësisht 29 dhe 23 vjeç, nga fshati Ishull-Lezhë si dhe 24-vjeçarin Petrit Brunga, nga fshati Krajën, komuna Blinisht në Lezhë. Sipas burimeve të Policisë, arrestimi i tyre është kryer në fshatin Kalurë të rrethit të Lezhës. Mbrëmjen e së martës, rreth orës 19:30, tre të rinjtë kanë shkuar në banesën e shtetasit me inicialet L. P., në fshatin Shëngjergj të komunës Kaçinar në Mirditë. Ata kanë kërcënuar me një armë gjuetie katër pjesëtarët e familjes, duke iu kërkuar t’i nxirrnin të motrën, e cila ishte larguar nga banesa e tyre në Ishull Lezhë që më 3 korrik. Burime të policisë bënë të ditur se motra e vëllezërve Gjoka kishte prishur fejesën dhe ishte larguar nga banesa, duke i pohuar familjes se do të martohej me një nga djemtë e familjes që ata morën peng për rreth 10 orë. Ata kanë shkuar në fshatin e tyre të lindjes (familja Gjoka ishte shpërngulur pas vitit ‘90 nga fshati Shëngjergj i Kaçinarit) dhe i kanë kërkuar familjes së shtetasit L. P. t’i nxirrnin motrën për ta parë nëse ishte mirë. Por, ata i kanë mohuar të kishin dijeni për vendndodhjen e saj, përfshirë këtu edhe djalin për të cilën e motra u kishte pohuar se do të martohej me të. Pas debateve me familjarët, të cilët kanë vijuar t’u mohojnë praninë e vajzës në banesën e tyre, tre të rinjtë janë nervozuar dhe i kanë detyruar, nën kërcënimin e armës, të hipin në mjetin me të cilin ata kishin ardhur që nga Lezha. Fqinjët e shtetasit L. P. sinjalizuan policinë në momentin që dëgjuan debat dhe më pas panë katër familjarët që u futën në makinë me armë te koka. Policia e Mirditës vuri në alarm blutë e Lezhës, të cilët, gjatë gjithë natës janë vënë në ndjekje për lokalizimin e vendndodhjes së mjetit me katër pengjet. Rreth orës 05:00, blutë kanë lokalizuar mjetin në fshatin Kalurë të Lezhës. Ata ndërhynë duke liruar pengjet, ndërsa arrestuan tre pengmarrësit. Sipas burimeve të Policisë, autorët e kësaj ngjarjeje nuk kanë bërë rezistencë në momentin e prangosjes, ndërsa asnjëri nga pjesëtarët e familjes nuk ishte lënduar dhe as keqtrajtuar prej tyre. Policia sekuestroi në cilësinë e provave materiale automjetin tip “Toyota” me ngjyrë gri dhe targë LE 6589 A, në pronësi të të arrestuarit Ndoc Gjoka, si dhe një armë gjuetie të prodhimit rus. Gjatë marrjes në pyetje, Policia e Lezhës bëri të ditur se të arrestuarit kanë pohuar se pengmarrjen e kishin kryer pasi nuk kishin gjetur te familja motrën e tyre. Ata dyshonin se familja e shtetasit me inicialet L. P. po ua fshihte të motrën, ndaj situata është acaruar derisa ata kanë përdorur armën si mjet kërcënues, duke i marrë më pas të katër pjesëtarët e familjes në mjetin e tyre, përfshirë këtu edhe “dhëndrin”.
Nis hetimi për vendndodhjen e vajzës
Policia e Lezhës bëri të ditur se ka nisur hetimin për të gjetur vendndodhjen e vajzës, e cila është larguar nga banesa e saj më 3 korrik. Ajo i ka pohuar familjes së saj se ndodhej në komunën katinar, në familjen e shtetasit L. P., por deri tani ende nuk është arritur të gjendet me saktësi vendi ku ajo është strehuar. Ajo kishte vendosur të largohej nga banesa, pasi i kishte dhënë fund edhe lidhjes me të fejuarin e saj.
Shkodër, grabitet nga dy persona taksisti tiranas
SHKODER – E marrin si taksi nga Tirana për në Shkodër dhe e grabisin pas kërcënimit me armë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e vona të natës, duke u zbardhur e mërkura, kur pronari i makinës tip Benz me targa TR 6792 G, ka bërë kallëzim në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës se dy të rinj e kanë zbritur nga makina dhe ia kanë grabitur atë nën kërcënimin e një pistolete. Blutë e Shkodrës kanë nisur aksionin për zbardhjen e ngjarjes dhe kapjen e autorëve. Taksisti i grabitur ka treguar me hollësi ngjarjen. Ai ka treguar se dy personat i janë prezantuar si shkodranë që ishin prej vitesh emigrantë në Greqi. Ata i kanë kërkuar taksistit që t’i dërgonte në Shkodër. “Fillimisht rruga ka kaluar mirë. Madje dy të rinjtë gjatë rrugës janë ndalur për të pirë kafe dhe pije të tjera dhe më kanë qerasur edhe mua”, është shprehur ai. Meqenëse drejtuesi i mjetit nuk dinte të orientohej me saktësi në errësirë se ku ndodhej, në afërsi të vendit të quajtur “Kryebushat”, pasagjerët i kanë dhënë drejtimin e Vaut të Dejës. Sapo janë futur në rrugën e Mjedës, njëri nga pasagjerët ka nxjerrë një pistoletë të cilën ia ka vendosur shoferit pas koke. Tjetri i ka kërkuar që të dalë nga makina dhe të lërë në automjet çelësat e makinës si dhe celularit dhe të largohet nga makina. Policia dyshon se autorët janë banorë të kësaj zone dhe të skeduar më parë. r.d
LEZHE/ ROLAND NIKOLLI
© Panorama.al











