Familja Konomi në gjyq: Na i morën pronat me falsifikim

Jul 9, 2012 | 14:45
Gjyqtari i vrarë, Skerdilajd Konomi

Përfaqësuesi i fa-miljes së ish-gjyqtarit të Vlorës, Skedilajd Konomi, i vrarë në shtator 2011, ka dëshmuar në Gjykatën e Tiranës tjetërsimin e pronave në Hamallaj të Durrësit duke u marrë trashëgimtarëve 275 hektarë tokë. I paraqitur si dëshmitar në procesin gjyqësor ndaj shtetasit Qemal Mulla, që akuzohet për falsifikim dokumentesh, përfaqësuesi i familjes Konomi ka dëshmuar në Gjykatën e Tiranës se dokumentet mbi bazën e të cilave ishte ndryshuar pronësia e tokave në bregdetin e Durrësit kanë qenë të falsifikuara. Prokuroria ka ngritur akuzë ndaj “rivalit” të gjyqtarit Skerdilajd Konomi në konfliktin për pronësinë e 275 hektarëve tokë në bregdetin e Durrës në Hamallaj dhe te Gjiri i Lalzit. Objekti i akuzës bën fjalë për dy shkresa të marra nga Mulla në Arkivin e Shtetit në cilësinë e përfaqësuesit të familjes Toptani. Këto shkresa ishin paraqitur si prova në Gjykatë në procesin kundër gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi. Pikërisht dokumentet e marra në Arkiv ishin paraqitur në Gjykatë për fitimin e pronësisë së tokës të ndarë në dy parcela në bregdetin e Durrësit. Sipas hetimeve të Prokurorisë, ish-gjyqtari i Vlorës, Skerdilajd Konomi, i vrarë më eksploziv në makinë më 9 shtator 2011, hapi gjyq për pronat e trashëguara nga familja e tij në bregdetin e Durrësit në Hamallaj. Bëhet fjalë për pronën me sipërfaqe 1.575.900 m2 e ndodhur në fshatin Hamallaj (sektor) të rrethit të Durrësit në ZK 1925, për pronën me sipërfaqe 25.597.200 m2 e ndodhur në fshatin Rrushkull ne ZK 3241, si dhe për pronën me sipërfaqe 1.820.000 m2 e ndodhur po në fshatin Hamallaj në Durrës. Gjyqi për këto prona u hap nga pretendentët si trashëgimtarë, pasi në vitin 2007, Agjencia Qendrore e Pronave anuloi vendimin e dhënë nga Komisioni i Durrësit për dhënien e pronës në fjalë familjes Konomi dhe trashëgimtarëve të tjerë. Pikërisht në këtë gjyq, që familja Konomi dhe të tjerët hapën, sipas Prokurorisë, përfaqësuesi i familjes Toptani, shtetasi Qemal Mulla, dyshohet se ka paraqitur dy dokumente false me qëllim fitimin e pronësisë së tokës në fjalë. Prokuroria e dërgoi në Gjykatë këtë shtetas me akuzën e falsifikimit të dokumenteve dhe në procesin ndaj tij në Gjykatën e Tiranës, përfaqësuesi i familjes Konomi ka përsëritur akuzat që prona është tjetërsuar me dokumente false.

© Panorama.al

Te lidhura