
Familjarët e kambistit që u vra me thikë dy ditë më parë në mes të qytetit të Fierit kërkuan dje dënimin maksimal të autorit, ndërsa mohuan që 55-vjeçari të ketë pasur konflikte me ndokënd.Dje, në familjen e viktimës Etem Spahiu kanë shkuar për ngushëllim mjaft qytetarë, kolegë e të afërm të familjes, të cilët i dhanë lamtumirën e fundit. Bashkëshortja e viktimës, Engjëllushe Spahiu dhe fëmijët, Maringleni, Blera e Marsilda, kërkuan me lot në sy drejtësi. Ata, por edhe fqinjët e Etem Spahiut në Patos, pohuan se gjatë gjithë këtyre viteve që ka punuar si kambist, ai nuk kishte pasur konflikte me askënd, përveç ngjarjes që i ndodhi një muaj para vrasjes, ku ai u plagos po me thikë nga një person që dyshohet të jetë i njëjti me atë të krimit të dy ditëve më parë.
“Është e pamundur që Etemi të ketë pasur konflikte me dikë, aq më tepër me atë që kreu këtë krim të shëmtuar. Ne kërkojmë që të gjendet e vërteta mbi këtë krim dhe për autorin të merret dënimi maksimal”. Kështu u shprehën dje familjarët e Spahiut përpara se ai të përcillej për në banesën e fundit. Edhe pse 55-vjeçari jetonte në qytetin e Patosit, ceremonia mortore është zhvilluar në varrezat e Cakranit, vend nga prej kishte origjinën familja Spahiu. Në ceremoninë mortore mbërriti dje paradite edhe vajza e viktimës, Marsilda, e cila jeton në Greqi. Ajo ka treguar edhe çastet kur kishte mësuar lajmin për vrasjen e të atit. “Isha në shtëpi kur më morën në telefon dhe më thanë se kanë vrarë një kambist në Fier, por nuk më thanë që ai ishte babai im. Fill pas kësaj telefonova në familje, por askush nuk përgjigjej. U mundova të shkoja pranë një fqinjit tim, ku mund të shihja edhe kanalet televizive shqiptare. Aty pashë vendin ku kishte ndodhur vrasja dhe menjëherë më shkoi mendja te babai. Kur pashë edhe emrin, humba ndjenjat dhe nuk mbaj mend asgjë. Sot në mëngjes e pashë veten në shtëpi dhe në mes të saj pashë arkivolin e tim ati. Nuk kërkoj asgjë më shumë, vetëm më shumë siguri për këta njerëz, pasi çdo ditë po dëgjojmë vrasje e plagosje”.
Edhe kolegët e Spahiut pohuan dje se Etemi humbi jetën duke fituar bukën e gojës. Ai punonte çdo ditë në dyqanin e tij, por edhe më parë ishte përballur me rrezikun në punë. Vetëm një muaj më parë e qëlluan me thikë për t’i grabitur paratë, por ai u shpëtoi plagëve. Ndërsa sulmi për herë të dytë rezultoi fatal për të. “Ne çdo ditë takojmë njerëz të papërgjegjshëm dhe arrogantë, që për një llafi goje të fyejnë e shajnë. Jemi të pasigurt në punën tonë. Vetëm për një vit janë sulmuar 10 kambistë, njëri prej të cilëve, Etemi, gjeti vdekjen, ndërsa 9 të tjerë janë plagosur”, u shprehën dje koleget e viktimës.
10 kambiste
janë sulmuar në harkun e një viti në Fier, çka ka bërë që ata të ndihen të pasigurt dhe të kërkojnë ndihmën e policisë. Ndër ta, Etem Spahiu gjeti vdekjen, ndërsa nëntë të tjerë kanë mbetur të plagosur.
FIER/ MAJLINDA RAMA
© Panorama.al











