Familja e Griseldës u përgjua, e dinin për rrëmbimin sajesë

Jun 4, 2011 | 10:28
Elvis dhe Griselda Roshi

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë dje informacion për disa telefonata të familjarëve të Griselda Zaimit (Roshit), që hedhin dyshime mbi historinë e deritanishme të ngjarjes.Sipas burimeve nga Prokuroria e Përgjithshme, grupi hetimor ka administruar në dosje disa të dhëna që tregojnë për kryerjen e disa telefonatave me jashtë Shqipërisë nga të afërmit e Griselda Zaimit të mërkurën, ditën e parë të denoncimit të saj kur nga të gjithë u mendua se ngjarja ishte një rrëmbim. Në këtë kohë, nga familja e Griselda Zaimit (Roshit) janë kryer disa telefonata me të afërm jashtë Shqipërisë për t’i sqaruar ata në lidhje me lajmet që po ndiqnin në media në lidhje me denoncimin e bërë për rrëmbim personi. Sipas Prokurorisë, mësohet se në këto telefonata duket se të afërmit e 28-vjeçares kanë qenë në dijeni se rrëmbimi nuk qëndronte, pasi u kanë thënë të afërmve të tyre jashtë Shqipërisë “të mos shqetësohen” dhe të mos i marrin lajmet ashtu siç po jepeshin në media për një rrëmbim të frikshëm. Dyshimi i Prokurorisë është se thënie të tilla nënkuptojnë dijeninë e të afërmve që rrëmbimi nuk kishte ndodhur dhe denoncimi që po bëhej në atë kohë ishte i rremë. Megjithatë, verifikimi përfundimtar i këtyre fakteve pritet të bëhet me anë të administrimit të tabulateve telefonike dhe përmbajtjes së bisedave, pasi gjithçka mund të ketë qenë edhe një tentativë për të qetësuar anëtarët e familjes së gruas së kryebashkiakut të Kavajës. Organi i akuzës mësohet se i ka kërkuar të dhënat në fjalë për këto biseda telefonike që janë interceptuar gjatë mbrëmjes së mërkurë, në një kohë kur, me sa duket, Prokuroria dhe SHISH kanë kryer përgjime parandaluese të bisedave të krejt rrethit familjar të Griselda dhe Elvis Roshit. Në kushtet e rënies së çdo dyshimi për rrëmbim personi me pasoja të rënda, por edhe pas vërtetimit të faktit se Griselda Zaimi (Roshi) nuk ka qenë shtatzënë, protagonistja e ngjarjes dhe kunati i saj rrezikojnë të hetohen për kallëzim të rremë në organet e rendit publik. Saimir Roshi, 36 vjeç, është paraqitur mesditën e së mërkurës në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe ka denoncuar se “Griseldën e kanë marrë forcërisht dhe e kanë detyruar të lindë jashtë dëshirës së saj. Më pas i kanë rrëmbyer foshnjën e sapolindur. Rreth orës 04.00 të datës 01 qershor 2011, kjo shtetase është lënë e lirë nga personat që e kishin rrëmbyer pranë shtëpisë së saj, në qytetin e Kavajës”. E gjitha kjo kishte ndodhur në fakt pasi atë ditë, në mëngjes, gruaja e kryebashkiakut të Kavajës ishte kthyer vetëm në shtëpi dhe me bark të shfryrë. Menjëherë kunati e ka pyetur 28-vjeçaren për atë që i kishte ndodhur dhe e tronditur ajo ka pretenduar për herë të parë rrëmbimin dhe lindjen e fëmijës me detyrim. Menjëherë, kunati i saj, Saimir Roshi, e ka marrë Griseldën dhe është paraqitur në Policinë e Tiranës.

Babai i Griseldës, fqinjëve: Më zuri halli derën

Pallati ku banon familja e Griselda Zaimit

TIRANE – Pas zbulimit të së vërtetës për historinë që vuri në lëvizje të gjithë Policinë e Shtetit dhe shokoi opinionin publik, familja e Griselda Zaimit ka evituar çdo kontakt me fqinjët, gazetarët, madje edhe të afërmit. Pavarësisht se në apartamentin e familjes Zaimi, në katin e katërt të një pallati të ri në rrugën “Ali Demi” rezulton që ka njerëz brenda, askush nuk e merr mundimin të hapë derën, edhe pse zilja binte pa pushim që prej orëve të para të mëngjesit të ditës së djeshme. Fqinjët tregojnë se i vetmi person që ka dalë nga shtëpia herët në mëngjes, ka qenë Muhamet Zaimi, babai i protagonistes së historisë së pazakontë, i cili është përballur me fqinjët në shkallët e pallatit, por ka shmangur çdo shpjegim nga pyetjet që i janë bërë rreth vajzës. “Çfarë të them? Më zuri halli derën…”, mësohet t’u ketë thënë Muhamet Zaimi fqinjëve që e kanë pyetur për shëndetin e vajzës. Komshinjtë treguan se në katin ku banon familja e Griseldës janë parë dhjetëra persona që vinin, i binin ziles dhe ktheheshin mbrapsht, pasi askush nuk e hapte derën. “Nëna dhe dy vajzat janë brenda, por çfarë do të thonë pas gjithë kësaj që ndodhi? Ne të mërkurën kemi qarë të gjithë kur dëgjuam se Griseldën e kishin rrëmbyer dhe i kishin hequr fëmijën. Ndërsa tani nuk dimë as çfarë të bëjmë. Prisnim t’u shkonim për vizitë t’i uronim kur të lindte djali, por tani as për t’i ngushëlluar nuk i ngushëllojmë dot”, tregon një grua e moshuar, mikeshë e familjes Zaimi.
GRISELDA SHTATZENE
Fqinjët treguan dje se prindërit e Griseldës dhe motra më e madhe, Arbana, prisnin me padurim lindjen e fëmijës. Ata treguan se gruaja e kreut të Bashkisë së Kavajës qëndronte prej disa muajsh te shtëpia e prindërve, pasi sipas tyre duhej të ishte afër maternitetit për të ndjekur shtatzëninë e saj. Ndërsa thonë se Elvis Rroshin nuk e kishin parë të vinte te shtëpia e vjehrrit, por, sipas tyre, ndonjë ditë Griselda shkonte në Kavajë dhe kthehej brenda ditës. “Nëna e Griseldës ishte e shqetësuar për lindjen e fëmijës, sepse sipas saj, vajza duhej të lindte në shkurt, por kaloi marsi, prilli, maji, erdhi edhe qershori dhe ajo nuk kishte lindur akoma. Në fakt po çuditeshim të gjithë sepse ne hynim e dilnim vazhdimisht te shtëpia e tyre dhe e shihnin Griseldën me barkun e fryrë dhe që nuk kishte lindur akoma. Por që ajo të mos ishte shtatzënë fare, nuk na kishte vajtur mendja kurrë”, shprehet një tjetër fqinjë e familjes.
TE AFERMIT
Përveç interesimit të medias, që gjatë gjithë ditës së djeshme janë dyndur në lagjen “Ali Demi” në Tiranë dhe kanë trokitur disa herë në derën e familjes Zaimi, edhe të afërmit e tyre nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga familjarët. Të njëjtin fat si gazetarët dhe fqinjët kanë pasur edhe xhaxhallarët, hallat dhe dajat e Griseldës, që sipas fqinjëve kanë shkuar për vizitë dhe askush nuk ua ka hapur derën. “Ata, siç duket, duan të shmangin çdo kontakt me njerëzit, madje edhe me të afërmit e tyre, pasi në dyert tona kanë trokitur edhe kushërinj, xhaxhallarë e të tjerë njerëz nga fisi për të na pyetur nëse janë aty të afërmit e tyre, sepse askush nuk përgjigjet”, shprehen fqinjët. Ndërsa për prindërit e Griseldës, Arbanës dhe vajzës së tretë, që është e martuar, komshinjtë flasin me vlerësim, duke i cilësuar njerëz të ndershëm, intelektualë dhe mjaft mikpritës. e.d

Itinerari i “rrëmbimit” të gruas së kryebashkiakut

Mbrëmjen e së martës, Griselda Zaimi (Roshi) ka pirë një kafe me një shoqen e saj me iniciale J. T. Ajo tregon se ka pirë kafe me Griseldën te ambientet e lokalit të qendrës “Kristal” (në pronësi të bashkëjetuesit të saj). Në orën 19:00, sipas Policisë, gruaja e kryebashkiakut ka hipur në një taksi duke i thënë shoqes se do të shkonte në shtëpi. E reja ka ndaluar te një farmaci e më pas ka shkuar te hotel “Broadvv///ay”, pranë stadiumit “Selman Stërmasi”. Në këtë kohë, Griselda ka bërë pagesën e taksisë dhe më pas shoferi është larguar. Më tej ajo ka hyrë në hotel e vetme, rreth orës 19:30 dhe ka prenotuar një dhome duke bërë pagesën dhe më pas ka hyrë në dhomë me bark të fryrë. Në orën 01:50, Griselda Zaimi ka dalë nga dhoma dhe i ka kërkuar këtij punonjësi të marrë një taksi, pasi nuk ndihej mirë fizikisht. Në këtë kohë Griselda Zaimi nuk dukej si shtatzënë. Pasi ka marrë taksinë, ajo shkoi tek klinika “Ikeda”, ku bëri serum për helmim dhe më pas me një tjetër taksi shkoi në shtëpinë e të shoqit në Kavajë.

Elvis Roshi ktheu në shtëpi gruan

TIRANE – Dy ditë më parë, kryetari i Bashkisë së Kavajës ka dorëzuar te prindërit shtetasen Griselda Roshi. Pas dëshmisë së dhënë nga vajza në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, kryebashkiaku i Kavajës e ka marrë atë me një makinë dhe, në prani të disa kushërinjve, e ka çuar dhe e ka “dorëzuar” te familja e saj. Babai dhe nëna e Griselda Zaimit mësohet se kanë qenë në banesë kur kryebashkiaku i Kavajës e ka lënë vajzën aty. Ky moment ka qenë edhe çasti i ndarjes së dy bashkëshortëve, pasi më pas kryebashkiaku i Kavajës bëri deklaratë publike ku kërkoi ndjesë për ngjarjen.

 

Trazhgim Sokolaj

© Panorama.al

Te lidhura