Familja e Eriseldës: Ankthi ynë për vajzën 12 ditë në koma

Jun 2, 2012 | 13:19

Eriselda Gubere (në rreth) me shoqet e saj

Asnjë reagim 12 ditë pas aksidentit. 21-vjeçarja po trajtohet në Vjenë.

Nga çasti në çast, prej 12 ditësh, presin me ankth një lajm të mirë. Atë që do t’i njoftojë se Eri ka hapur sytë dhe ka njohur të ëmën, e cila që prej së enjtes i ndodhet pranë në spitalin e Vjenës, në Austri.
Familjarët e Eriselda Guberes nuk reshtin së lotuari për 21-vjeçaren, e cila i mbijetoi aksidentin fatal të ndodhur në Qafën e Vishës në Himarë. Në fshatin Shakuj të komunës Kolonjë në Lushnjë gjendja është e nderë, ndërsa luten që Eriselda të dalë nga koma. Studentja, edhe pse midis të gjallëve, nuk ka mundur t’i shohë në sy prindërit, nuk ka mundur t’u flasë. Në shtëpinë e familjes Gubere, në njërën nga dhomat e kësaj godine flenë dy fëmijët më të vegjël të Kadri dhe Fatmira Guberes, një djalë dhe një vajzë. Po aty gjendet edhe shtrati i Eriseldës. Sipër tij qëndron një arush dhe një elefant lodër, si dhe fotografitë e vajzës. Për familjen modeste ka qenë gjithmonë ëndërr arsimimi i fëmijëve dhe Eriselda, vajza e tyre e parë, ndiqte studimet për Gjuhë dhe Letërsi shqipe në Elbasan. Sot, pas 12 ditësh, familjarët e Eriseldës, mes shpresës dhe lotëve, herë të fshehur e herë jo, presin daljen e saj nga koma dhe rinisjen e ëndrrave që ajo kishte thurur, të bëhej mësuese e mundësisht afër fshatit të saj, me qëllim që t’i shërbente komunitetit që e rriti. Familjarët e saj tregojnë ditët e tmerrit të pritjes, por nuk mund të harrojnë dhe momentin që solli tragjedinë. Nusja e xhaxhait të Eriseldës, Sadetja, rrëfen çastet e hidhura me të cilat u përballën familjarët e 21-vjeçares kur morën vesh lajmin e kobshëm. Tani, shpresa e vetme pritet nga Vjena, ku ndodhet prej disa ditësh Eriselda, bashkë me shoqen e saj, Florie Peçin.
Si u njohët me ngjarjen e rëndë? Kush ju njoftoi?
Dëgjuam në televizor që kishte rënë autobusi me studentë. Ishte ora rreth 17:00, kur dëgjuam që po bëhej nami në lajme. Sa nuk kemi vdekur. E dinim që vajza ishte nisur në ekspeditë. Këtu ishim unë dhe mamaja e vajzës, kunata ime, Fatmira. U alarmuam pastaj. Mblodhëm njerëz e të afërm dhe u nisëm.
Menduat që kishte mbijetuar apo… ?

Studentja Eriselda Gubere (djathtas) Foto e marrë nga Facebook

Nuk dinim asgjë. Të afërm të familjes kishin folur me policinë dhe kur ne ishim rrugës për në Vlorë, na thanë në telefon që vajza ishte gjallë.
Po pastaj çfarë bëtë?
Na thanë që duhej të merrte shërbim më të specializuar dhe do e nisnin në Tiranë, prandaj duhej që ta prisnim ose ta gjenim në Tiranë. Dhe kështu ndryshuam rrugën.
Kur e morët vesh që ishte në koma?
E mësuam në spital, por s’e mbaj mend se kush e mori vesh i pari, se ishim të çorientuar.
E keni vizituar këtu në spital përpara se të ikte në Austri?
E vizitonim me radhë, por ajo s’reagonte fare.
Kur u nis mamaja e vajzës dhe kush e kërkoi të nisej?
Mbrëmë u nis. Shteti i mori përsipër shpenzimet. Ne vetëm na thanë nga Ministria e Shëndetësisë së do të çonin familjarët në Austri, në spitalin ku ndodhet Eriselda dhe Fatmira u nis për në Rinas.
Po tani si po e përjetoni gjithë këtë histori të mbesës suaj?
Ah, ta dini. Unë kam bërë për këta fëmijë më shumë se sa vetë prindërit e tyre. Ja, edhe tani kujdesem. Ajo na e ka lënë vendin bosh. Askush nuk i prek gjërat e Erit. As vendin që ajo fle nuk e prek njeri. Ja, siç e shikoni është i paprekur. Nuk e besojmë dot këtë që i ndodhi vajzës sonë. Ishte mirë e bukur. Kishte edhe ajo ëndrra. Mezi presim të na vijë. Duam të gëzojmë për të. Duam ta shohim nuse Erin tonë.

Babai: Lutem për vajzën
Babai i Eriseldës, Kadriu, është i sëmurë. Ai përveç moshës dhe sëmundjes, e cila nuk e lejon të artikulohet qartë, tashmë ka brenda vetes edhe shqetësimin për vajzën e plagosur rëndë. Mes dhimbjes, e vetmja shprehje e tij është: “Lutem që vajza të më vijë shëndoshë e mirë”.

Falënderime për ndihmën
Xhaxhai, Faslli Gubere, nuk harron të falënderojë të gjithë ata që janë interesuar dhe po vazhdojnë të interesohen për mbesën e tij. “Duam që si familje të falënderojmë gjithë himarjotët, vlonjatët, shqiptarët, shtetin shqiptar, ambasadën, që bënë dhe po bëjnë të pamundurën për shërimin e mbesës sime”.

Tragjedia e Himarës
Më 21 maj, njëri prej dy autobusëve me studentë të Elbasanit, që po udhëtonin drejt Sarandës në një ekspeditë, doli nga rruga për të përfunduar në greminë. 13 persona humbën jetën dhe 26 të tjerë mbijetuan. Që nga momenti i tragjedisë, të plagosurat u transportuan në spitale të ndryshme dhe ato më rëndë në Spitalin Ushtarak. Eriselda Gubere dhe Florie Peçi, dy prej 21-vjeçareve të aksidentuara, nuk kanë dhënë asnjë shenjë zgjimi që prej momentit të trajtimit mjekësor. Për to u sigurua transporti drejt Vjenës për një mjekim të specializuar. Ministria e Shëndetësisë mundësoi dhe udhëtimin e familjarëve për t’u qëndruar pranë vajzave.

Nga Lushnja: MAJLINDA RAMA

© Panorama.al

Te lidhura