
Familjarët e 49-vjeçares Fatbardha Aliko, nga fshati Borsh i Devollit, reaguan dje duke kërkuar shkakun e vdekjes 10 ditë pas operacionit në mitër të saj.Vëllai i viktimës, i cili njëkohësisht është edhe vetë në hetim me akuzën e shkatërrimit të pronës publike, për shkak se theu në zemërim e sipër xhama dhe goditi dyer e dritare të ambienteve të Maternitetit të Korçës kur mësoi vdekjen e motrës së tij, reagoi duke kërkuar t’i bëhet i ditur shkaku i vdekjes. “Unë dua të di shkakun e vdekjes së motrës sime. Sipas asaj që mendojmë dhe kemi parë në spital, mund të ketë qenë faji i mjekëve. Dua të dalë përgjegjësia për trajtimin spitalor të motrës sonë dhe sidomos shkaku i vdekjes së saj”, u shpreh Fredi Goce. Ai pohoi se kanë dyshime për trajtimin spitalor të së motrës. Ndërkaq, hetimet për këtë ngjarje janë në varësi të rezultatit të ekspertizës mjeko-ligjore, përgjigjja e së cilës pritet të vijë nga Tirana. Prokuroria ka marrë dëshminë e mjekut që kreu operacionin e 49- vjeçares, si dhe të dy mjekëve ndihmës të tij, të cilët kanë asistuar në ndërhyrjen kirurgjikale, ndërsa akuza paraprake e ngritur nga Policia dhe Prokuroria është për mjekim të pakujdesshëm. Por, ndonëse dyshimet e para janë mbi këtë akuzë, burime pranë grupit hetimor të kësaj çështjeje theksojnë se duhet të dalë rezultati i analizave nga kryerja e autopsisë që të vazhdojnë hetimet në lidhje me vdekjen e gruas, nënë e dy fëmijëve. Mjeku Gjergji Gjata, që ka kryer operacionin e 49-vjeçares, ashtu dhe ekipi mjekësor që kreu ndërhyrjen kirurgjikale dhe janë përfshirë në hetim, kanë vazhduar punën edhe dje normalisht. Drejtoria e Spitalit bëri dy ditë më parë një mbledhje duke analizuar situatën, por pasi mjekët kanë referuar rastin, nuk është marrë asnjë masë pezullimi ndaj tyre. Burime spitalore bënë të ditur se këto ditë nuk ka pasur në axhendë të punës së saj operacione. Por, nëse do të kishte pasur, ato nuk do të ishin anuluar dhe se puna e mjekëve me përvojë në këtë spital do të kishte vijuar normalisht, ndonëse ata janë në hetim. Mjeku Gjergji Gjata u shpreh se është i vetëdijshëm që ka kryer një operacion normal dhe, pavarësisht vdekjes së papritur të 49- vjeçares së operuar për kancerin e mitrës, ai është paraqitur në punë. Burime nga Prokuroria thanë se do të hetohet në linjën e një mjekimi të pakujdesshëm dhe do të jenë rezultatet e analizave ato që do të nxjerrin ose jo me përgjegjësi mjekët dhe personelin për këtë rast të vdekjes së gruas nga rrethi i Devollit.
KORÇE/ GEZIM ASHIMI











