Falsifikatorët, biseda të koduara, zbardhen përgjimet

Aug 8, 2011 | 10:01
Kartëmonedhat e falsifikuara (Lart) Faksimile e vendimit të gjykatës

Zbardhen përgjimet telefonike të një grupi personash të deklaruar fajtorë nga Gjykata e Tiranës për akuzën e falsifikimit të monedhave.Plot 12 veta ishin përfshirë në grupin, pjesëtarët e të cilit falsifikonin kartëmonedha të prerjes 2 mijë lekëshe dhe i hidhnin ato në treg. “Pastrimi” i parave të falsifikuara në Tiranë bëhej kryesisht te familjarë të pacientëve të spitalit “Nënë Tereza”. Ndërsa në qytete të tjera të vendit pastrimi bëhej duke kryer blerje kartash rimbushëse telefonike. Në bisedat telefonike me njëri-tjetrin flisnin me gjuhë të koduar, duke përmendur fjalën “çakmak” për kartëmonedhat e falsifikuara, si edhe “bojë” për mjetet me të cilat i falsifikonin. Bisedat mes tyre zbulohen në vendimin e fajësisë së tyre, të shpallur pak kohë më parë nga Gjykata e Tiranës. Në këtë vendim, një treshe gjyqtarësh i ka  deklaruar të fajshëm të dymbëdhjetë të pandehurit dhe i ka dënuar me një total prej gati 36 vjet burg.
PASTRIMI
Hiqeshin si hallemëdhenj te njerëz që kishin me të vërtetë halle. Qytetarja L. D. kishte djalin e saj të sëmurë me leucemi të shtruar në Pavijonin Nr. 2 të spitalit “Nënë Tereza” në gusht të vitit 2009, kur një person i panjohur i kishte kërkuar t’i thyente disa kartëmonedha, prerje 2 mijë lekëshe. I panjohuri i kishte thënë se paratë me prerje më të vogël i duheshin për t’ua dhënë doktorëve, pasi kishin njerëz të sëmurë në spital. E bindur, L. D. i ka thyer 5 kartëmonedha 2 mijë lekëshe dhe më pas ka kuptuar se ato ishin të falsifikuara. Sipas vendimit të gjykatës, me të njëjtin argument të pandehurit kanë konsumuar disa episode në QSUT, ku të lënduar janë të tjerë familjarë njerëzish të sëmurë. Por ata nuk kanë lënë pas edhe mënyrën e pastrimit duke bërë blerje me to. Sipas vendimit të gjykatës, para të falsifikuara nga grupi ishin hedhur në treg po me “skemën e spitalit” dhe blerjen e kartave rimbushëse edhe në qytetet Durrës, Pogradec e Elbasan.

36 vjet
është totali i viteve të burgut dhënë nga Gjykata e Tiranës për 12 personat e përfshirë në një skemë të falsifikimit të parave dhe hedhjes në treg të tyre.

Dënimi

Të pandehurit e kësaj dosjeje ishin: Altin Murrani, Artur Pashkaj, Xhevahir Koldashi, Artan Halilaj, Alfred Bushgjokaj, Anita Kodra, Dëfrim Mata, Roland Skuqi, Besnik Gaci, Altin Lala, Dritan Elezaj dhe Bilbil Sefa. Gjykata e Tiranës i deklaroi të fajshëm të gjithë të pandehurit e kësaj dosjeje dhe vendosi për ta dënim me burg, që shkonte në një total prej gati 36 vjet. Nëntë prej tyre u deklaruan fajtorë për veprën penale të “falsifikimit të monedhave”. Ndërsa tre të tjerë vetëm për veprën penale të “moskallëzimit të krimit. Në vendim, gjykata urdhëroi lirimin e të pandehurve Halilaj, Kodra, Mata dhe Skuqi për shkak se dënimi i tyre ishte kryer gjatë kohës së paraburgimit.

PERGJIMET TELEFONIKE

Në bisedat midis të pandehurit Xhevahir Koldashi dhe Altin Murrani, të zhvilluara më 19.8.2009, i pandehuri Koldashi e ka pyetur të pandehurin Altin Murrani nëse donte të blinte bojë dhe nëse i duhej që atë natë. “Boja” nënkupton materialin e përdorur për falsifikim në makinat fotokopjuese me ngjyra, metodë me anë të së cilës janë prodhuar kartëmonedhat e falsifikuara 2000 lekëshe:
Koldashi: Ej, a deshe, se ato që më ke dhënë mbrëmë unë njërit i kam dhënë 10 copë dhe të tjerat i kam në xhep.
Murrani: Si?
Koldashi: Ato çakmakët që më dhe mbrëmë. Ia dhashë njërit 10 copë. Nesër në darkë m’i jep lekët. Më kupton? Se thashë për bojën. A deshe me ble bojë ti? Të duhet sonte?
Murrani: Jo.
…..
Koldashi: Po ndonjë lek në rregull. Se i kam dhënë njërit 10 copë pa lekë dhe 30 mijë lekë kam tani. Unë do bëj çmos deri pasdite…”.
Në bisedën e datës 20.08.2009, i pandehuri Xhevahir Koldashi i ka kërkuar të pandehurit Altin Murrani të sajonte ndonjë gjë se i kishte fikse porositë. I pandehuri Murrani i ka thënë që një 30-she kishte dalë e pastër, kurse të tjerat kishin dalë ngjyrë tjetër.
Murrani: Një 30–she ka dalë e pastër, kurse ato të tjerat kanë dalë ngjyrë tjetër.
Koldashi: Shif se mos na sajon ndonjë gjë bre burrë, se i kam porositë fikse.
Murrani: A do vish t’i marrësh këto 30 copë tani, a më vonë?
Koldashi: Më vonë do të vij aty në Laprakë dhe të marr në telefon.
Koldashi: Ku je?
Murrani: Këtu në Laprakë.
Koldashi: Sa copë ke në shtëpi ti?
Murrani: Tre.
Koldashi: Po pse s’i bën 5?
Murrani: Hajt se ta shpjegoj më vonë.
Në datën 1.9.2009, i pandehuri Altin Murrani i ka thënë të pandehurit Xhevahir Koldashi të sajonte ndonjë lek dhe e ka pyetur nëse kishte ndonjë kërkesë. I pandehuri Xhevahir Koldashi i ka thënë se ishte larguar njëherë përnjëherë nga kjo punë, pasi kishin kapur njërin në Allias me kartëmonedha të falsifikuara.
Në datën 7.9.2009, i pandehuri Xhevahir Koldashi i ka kërkuar të pandehurit Altin Murrani një kartëmonedhë për t’ia dhënë dikujt si mostër dhe i pandehuri Altin Murrani i ka thënë që të vinte ta merrte. Më pas, i pandehuri Koldashi i ka dërguar mesazh të pandehurit Murrani, ku i ka kërkuar 30 çakmakë, që nënkuptohen kartëmonedhat, pasi të nesërmen do të nisej për në Maqedoni dhe i donte për t’i shitur në Kukës…
I pandehuri Xhevahir Koldashi ka porositur te i pandehuri Artur Pashkaj kartëmonedha të falsifikuara, duke i identifikuar me emrin “çakmakë”. Nga përmbajtja e bisedës rezulton:
Pashkaj: 9 çakmakë do nga ata 10 mijë lekëshit?
Koldashi: Po.
Në bisedën e datës 31.8.2009, i pandehuri Alfred Bushgjokaj ka kërkuar që të takohet me të pandehurin Artur Pashkaj duke i thënë se donte ta takonte për t’i marrë një mostër, të cilën do ta shikonte dikush tjetër se behej fjalë për diçka të madhe:
Bushgjokaj: Dua të marr një mostër. Duhet me fol për diçka të madhe dhe don me e pa ai e me marr diçka më shumë.
Pashkaj: Po ta jap numrin.
Në bisedën e datës 13.9.2009, i pandehuri Koldashi ka pyetur të pandehurin Pashkaj se ku ndodhej dhe ai i përgjigjet në Kukës dhe se do të vinte në darkë. Menjëherë pas kësaj telefonate, i pandehuri Xhevahir Koldashi ka marrë në telefon një shtetas dhe i kthen përgjigje: “Në darkë, se është në Kukës pronari i madh”.

Në datën 26.08.2009 rezulton se i pandehuri Altin Murrani i ka kërkuar të pandehurit Roland Skuqi t’i sillte 10 copë kartëmonedha të falsifikuara.
Murrani: Shko në banjë më nxirr nja dhjetë. M’i sill te dora me stil.
Biseda mes Besnik Gacit dhe të pandehurit Murrani më 27.08.2009:
Gaci: Jam në Dibër. Do të bie nipin tim me ardh me t’i marrë. T’ia japësh atij robit. Të jap numrin e atij dhe ta marrësh në telefon, ose do të marrë ai.
Murrani: Po.
Gaci: Do t’ia japësh dhe kur të vij unë pasdite do t’ia japësh lekët. Mirë? 43 copë do t’i japësh.
Murrani: Sa?
Gaci: 43, jo 50.
Murrani: Ok.
Gjithashtu, nga komunikimi telefonik mes të pandehurit Altin Lala dhe Besnik Gaci i datës 16.09.2009 është biseduar:
Lala: Hajde merri të gjashta. Jam duke të prit.
Nga bisedat e dt. 26.08.2009, i pandehuri Alfred Bushgjokaj ka komunikuar me të pandehurin Xhevahir Koldashi për çmimin e kartëmonedhave, të identifikuara me emrin “çakmakë”, duke i thënë “500 lekë çakmaku, ok?”.
Nga një bisedë e datës 27.08.2009, i pandehuri Alfred Bushgjokaj ka porositur kartëmonedha tek i pandehuri Xhevahir Koldashi:
Bushgjokaj: Desha ato 5 fijet që të thashë.
Koldashi: Vetëm me ardh këtu në lagje, se nuk dal dot.
Bushgjokaj: E sa lekë?
Koldashi: Aq sa the mbrëmë.
Në bisedën telefonike të datës 14.10.2009, i pandehuri Xhevahir Koldashi i bën me dije të pandehurit Artan Halilaj se e kishte ndërprerë veprimtarinë e vënies në qarkullim të kartëmonedhave të falsifikuara duke u shprehur:
Halili: Kam numër tjetër, atë me gjashtë.
Koldashi: Ej, punën e çakmakëve e kam lënë njëherë. Nuk bëhet fjalë më. Ta dish. Fare, fare. E kena mbyll. Nuk shes më çakmakë se e kemi mbyll atë punë.
Në komunikimin telefonik të datës 02.09.2009 mes të pandehurit Dëfrim Mata dhe përdoruesit të numrit të tel 068xxxx212:
Mata: Jam duke ikur për në Vlorë. Jam tek 21–shi.
212: Pse?
Mata: Për të bërë ndonjë lek.
Në bisedën e dt. 14.09.2009, të zhvilluar mes të pandehurve Artur Pashkaj dhe Xhevahir Koldashit rezulton:
Pashkaj: A e ke takuar gjë atë robin?
Koldashi: A…? Ja të pyes Dëfrimin. Ky thotë që është te tregu. Tani ka dalë nga burgu.
Pashkaj: Ma kalo pak Dëfrimin. Ej, takoje atë A… dhe thuaj të më bëjë një telefon dhe thuaj të mos të dali Turi me të taku se të del punë.
Nga transkriptimet e bisedave të përgjuara telefonike ka rezultuar se në datën 12.8.2009 numri 068xxxx524 komunikon me të pandehurin Bilbil Befa në numrin 068xxxxx 894 dhe e pyet nëse kishte bërë gjë. I pandehuri Sefa e pyet se sa donte të merrte. Telefonuesi i përgjigjet: “Një copë, një stilolaps”. Më pas, i pandehuri Bilbil Sefa i thotë: “Ja, se po bëj një telefon”.

 

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura