Falje e plotë dhe e gjithanshme për çdo gjobë të padrejtë!

Dec 7, 2024 | 9:00
SHPËRNDAJE

NGA ERVIN SALIANJI ervin salianji

Është e qartë për cilindo që administrata publike dhe më të dalluarit si shërbëtorë, ata të vijës së parë, inspektoratet shtetërore, përdoren si kamxhikë personalë nga Edi Rama dhe servil-vartësit e tij në çdo zonë. Janë taksidarët e Ramës, që kërcënojnë e gjobisin biznese, janë inspektorët e llojllojshme po sidomos të ndërtimit që sulen si macet e egra në gjah, shkojnë marrin ryshfete para se të mbërrijë muratori që do ndërtojë avllitë, kasollet, magazinat, suvatimet apo çatitë nëpër lagje e fshatra.

Janë lloj e soj nëpunësish që bëjnë be për Edi Ramën, të cilët e nisin ditën me një plan të qartë biznesi, sa do të marrin për vete e sa do dërgojnë lart te shefi, gjithnjë duke zbatuar në të njëjtën kohë dhe vijnë e partisë për të trembur e shtypur qytetarët. Këta laro janë agresivë dhe janë neveria e çdo qytetari, biznesi apo familje. Gjahu i preferuar janë të pambrojturit dhe veçanërisht opozitarët, ata që “nuk na votojnë”. Këta fundosen me kërcënime, gjobiten, burgosen! Ata të pushtetit përkëdhelen dhe lejohen të ndërtojnë kate pa leje dhe në mes të Tiranës e më pas qeveria kujdeset që t’i legalizojë me akte normative.

Pra, këta tanët, ta gëzojnë deri në fund shkeljen e ligjit, është filozofia e taksidarëve dhe shefave të tyre. Nisur nga premisa e vërtetuar tashmë, se kjo kategori gjobit për motive të mitmarrjes ose të goditjes politike, Partia Demokratike duhet të propozojë faljen e gjithë gjobave që burojnë nga ky arbitraritet dhe kthimin e parave cilitdo qytetar që i janë marrë padrejtësisht. Të falen edhe gjobat e tatimeve, doganave, IKMT, kamatat e energjisë elektrike etj..

Falja duhet të jetë e plotë dhe e shumanshme. Në fakt, nuk po falet asgjë, është thjeshtë rikthimi në ligjshmëri, pasi kanë mbajtur kostot e përballjes së padrejtë me shtetin e nuk gjejnë dot drejtësi askund. Ndaj, një propozim i plotë për falje do të ishte ajo që do rivendoste në vend të drejtën. Ky është sugjerimi im për kolegët dhe propozimi im si amendament për projektin hileqar të qeverise, të shkruar me nxitim në kthinat e Kuvendit.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura