Dhjetëra pasagjerëve shqiptarë u janë anuluar fluturimet pas falimentimit të kompanisë ajrore hungareze “Malev”. Shumë të tjerëve u është dashur të prenotojnë biletën nga fillimi për të mbërritur në kohë në destinacionet europiane që kishin tranzit Budapestin. Të shqetësuar janë të gjithë ata që i kanë fluturimet në ditët në vijim. “Unë nisem të martën për në Pragë dhe biletën e kam prenotuar që në janar. Në agjenci më thonë se nuk kanë informacion si do veprohet. Kam paguar 350 euro biletën dhe nuk e shtyj dot udhëtimin. Nëse blej një të re për momentin e fundit, pagesa është të paktën 100 euro më e lartë. Më thoni ju si t’ia bëj tani, më jepni një zgjidhje”, ankohej dje një student pranë njërës nga agjencitë e mëdha ku u interesuam për informacion. “Nuk di çfarë t’ju them zotëri, ky është informacioni që ne kemi”, ishte e vetmja përgjigje që mundi të merrte. Jo vetëm nga punonjëset aty, por në të gjitha agjencitë e udhëtimeve ku u interesuam, informacionet ishin përgjithësisht konfuze. “Vetëm pas të hënës do të mund të themi me siguri si do të veprohet me biletat e prenotuara për ditët në vijim, por edhe me pasagjerët që duan të përfitojnë rimbursimin”, ishte sqarimi që mund të merrnim nga pjesa më e madhe e agjencive të kryeqytetit. Ajo që dihet me siguri është se 66 vjet pas krijimit, “Malev” nuk do të kryejë me fluturime. Gjithçka konfirmohet në faqen zyrtare ku janë dhënë procedurat që duhet të ndjekin pasagjerët për të përfituar rimbursimin. “Nëse keni paguar me kartë bankare ose nëpërmjet PayPal (online, agjencive të udhëtimeve dhe zyrave të biletave “Malev”), ne ju sugjerojmë që të kontaktoni bankën tuaj për të pyetur në lidhje me opsionet e rimbursimit”, thuhet në faqen zyrtare të “Malev”. Sipas njoftimit, nëse një pasagjer ka blerë biletën në një agjenci udhëtimi, për të përfituar rimbursimin në monedhe ose nëpërmjet transfertës bankare, duhet të dorëzojë kërkesën për rimbursim pranë agjencisë së udhëtimeve më 2 mars”, thuhet në faqen zyrtare të “Malev”. Po kështu, nëse dikush ka prenotuar një paketë turistike në një agjenci udhëtimesh, personat duhet të kontaktojnë me agjencinë për t’i bërë kthimin e parave. “Malev” është një linjë e njohur në Shqipëri, si një ndër më të hershmet që kanë operuar në vendin tonë dhe që kanë lidhur Tiranën në mënyrë të përditshme me destinacione të shumta europiane përmes Budapestit.
PUNONJËSIT
Kompania kishte rreth 2600 të punësuar dhe 22 avionë. Fillimisht u pezulluan fluturimet për dy avionë të “Malev” në Irlandë e Izrael. Dy ditë më parë ishin planifikuar 64 fluturime të “Malev”, ndërkohë që gjysma e trafikut ajror në aeroportin e Budapestit u pezullua. Kompania tashmë ka deklaruar zyrtarisht falimentimin.
BORXHET, 130 MILIONË EURO
Rreth 66 vjet pas krijimit, “Malev” nuk do të kryejë më fluturime”. Vendimi vjen pasi Komisioni Europian kërkoi nga kompania ajrore të shlyejë disa pagesa të prapambetura të viteve 2007-2010, në shumën e 130 milionë eurove, çka e ka bërë të pamundur vazhdimin e fluturimeve të saj. Edhe në vendin tonë, Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil konfirmoi se është marrë një urdhër për pezullim të fluturimeve, si pasojë e falimentimit të kompanisë.
Si të veproni për rimbursimin
. Nëse keni paguar me kartë bankare ose nëpërmjet PayPal (online, në agjencitë e udhëtimeve,apo zyrat e biletave “Malev” ), ne ju sugjerojmë që të kontaktoni bankën tuaj për të pyetur në lidhje me opsionet e rimbursimit.. Nëse e keni blerë biletën tuaj në një agjenci udhëtimi për mjete monetare, ose duke bërë transfertën bankare, ju duhet të dorëzoni kërkesën tuaj për rimbursim në agjencinë e udhëtimeve deri më 2 mars.
. Nëse e keni blerë një paketë pushimesh, përfshirë biletat ajrore, në një agjenci udhëtimesh, ju lutem flisni me agjenci udhëtimi për kthimin e parave.
. Në rastin e biletave të lëshuara për fluturime ajrore “Malev” nga ndonjë linjë tjetër, ju lutemi të kontaktoni me linjën ajrore që ka shitur biletat.
. Nëse keni paguar për taksat dhe tatimet për bileta të shpeshta të “Malev” me anë të një karte bankare, ne ju sugjerojmë që të kontaktoni bankën tuaj për të pyetur në lidhje me opsionet e rimbursimit.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











