Faleminderit Carolyn Perry!

Sep 11, 2024 | 8:15
SHPËRNDAJE

Edison Ypi1EDISON YPI

Carolyn Perry, arkeologia angleze me banim në Durrës, po nxiton të kapë trenin diku në Birmingham. Përpara i del një kishë. Nga kisha dëgjohen kambanat. Magjia e tingujve të kambanave e mahnit Carolyn Perry-n. Një qytet pa kambana është një qytet i vdekur, thotë me vete Carolyn Perry. Arkeologia Carolyn, ajo që plot me kisha dhe kambana, përveçse shpirtin, ka edhe punën, profesionin, nuk mundet me e pa kishën as me i dëgju kambanat duke u ngutur me kap trenin. Treni nuk duhet humbur. Kisha duhet parë. Kambanat duhen dëgjuar. Por s’ka kohë. Kanë mbetur më pak se 3 minuta. Duhet bërë diçka. Po, por çfarë? Me besim dhe vullnet, gjendet. Ku ka një dëshirë, ka një kishë. Ku ka një kambanë, ka një zgjidhje. Në ecje e sipër, me po atë shkathtësi që atentatori nxjerr nga kutia e violinës kallashnikovin me vra të pafajshmin, Carolyn Perry nxjerr shpejt celularin si koburen për me vra harrimin. Bën një video jocilësore me luhatje në përputhje me ritmin e hapave për ta pavdekësuar kishën dhe këngën e kambanave. Ta ketë për vete, ta shohë kishën dhe dëgjojë kambanat e Birminghamit kur të jetë me nge duke parë mbeturinat e nënujshme të Durrësit të fundosur para dy mijë vjetësh gjatë një perëndimi të përgjakur dielli te Currilat, si dhe t’ia dhurojë një muzeumi që brezat e ardhshëm ta njohin historinë.

Të cilët, po ashtu si Carolyn sot zbulon nga gërmadhat kishat dhe kambanat e lashta, pas qindra vjetësh do mësojnë historinë edhe nga dëshmitë e vizionares Carolyn. Carolyn Perry mund të mos e bënte videon. Por njerëzit e së ardhmes nuk do shihnin kishën, nuk do dëgjonin kambanat e sotme. Carolyn nuk mund t’ia falte vetes këtë mëkat. Do vuante. Ndoshta do sëmurej, sepse mund ta jepte, por nuk e dha një dëshmi të kohës sonë për brezat që do vinë. Carolyn e nxori videon në internet. Ku falënderon dhe kërkon ndjesë për mungesën e cilësisë së videos, të cilën e ka bërë në ecje për shkak të ngutit me kap trenin. S’ka vend për ndjesë Carolyn. Më mirë video e keqe dhe muzikë të mirë kambanash, se muzikë e keqe dhe video cilësore. Dhe mos na falëndero. Ne duhet të të falënderojmë ty. Jo ti ne. Ti Carolyn, mund të mos bëje fare video. Në këtë rast do mbeteshe e pakënaqur vetë, po aq sa dhe adhuruesit shqiptarë të kishave dhe kambanave, ata që halera dhe tallavara kanë plot, por kisha dhe kambana kanë pak. Por videon e bëre. Dashuria për kishën, pasioni për muzikën e kambanave, rreziku se do humbje trenin, mjaftojnë e teprojnë për të thënë se bëre çka duhej bërë.

Mund të kishe ndalur që videoja të dilte me cilësi të mirë. Por do humbje trenin. Do ishte fatkeqësi për ty, që po shkoje diku për të kryer ndonjë punë të ngutshme, ose ndoshta po ikje në një takim pune, a pse jo, në një takim sentimental, por për shkak të vonesës tënde, tjetri do kishte ikur dhe jeta jote do ishte bërë lëmsh. Mund të filmoje kishën, pa zë, pa kambanë, por do kishe lënë të pakënaqur adhuruesit e muzikës kishtare që aq ngjan me tjetrën muzikë superbe, atë të këmborëve, si dhe maniakët e kambanave të bronzit, kuriozitetin e tyre ndaj fonderive ku kambanat e bronzit derdhen sipas përvojave shekullore nën mbikëqyrjen e rreptë të mjeshtrave. Po të kishe regjistruar vetëm zërin, vetëm kataraktin e tingujve të kambanave, do idhnoheshin meraklinjtë e arkitekturave të kishave, kupolave, harqeve, çative, shenjtorëve mbi mure. Carolyn, ti që dëshmove ndjeshmëri dhe vizion për një kishë dhe kambanat e saj në Birmingham, mos lër kishë pa parë dhe kambanë pa filmuar nëpër Shqipëri: Kishat e lashta aq të hirshme dhe kambanat e vjetra që nxjerrin tinguj të magjishëm.

Kishat ku gjatë diktaturës ushtarët u kanë nxjerrë sytë me bajoneta shenjtorëve mbi mure, me shpresë se drita e syve të shenjtorëve të zhvendosej te sytë e tyre, ose të të afërmve të tyre. Kishat dhe kambanat që na kujtojnë Shqipërinë serioze të kohëve të lavdishme. Kohëve me kisha dhe kambana, fisnikë, aristokratë, burrni, besë, kështjella, kështjellarë, kavalierë, ofiqarë, kontë, viskontë, oborrtarë, mbretër, princa, princesha, kuvende, besëlidhje e të tjera e të tjerë, që kur kujtojmë se sot në vend të tyre kemi ca halabakë, i biem kokës me grushte, shkulim leshrat, na merr e qara.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura