Fakulteti i Mjekësisë në sfidat e së ardhmes

Feb 3, 2012 | 10:37

GENC SULÇEBE

Zgjedhjet aktuale të autoriteteve dhe forumeve drejtuese në institucionet e arsimit të lartë përbëjnë dhe një moment refleksioni për reformimin dhe zhvillimin e këtyre institucioneve. Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit të Tiranës është ndër institucionet më të rëndësishme të arsimit të lartë dhe të kërkimit në vendin tonë. Në të realizohet formimi i mjekëve në Shqipëri në të gjitha specialitetet mjekësore, kryhet punë kërkimore shkencore në fushat biomjekësore dhe klinike dhe ai ndjek gjithashtu edukimin e vazhdueshëm të mjekëve gjatë gjithë karrierës së tyre. Duke përfshirë në gjirin e tij edhe edukimin e lartë në fushat e stomatologjisë dhe farmacisë, Fakulteti i Mjekësisë kompleton plotësisht formimin e lartë profesional dhe punën kërkimore-shkencore në të gjitha fushat e shëndetit. Duke pasur parasysh misionin e tij të rëndësishëm, drejtimi dhe zhvillimi i këtij Fakulteti përbën një sfidë e veçantë. Aq më tepër kjo në kohën e sotme, kur reformat në edukimin mjekësor dhe kërkimin shkencor përbëjnë një prioritet si në nivel ndërkombëtar, ashtu dhe atë kombëtar.
Reformimi i procesit mësimor në nivelet e kërkuara është pa dyshim një sfidë e kohës, e cila në qoftë se nuk kapet dhe realizohet si duhet dhe pa vonesë, rrezikon ta mbajë Fakultetin e Mjekësisë në një situatë të papranueshme për kohën, sidomos sot kur standardet cilësore dhe akreditimi i sistemeve mësimore po marrin një karakter gjithnjë e më global dhe përfshirës. Kapja e këtyre standardeve është një kusht i domosdoshëm për të ruajtur kompetitivitetin e formimit mjekësor në FM jo vetëm në nivel kombëtar, por dhe atë ndërkombëtar. Globalizimi dhe mobiliteti i profesionistëve po fshin tashmë barrierat kufitare dhe konkurrenca e profesionistëve të mjekësisë të formuar në fakultete të tjera brenda dhe jashtë vendit do të ndihet gjithmonë më tepër. Në qoftë se Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit të Tiranës nuk do të arrijë standardet ndërkombëtare në formimin mjekësor, ai nuk do të mundë t’u bëjë ballë këtyre konkurrencave.
Format e reja të mësimdhënies, sidomos ato interaktive dhe të fokusuara në mësimin praktik dhe esencial të njohurive, duke i çliruar ato nga ngarkesat e tepërta dhe të panevojshme teorike, janë një element i rëndësishëm si në formimin teorik biomjekësor, ashtu dhe në atë klinik. Futja e gjerë në laboratorët e mësimdhënies e modeleve simuluese, mulazheve etj., që nxisin punën individuale me duart e studentit, kërkon jo vetëm përballimin e kostove respektive, por dhe përvetësimin e teknikave të reja të mësimdhënies. Këtu bën pjesë dhe fitimi i eksperiencave ndërkombëtare në këtë fushë, e cila duhet të nxitet në mënyrë intensive nëpërmjet përfshirjes së FM në projekte ndërkombëtare në nivel si të stafit pedagogjik, ashtu dhe të studentëve. Një vend të rëndësishëm në këtë aspekt duhet të luajë dhe reformimi i kurrikulave në përputhje me standardet e përparuara ndërkombëtare, e cila mund të arrihet vetëm me një njohje të mirë dhe të thellë të këtyre eksperiencave.
Këtij reformimi duhet t’i nënshtrohet jo vetëm formimi biomjekësor, pra ai paraklinik, por dhe edukimi klinik që duhet të karakterizohet nga një kontakt i ngushtë i studentëve me pacientin dhe një orientim mësimor i fokusuar në “mësim duke punuar”, se sa në thjesht “mësimdhënie”. Kalimi nga gjendja aktuale e mësimit me grupe mësimore në punë individuale pranë shtratit të pacientit (modeli francez i externat-it) do të përbëjë një përmirësim cilësor në këtë drejtim. Eksperienca pozitive e këtij fakulteti, e nisur me projektet “Interreg” që kanë iniciuar punën në këtë drejtim, përkatësisht “Interreg II” në 2001-shin për mësimdhënien apo dhe “Interreg III” në vitin 2006 në fushat e epidemiologjisë, sëmundjeve tumorale dhe transplantimeve, duhet vazhduar më tej si një shembull pozitiv i projekteve ndërkombëtare në fushat e shëndetit.
Një rëndësi të veçantë në procesin mësimor duhet të përbëjë dhe puna kërkimore. Futja e elementeve të saj që në ciklin e parë dhe angazhimi në mënyrë aktive i studentëve në kërkim në ciklin e dytë, duke u finalizuar kjo në paraqitjen e një teme diplome, është një element i rëndësishëm që do të nxisë formimin aktiv të studentit me një kulturë jo vetëm thjesht profesionale, por dhe analitike dhe krijuese.
Një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet reformimit të ciklit të tretë të specializimeve afatgjata në mjekësi. Ekziston këtu rreziku i skolarizimit të tyre drejt një formimi teorik dhe të ngushtë në kurriz të fitimit të eksperiencës së gjerë klinike me punë direkte pranë shtratit të pacientit. Këtu duhet marrë eksperienca e residency-së anglosaksone apo internat-it francez, duke ngulur këmbë në një formim nëpërmjet punës, se sa nëpërmjet mësimit teorik si leksione etj. Pjesëmarrja aktive e specializantëve në stafe mjekësore, seminare klinike apo bibliografike si dhe aktivitete shkencore dhe botime, apo përfshirja e tyre në programet e doktoraturave, duhet të mbizotërojë mbi formimin thjesht teorik nëpërmjet leksioneve apo leximit pasiv të literaturës. Shkëmbimi ndërkombëtar i specializantëve nëpërmjet fitimit të eksperiencave profesionale dhe kërkimore në qendra spitalo-universitare të njohura jashtë shtetit është një element tjetër i rëndësishëm që kërkon vëmendje.
Një kujdes të veçantë Fakulteti i Mjekësisë duhet t’i kushtojë hapjes së tij dhe jashtë strukturave spitalo-universitare ku ai operon, duke përfshirë të gjithë specialistët në fushat e shëndetit që janë personalitete shkencore dhe me formim profesional të avancuar në fushat e tyre. Ata mund të kontribuojnë jo vetëm si lektorë apo pedagogë të ftuar, por dhe institucionet ku ata punojnë, qoftë dhe jashtë klinikave universitare, mund të bëhen vend stazhi dhe pune për specializantët afatgjatë në mjekësi. Një rol të veçantë në specializimet mund të luajnë dhe krijimi i Diplomave Universitare 1-2-vjeçare për mjaft fusha në të cilat nuk mund të realizohen specializime afatgjata.
Roli i forumeve drejtuese të FM, si Këshilli i Profesorëve dhe Këshilli i Fakultetit, duhet forcuar duke rritur transparencën e plotë për çdo vendim. Në këtë kuadër, debati shkencor dhe konstruktiv forcon më shumë rolin e këtyre forumeve si domosdoshmëri për realizimin e ideve progresive.  Në nivel të “qeverisjes” së fakultetit, një rol të veçantë merr informatizimi i informacionit dhe i dokumentacionit. Website-i interaktiv i FM ka nevojë të zgjerohet akoma më tej duke përshirë të gjitha aspektet e mësimdhënies dhe të informacionit.
Administrimi financiar i FM është një aspekt tjetër i rëndësishëm i lidhur ngushtë me reformimin e tij. Nevojitet shfrytëzimi maksimal i të gjitha burimeve financiare që lejon legjislacioni për autonominë financiare të institucioneve të arsimit të lartë, si dhe transparenca maksimale e buxhetit ndaj Këshillit të Fakultetit. Zhdërvjellësimi i përdorimit të burimeve financiare dhe maksimalizimi i autonomisë së departamenteve dhe shërbimeve do të rrisë motivimin e punës akademike dhe shkencore. Kërkimi institucional i mbështetjeve financiare për kërkim dhe zhvillim duhet të realizohet nëpërmjet hartimit dhe konkurrimit të projekteve duke shfrytëzuar çdo burim të mundshëm mbështetës. Shfrytëzimi i plotë i mundësive për një shpërblim real të punës akademike dhe shkencore duke u shpëtuar kthetrave burokratike dhe rritja e autonomisë së vendimmarrjes në nivel shërbimi dhe departamenti do të motivojë rritjen cilësore të punës dhe angazhimin e stafit akademik. Të gjitha këto qëllime dhe programe duhet të integrohen në projekte kombëtare dhe ndërkombëtare me qëllim realizimin e shpejtë dhe të njëkohshëm të tyre.
Realizimi i programit të mësipërm kërkon ndërgjegjësimin e të gjithë stafit akademik, administrativ dhe studentor dhe mobilizim të përbashkët për realizimin e tyre. Duke mobilizuar të gjitha burimet njerëzore dhe financiare të mundshme në mbështetje të këtij programi, do të mundësohet realizimi i reformimit të sistemit, e domosdoshme kjo në epokën në të cilën jetojmë.
* Zv.dekan, Fakulteti i Mjekësisë, Universiteti i Tiranës

© Panorama.al

Te lidhura