ROMINA KUKO
Rreth një dekadë më parë, tek lexoja tragjeditë greke, më dukej se motivi i krimit në familje ishte kulmi i tragjedisë, më dukej sikur ato tragjedi i kanë mbijetuar kohës pikërisht sepse kanë mbartur mes shekujsh një mesazh, i cili do të lexohej më pas edhe në format e urdhëresave të Perëndisë “mos vrit”, “respekto familjen tënde”. Duke lexuar të gjitha këto, ndieja një lumturi sepse në Shqipërinë ku unë jetoja, familja është vlera më e shenjtë dhe e paprekshme.
Tragjedi të tilla në vendin tonë ishin të rralla, madje aq të rralla, sa përfundonin në legjenda urbane të stërlakuara, të cilat mbartnin në vetvete dhe një farë morali, si për t’iu paraprirë impulseve të errëta të njerëzve.
Por, para një dekade a ndoshta pak më shumë, këto tragjedi nisën të shfaqeshin me shpesh se zakonisht në Shqipëri dhe që atëherë vetëm u shtuan dhe u ngjyrosën me ngjyrat më të errëta, duke na marrë frymën sa herë që i hasnim nëpër gazeta e kronika lajmesh. Histori nga më të dhimbshmet. Histori absurde, paradoksale. Jetë të humbura si pasojë e impulseve të momentit, impulse të cilat shkatërrojnë jetë të tjera.
Nuk do ta harroj kurrë parantezën nëpër kronikat e lajmeve “krimi në familje godet sërish”. Mjerisht, ky refren është bërë tashmë i përsëritur dhe, rrjedhimisht, i zakonshëm, përballë të cilit njerëzit shtangen, tani, pas kaq vitesh, ndoshta shtangen më pak. Duket sikur gjithë këto vite me krime brenda familjes që godasin sërish, në vend që të shërbejnë si një kambanë që na shkund e na fut të dridhurat sa herë që bie. Duket sikur na ka “trajnuar” që të pranojmë atë që ndodh duke ngritur duart lart dhe duke pranuar fatin tonë, duke ia vënë fajin tranzicionit, komunizmit, varfërisë, korrupsionit, shtetit, ’97-s, atyre që “nuk duan që Shqipëria të bëhet”, Shqipërisë që nuk bëhet, Zotit që e zumë me gurë për 50 vjet etj.
Këto justifikime i dëgjon dhe lexon gjithandej, madje ka dhe prova bindëse, të cilat e kopsitin dhe të bëjnë të besosh se e ka fajin viti 1997 pse shqiptarët sot po vrasin njëri-tjetrin, apo se është faji i tranzicionit pse shqiptarët janë të ngecur si në kllapi dhe nuk ecin dot përpara ashtu siç do të duhej që të ecnin. Kjo ndoshta është vetëm një pjesë e së vërtetës. Është e vërteta e disa kushteve të jashtme, të cilat, sigurisht që ndikojnë në mirëqenien psikologjike të individëve. Por ne nuk jemi i vetmi vend që kalon probleme të mprehta, nuk jemi i vetmi vend që ka qenë i shtypur, nuk jemi i vetmi vend ku në një masë të caktuar diskutohet mbijetesa. Edhe vende të tjera po si ne, pothuajse me të njëjtat probleme, nuk kanë kurrsesi shifrat tona të frikshme të krimit në familje.
* * *
Shpesh thuhet se shoqëria shqiptare nuk ka një strukturë, se pas viteve ’90, me rënien e komunizmit, gjithçka u shkatërrua. Të gjithë e dimë këtë, madje aq shumë është thënë, sa tashmë mendoj se është bërë si refren rrugëdaljeje, i cili na bën të mos rrimë për pak çaste dhe të mendojmë me të vërtetë, ta gjenerojmë nga vetja jonë arsyen se përse kemi përfunduar në këtë errësirë sociale. Sistemet politike kanë ndryshuar dhe do të ndryshojnë, bota hyn e del nga epokat historike, por tradita shoqërore është diçka që nuk mund kurrsesi të ndryshojë brenda përthyerjes së viteve 1989-1990. Nuk mundet të ndryshojë as për një dekadë. Për shembull, tradita shqiptare e familjes si një vlerë e shenjtë, e dokeve dhe zakoneve të mirëstrukturuara familjare na vijnë si një fill i pandërprerë nëpër epoka të historisë. Ne i përdorim ato sa herë që na kërkohet që të japim karakteristika të vendit tonë, i mbrojmë me fanatizëm sa herë që dikush na i cenon, por nëse do të bëjmë një vëzhgim të kujdesshëm të realitetit, atë lloj tradite kurrkund nuk e gjen, ndërsa kronika të përditshme të kombinimeve më të frikshme të vrasjeve brenda familjes i gjen me shumicë.
Ku është atëherë tradita e familjes si gjëja më e shenjtë? Ku e humbëm atë? A mos ndoshta kemi qenë shumë dorëlëshuar kur na është dashur të vlerësojmë veten në këtë aspekt?
Kur them dorëlëshuar, nuk dua kurrsesi të hedh poshtë asnjë vlerë të vetme të vlerave kulturore dhe morale të vendit tonë. Ajo çka dua të them është se ne i kemi lënë ato të dremisin. Nuk duket se po zbatohen dhe nuk duket se po funksionojnë për të rregulluar aspekte të jetës, të cilat (fatmirësisht) nuk mund të ndikohen nga politika.
Ndoshta shoqëria në tërësi nuk e sheh trashëgiminë kulturore të saj në sy sepse ka frikë. Ndoshta ne jemi një shoqëri që nuk i ka luftuar demonët e saj të së shkuarës, nuk e ka parë të shkuarën e saj në sy, nuk e ka pranuar të përçojë mësime nëpër brezat që vijnë. Në këtë mohim të përgjithshëm për të qenë të përulur ndaj së shkuarës sonë, ne kërkojmë të gjejmë shpëtim drejt së ardhmes. Në këtë të ardhme që nuk vjen kurrë, ne kemi shpikur një rend vetjak të gjithsecilit, në mendjen tonë kemi shpikur mënyrën se si duhet të funksionojë bota, kemi krijuar ligjin tonë personal dhe në të nuk ka vend për mendim ndryshe. Është një lloj diktati i vetvetes, i cili na ka mbyllur në kllapi dhe na ka kthyer në armë kundër vetvetes. Shifrat alarmante të vetëvrasjeve dhe krimeve në familje nuk janë një rastësi. Ato janë kolapsi i pushtimit të vetvetes. Kjo nuk do të kishte ndodhur nëse ne do t’i ishim dedikuar njëri-tjetrit dhe nëse do të ekzistonte solidariteti.
Shpesh dëgjohet të flitet se këto ngjarje nxiten nga armët, të cilat janë “sheshit”. Por, nëse duam të themi të vërtetën, nuk është vetëm aksesi i lehtë tek armët e zjarrit që e bën statistikën e vrasjeve kaq të lartë në Shqipëri. Arma pa një dorë është një objekt i pavlerë. Ne kemi zgjedhur t’i mbajmë ato në shtëpitë tona dhe t’i ruajmë për një ditë… një Zot e di se për ç’ditë. Ne nuk zgjodhëm që t’i jepnim vendit tonë një ditë feste në të cilën të gjithë do të mblidheshin dhe do të hidhnin poshtë armët sikur po hidhnin të keqen nga vetja e tyre. Ato vazhdojnë të qëndrojnë të fshehura për të dhënë krismën e radhës, e cila do të na kujtojë se sa errësirë dhe sa ftohtë bën në botën sociale në Shqipëri.
Jemi mësuar tashmë të kritikojmë shtetin dhe gjithë instancat e tij për tmerrin që po përjetojnë shqiptarët, por, në fakt, faji është sërish i yni. Ne jemi ende në njërin cep të urës së varur, duke mallkuar të gjithë ata që na e bënë kalimin në anën tjetër të vështirë. Jemi ende atje dhe po presim që një forcë e mbinatyrshme të na bëjë “si Europa” (sa për të qeshur më bën kjo shprehje!). Nuk kuptojmë ende se Europa që ne duam të arrijmë, në fillim ka traditën, ka – ndoshta – tashmë në ADN-në e saj “dinjitetin e personit” ku ti respekton njeriun pranë teje dhe respekton opinionin e tij, vullnetin e tij të lirë. Ne duhet të kuptojmë se Europa nuk u bë në një ditë dhe, sigurisht, jo duke shtypur një buton.
Shtetet përbëhen nga njerëz dhe këta njerëz, të cilët mallkohen e kritikohen përditë, janë njerëz të dalë nga po ky vend, me po ato vlera si të gjithë, me po ato probleme si të gjithë. Ata janë ne. Ndaj, nëse duam që të nisim me të vërtetë të ndryshojmë, duhet të përmirësojmë në mënyrë të palodhur veten tonë, më pas vetvetiu do të përmirësohet shoqëria dhe, rrjedhimisht, edhe ata që do të udhëheqin këtë shoqëri do të duhet të jenë të denjë për të, ashtu si janë gjithmonë, të denjë për popullin që udhëheqin.
E kemi dëgjuar me qindra herë pyetjen, tashmë klishe, “kur do të bëhemi ne?”. Nuk më vjen asnjëherë mirë kur e dëgjoj, madje më duket si një autokritikë kolektive boshe, përsëri për të shpëtuar nga përgjegjësia për të bërë diçka. Por, nëse është me të vërtetë e nevojshme për t’i kthyer përgjigje kësaj shprehjeje, atëherë do të duhet të dalim përpara një pasqyre, të shohim veten në sy, të mendohemi mirë për të gjitha pengesat që ne vetë i krijojmë vendit tonë, të mendojmë për të gjitha shkeljet në kurriz të njerëzve të tjerë, të mendojmë për të gjitha mëkatet tona, edha to të cilat i kemi fshehur nga vetja, ku i dihet, ndoshta përgjigjja këtë radhë do të jetë ndryshe.











