Fabrika e Çimentos, tritol urës

Jun 11, 2011 | 11:05
Ura ku ndodhi shpërthimi i djeshëm në Fushë-Krujë

Një tjetër shpërthim eksplozivi tronditi qytetin e Fushë-Krujës dhe rrethinat e saj. Ngjarja tronditi banorët e zonës, të cilët janë përfshirë në panik nga seriali i njëpasnjëshëm i shpërthimeve.Burime të Policisë bënë të ditur se rreth orës 02:30 të mëngjesit të djeshëm, një urë që lidh fshatin Zalle dhe fabrikën e çimentos është dëmtuar si pasojë e vendosjes së një sasie lënde plasëse. Ngjarja vuri në alarm policinë, pasi tri ditë më parë, më 8 qershor, pesë shpërthime të tjera të fuqishme ndodhën në harkun e 30 minutave. Për pasojë u shkatërruan dy shtylla të tensionit të lartë 220 kilovolt, që furnizonin me energji fabrikën e çimentos. Policia gjeti në vendin e ngjarjes edhe një sasi tjetër eksplozivi, e vënë pranë një shtylle tjetër, e cila kishte mbetur e pashpërthyer. Edhe precedenti i djeshëm ka vënë në alarm policinë, por autorët e vendosjes së eksplozivit nuk janë identifikuar. “Tritoli është vendosur në lagjen e Taleve, në afërsi të shkollës Fshat – Fushë- Krujë. Bëhet fjalë për një rrugë dytësore, të cilën administrata e fabrikës së çimentos e kishte shfrytëzuar pas hedhjes në erë të Urës së Larushkut, disa ditë më parë”, bënë të ditur burime të Policisë. Mësohet se nga shpërthimi janë dëmtuar edhe banesat që ishin në afërsi te saj. Veli Kapllani, banorë i fshatit Zallë, u shpreh se jetojnë në panik. Sipas tij, në disa banesa të fshatit janë thyer xhamat, ndërsa janë çarë edhe muret e shtëpive nga forca e shpërthimit. “Është bërë për të ikur nga ky vend. Kemi që nga janari e deri më tani që nuk bëjmë gjumë të qetë nga shpërthimet. Është e patolerueshme që policia akoma nuk ka arritur të zbulojë autorët që vendosin eksplozivë. Janë akte që duhet të dënohen. Si guxojnë këta njerëz të vendosin nëpër ura apo shtylla elektrike eksplozivë, duke terrorizuar banorët dhe duke dëmtuar edhe banesat. Kur një gjë e tillë përsëritet, tregon paaftësi të policisë”, u shpreh Kapllani. Edhe banorët e tjerë bëjnë thirrje për identifikimin e kapjen e autorëve që po i terrorizon ata në banesat e tyre. “Kemi frikë të flemë, po na tremben dhe fëmijët”, u shpreh një tjetër banore e fshatit. Sipas saj, ata kishin qenë në gjumë kur ishin zgjuar të tmerruar nga shpërthimi. Tashmë, fabrika mund të lidhet me aksin nacional vetëm me një rruge hyrëse, që është nga fshati Borizan i Krujës. Dy ditë më parë, Ndërmarrja e Rruga Urave ka vendosur blloqe betoni në të dy anët e urës së vjetër nacionale që lidhë Fushë-Krujën me Mamurrasin, në afërsi të fshatit Luz, duke mos lejuar as kalimin në një anë, sikurse kishte ndodhur pas shpërthimit të saj. Burime të Policisë së Fushë- Krujës bënë të ditur se kanë mbërritur edhe specialistë të Antiterrorit dhe të Krimeve të Rënda, por ende nuk kanë mundur të zbardhin ngjarjen. Përveç dyshimeve të implikimit në ngjarje të pronarëve të tokës ku është ngritur fabrika, grupi i hetimit ka dyshime edhe për përfshirjen në ngjarjet e fundit të banorëve të zonës, të cilëve u është ndërprerë dëmshpërblimi për ndotjen. Një pistë tjetër që po hetohet, është edhe konkurrenca.

Fabrika vendos kamera vëzhgimi

Pas ngjarjeve të ndodhura në fabrikën e çimentos, drejtuesit e saj kanë vendosur kamera vëzhgimi disa kohë më parë. Kjo mesa duket ka detyruar autorët e vendosjes së eksplozivit që të tërhiqen nga fabrika dhe të kryejnë shpërthime në objekte të tjera që lidhen me të, si ura, shtyllat që e furnizojnë me energji elektrike etj. Ndërkohë, askush nga drejtuesit e fabrikës nuk pranon të prononcohet për situatën e krijuar dhe problemet që kanë.

 

FUSHE-KRUJE/ ROLAND NIKOLLI

© Panorama.al

Te lidhura