Ezel (Kenan Imirzalioglu) bën aksident automobilistik

Aug 19, 2012 | 16:17

Një nga aktorët më të suksesshëm të serialeve turke ka përjetuar një aksident të rëndë me makinë rrugëve të Stambollit. Kenan Imirzalioglu, duke u kthyer në shtëpinë e tij, ka humbur kontrollin mbi timonin e makinës, duke goditur kështu pengesat në rrugë. Gjatë këtij aksidenti ai ka pësuar gërvishtje të vogla, duke u dërguar kështu në spitalin më të afërt të Gazit e duke u mbajtur nën mbikëqyrjen e mjekëve gjatë natës së të enjtes. Ditën e djeshme ai ka lënë spiatalin, për të vijuar mjekimin shtëpiak. Siç bën të ditur e përditshmja turke ‘’Hürriyet”, Mustafa Imirzalioglu (73 vjeç) i ati i aktorit të njohur, me të dëgjuar se i biri ka pësuar aksident, ka ngritur në këmbë të gjithë spitalin duke krijuar panik deri në momentin kur e ka dëgjuar zërin e tij në telefon. I ati i aktorit të famshëm e ka gjetur të birin shtrirë në spital dhe me lëndime të lehta, teksa merrte ndihmën e parë. Gjithashtu mediat turke pohojnë se automjeti sportiv, i drejtuar nga Ezel, është rrokullisur dhe ka përfunduar në det. Gati në të gjitha të përditshmet turke ky ka qenë lajmi më i përfolur këto dy ditët e fundit…

Zeynep Beserler, femra që i qëndroi 5 vite në krah

I lindur në Ankara të Turqisë (1974), Kenan Imirzalioglu shkollën e lartë e kreu në vendlindje, ndërsa studimet në degën e Matematikës i vazhdoi në Stamboll. Në vitin 1995 fillon karrierën e modelimit ndërsa pas insistimit të madh të miqve të tij ai merr pjesë në ‘’Top Model of the World’’, ku fiton vendin e parë. Pas katër viteve, ai fillon punën intensive në serialin ‘’Deli Yurek’’, ndërsa në vitin 2003 në serialin ‘’Alacakaranlik’’. Një tjetër debutim i tij ishte në ‘’Yazi Tura’’, një prodhim nga producenti Ugur Atilla Yucel, një rol kryesor së bashku me Olgun Shimshek. Edhe pse të ardhurat në këtë serial nuk ishin aq të larta, filmi mori shumë çmime pas performancës së shkëlqyeshme të aktorëve. Debutimi i tij i radhës ishte në serialin ‘’Gilgameshit’’, një prodhim në gjuhën frenge dhe angleze, por ky projekt nuk është materializuar kurrë. Në vitin 2006 Kenan Imirzalioglu debutoi edhe në filmin ‘’Osmanli Yandim Ali’’, prodhim nga producenti Mustafa Sevgi, ndërsa një vit më pas seriali i cili bëri bujë të madhe ‘’Aci Hayat’’. Një nga filmat më të fundit është ‘’Kabadayi’’, ku luan krah aktorit të madh turk, Sen Sener. Kenan Imirzalioglu (36 vjeçar) është një nga meshkujt më të popullarizuar dhe më seksi në gjithë Turqinë. Edhe pse ka fituar famë të madhe duke luajtur nëpër seriale, bota e tij nuk ka ndryshuar shumë. Brenda tij mbetet shpirti i një djali të ardhur nga fshati për të studiuar në Stamboll e për të siguruar një të ardhme më të mirë. Kenan (Ezel) akoma kujton fëmijërinë e tij duke luajtur në fermën e fshatit mes bagëtive që kullosnin nëpër livadhe, krenohet me ditët e tij si rebel, si dhe modelimin dhe përvojën e madhe mes pasurisë dhe famës. Megjithëse shumë femra e ndjekin nga pas, ai ngelet ‘’single’’ pas divorcit që pati me aktoren Zeynep Beserler, lidhje kjo e cila zgjati pesë vite, ku mendonte se kishte gjetur një shpirt të afërt. Edhe pse mendoi se me të mund të krijojë një familje, si duket ëndërra nuk u bë realitet.

Kenan: Akoma pres femrën e vërtetë

Rreth një muaj më parë, Ezel dha një intervistë për revistën kroate “Gloria”. Një pjesë të saj që flet për martesën, po e botojmë më poshtë.

Gjithë kjo eufori që krijohet pas teje nga femrat që ju ndjekin nga pas, mund ta imagjinoni veten të martuar me një unazë në dorë dhe fëmijë nga pas?

Po sigurisht, unë i dua shumë fëmijët, aktualisht shqetësimi im i vetëm është se çfarë të bëj me nënën e tyre, unë ende nuk e kam gjetur gruan time të vërtetë, tipin që do më përshtatet, e jo atë femër me të cilën pas një aventure do të ‘’lindte’’ një fryt i ri.

A jua kujton mamaja juaj se ndoshta është koha për martesë?

Më shumë nëna, por edhe babai, ata nuk e kuptojnë sa e vështirë është martesa e një aktori shumë të famshëm i cili nuk ka shumë kohë për jetën private pas gjithë këtyre angazhimeve, gjë që nuk është e lehtë, por akoma duan nipër dhe mbesa..

E keni spikatur ju llojin e femrës me të cilën do të ishit lidhur dhe krijuar familje?

Nëse do të ishte kërkuar, kjo gjë nga unë para 15 viteve sigurisht që do ju përgjigjesha. Sot nuk mund të them se dua këtë apo atë lloj femre. Karakteri i tyre është i reflektuar në fytyrë, unë jam duke kërkuar shumë, ndaj nuk mund të gjej atë adekuaten! Mendoni se kërkoj shumë?

 

© Panorama.al

Te lidhura