Eurozonë, rritet papunësia dhe inflacioni, Spanja e Greqia të parat

Sep 1, 2012 | 12:07

Papunësia në eurozonë ka arritur një rekord të ri në korrik, ndërsa inflacioni është rritur më shumë nga sa ishte menduar. Sipas ekspertëve, kjo përzierje do ta bëjë më të vështirë për politikëbërësit që të ndërmarrin hapa vendimtarë për rifitimin e besimit në tregje, ndërkohë që grupi i euros është goditur prej disa vitesh nga kriza e borxhit të brendshëm. Janë regjistruar 18 milionë njerëz pa punë në eurozonë gjatë muajit korrik, shifra më e lartë që nga lançimi i monedhës së përbashkët europiane, në vitin 1999. Shkalla e papunësisë ka arritur në 11.3 për qind, sipas Eurostat, zyra e statistikave në BE. Papunësia për të rinjtë nën 25 vjeç është 22.6 për qind. Sipas të dhënave, Spanja kryeson statistikat për numrin e të papunëve, me 25.1 për qind. Ajo pasohet nga Greqia, 23.1 për qind të papunë. Ndërsa vendet që kanë më pak të papunë mbeten Austria me 4.5 për qind, Holanda me 5.3 për qind dhe Gjermania e Luksemburgu me nga 5.5 për qind të popullsisë së papunë. Rritja e papunësisë nga muaji në muaj nuk është lajmi i vetëm i keq për eurozonën. Zyra e statistikave ka regjistruar edhe një rritje të inflacionit me 2.6 për qind në gusht, krahasuar me 2.4 për qind në korrik. Rritja e çmimeve për konsumatorët mund të ndikojë keq në përpjekjet e Bankës Qendrore Europiane për të shkurtuar normat e interesit në takimin e saj të ardhshëm për politikat monetare. Presidenti i BQE-së, Mario Dragi, pritet të njoftojë kushtet e një programi të blerjes së bonove që ka si synim uljen e kostos së blerjeve për vendet periferike në “luftë” ekonomike.

© Panorama.al

Te lidhura