Europa mban frymën, 741 mln euro në Mynih

May 19, 2012 | 12:53

Liga e Kampioneve/ Bajern-Çelsi kurorëzon mbretëreshën.

Askush përveç Bosnigvës nuk e ka fituar Champions.

Ka ardhur koha që një brez lojtarësh të quhet i artë. Sepse sot për herë të parë, yje si Drogba, Terri, Lampard, Kol, Çeh, Lahm, Shvajnshtaiger, Roben, apo Riberi kanë shansin të ngrenë trofeun e Champions-it për herë të parë në karrierën e tyre. Ka ardhur momenti të luhet finalja e shumëpritur e Ligës së Kampioneve, Bajern-Çelsi. 22 futbollistë për vite në majat e Europës, por që nuk shijojnë ende një titull të madh ndërkombëtar. Askush nga titullarët e finales së “Alianc-Arenë”-s nuk e ka ngritur kupën me veshë, me përjashtim të Hoze Bosingvës në vitin 2004, atëherë kur Portoja e Zhoze Murinjos bënte surprizën e madhe, duke u shpallur kampione. Tingëllon e çuditshme kur flitet për një duel kampionësh, edhe pse asnjëri prej tyre nuk e ka ngritur kupën më të rëndësishme të kontinentit. Në fushë sot pritet të zbresin 741 milionë euro (50 lojtarët e të dyja klubeve). Dhe pavarësisht milionave të shpenzuara nga Roman Abramoviç që prej vitit 2004, diferencat mes 4 herë kampionëve të Europës dhe bluve të Londrës nuk janë të mëdha. Kështu, 25 lojtarët e Roberto Di Mateos, nëse do të shiteshin sot, bosit rus do t’i ktheheshin mbrapsht 381 milionë euro nga shpenzimi prej 1.1 miliardë eurosh në këto 8 vite. Por yjet e rekordmenëve gjermanë nuk mbeten më pas. Ata kushtojnë vetëm 21 milionë euro më pak (360 milionë euro në total). Sipas “transfermarkt.de”, lojtarët më të shtrenjtë të Bajernit janë Frenk Riberi dhe Mari Gomez. Kartoni i fantazistit francez dhe bomberit gjerman deri më 18 maj, (24 orë përpara finales) kushtonte 42 milionë euro. Ndërkohë që lojtari më i lirë nga 11-shja titullare e Jup Hejnkesit është Kontento (2 milionë euro), me shumë gjasa titullar sot në vend të Alabës së pezulluar në krahun e majtë të mbrojtjes. Si për ironi të fatit, nga skuadra londineze vlen më shumë kartoni i Fernando Torresit, edhe pse nuk ka shkëlqyer në “Stamford Bridge”. Por nëse për ta blerë nga Liverpuli janarin e dy viteve më parë, Çelsit iu deshën 58 milionë euro, sot këmbët e “El Ninjos” vlejnë 35 milionë euro. Nga ana tjetër, pikërisht lojtari i vetëm që ka fituar Champions-in, Hoze Bosingva, është edhe lojtari më i lirë i titullarëve anglezë (6.5 milionë euro). Po t’i hedhim një sy më të detajuar shifrave, rezulton se 26.2 vjeç është mosha mesatare e skuadrës së Bajernit dhe 27.7 ajo e Çelsit. Nëse të zotët e shtëpisë kanë 14 lojtarë gjermanë në skuadër, Çelsi ka vetëm 5 të tillë. Çelsi eliminoi Napolin dhe Barcelonën për të ardhur në Mynih, teksa Bajerni pengesën më të vështirë kishte rivalët e katalanasve, Realin e Madridit. E nëse ishte pikërisht një “El Clasico” ajo që specialistët prisnin të zbrisnin sot në fushë, kjo nuk ndodhi kurrë. Për Didier Drogbanë, pas 8 vitesh në Londër, (156 gola në 337 ndeshje zyrtare) me shumë gjasa do të jetë ndeshja e fundit me fanellën blu. Mund të jetë një festë lamtumire edhe për Roberto Di Mateon, sepse Abramoviç kushedi përse do të zgjedhë trajnerin e nëntë të tij në fund të sezonit.

Shvajni: Trofeu mbetet në Mynih
Bastian Shvajnshtaiger ka shansin e madh të ngrejë trofeun e parë ndërkombëtar në karrierë. Gjatë konferencës për shtyp, “tigri” shpalos recetën e tij anti-Çelsi. “E gjithë Europa i ka sytë te kjo finale dhe për çdo lojtar kjo ndeshje është më e rëndësishmja në karrierë. Edhe pse na mungojnë tre lojtarë, besoj se trajneri Hejnkes ka bërë zgjedhjet e duhura për të bërë diferencën. Luajmë në shtëpi dhe nuk do lejojmë askënd të na ‘pushtojë’ në Mynih”.

Lahm: Besoj verbërisht te triumfi
Për kapitenin Filip Lahm, finalja e nëntë në Champions e Bajernit të Mynihut ka një rëndësi tepër të veçantë për karrierën e tij. Mbrojtësi gjerman nuk ka fituar ende asnjë titull ndërkombëtar si me bavarezët, ashtu edhe me Kombëtaren gjermane. “Fakti që luajmë në shtëpi dhe humbën në 2010 do jenë dy simuluesit tanë që do na çojnë drejt suksesit. Megjithatë, askush nuk ka ardhur spontanisht në finale dhe Çelsi është një nga ekipet më të rrezikshme”.

Hejnkes: Dua fitore, larg penalltive
Trajneri i Bajernit, Jup Hejnkes, e di shumë mirë se si do luajë përballë bluve të Londrës. 67-vjeçari është njohës shumë i mirë i Ligës së Kampioneve, pasi në vitin 1998 triumfoi me Realin e Madridit. Gjatë konferencës për shtyp, tekniku i Bajernit i thur elozhe bluve të Londrës, duke ironizuar edhe Drogbanë për aktrimet e tij. “Kemi analizuar gjithçka për këtë ndeshje. I kam mësuar lëvizjet e ndryshme të anglezëve dhe për këtë besoj se kam marr masat e duhura. Kujdesi ynë do jetë maksimal, ashtu si ndaj Realit. Nuk mund të them se jemi favorit, pasi shanset janë 50 me 50. Drogba është një sulmues i rrezikshëm, që aktron shumë dhe provokon. Megjithatë, Çelsi nuk është vetëm një Drogba”.

Di Mateo: Do jetë ruletë ruse, fitojmë
Për Roberto Di Mateon sot është mbrëmja që vetëm pak muaj më parë as do kishte guxuar ta imagjinonte. Në fjalët e teknikut italian ka optimizëm. “Kemi cilësitë për ta fituar kupën. Të gjithë lojtarët e mi e dinë këtë gjë dhe unë kam shumë besim. Shanset do jenë 50-50. Do jetë një ruletë ruse. E ardhmja? Nuk janë vendime që më takojnë mua, por klubit. Unë nuk do të shkoj të flas kurrë për diçka të tillë me Abramoviçin”, shtoi ish-asistenti i Andre Vilas Boasit. “Duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe të shfrytëzojmë eksperiencën e gardës së vjetër. Bajerni luan në shtëpi. Unë e kam thënë dhe e përsëris: kjo nuk i bën ata aspak favoritë. Ne do të luajmë shanset tona”.

© Panorama.al

Te lidhura