Eurogrupi, arrihet marrëveshja për Greqinë

Feb 21, 2012 | 9:19

Ministrat e Financave të eurozonës arritën pas 12 orësh negociatash, në marrëveshje për paketën e dytë të mbështetjes ndaj Greqisë.

“Eurogrupi mirëpret marrëveshjen që u arrit me qeverinë greke lidhur me paketën e politikave që përbëjnë bazën për programin e dytë”, nënvizohet në komunikatën zyrtare të eurozonës.

Sipas vendimit, paketa e re e shpëtimit të Greqisë arrin në 130 miliardë euro dhe parashikohet reduktimi i borxhit grek në masën 53,5% të vlerës nominative të bondeve greke, kështu që borxhi të bëhet i qëndrueshëm në vlerën 120,5% të PPB në vitin 2020.

Ministrat e Financave përshëndetën miratimin e paketës prej 325 milionë eurosh me qëllim që të mbyllet boshllëku financiar i 2012-s, dhe dhënien e garancive nga liderët e dy partive që marrin pjesë në qeverinë e bashkëpunimit lidhur me zbatimin e programit edhe pas zgjedhjeve.

Sipas vendimit, programi i ri ofron garanci tërësore për t’u vënë financat publike dhe në përgjithësi ekonomia greke në një rrugë qëndrueshmërie, me qëllim që të garantohet stabiliteti ekonomik në Greqi dhe në gjithë eurozonën.

Në komunikatë theksohet gjithashtu se Eurogrupi ka vetëdije të plotë për përpjekjet e rëndësishme që kanë bërë qytetarët grekë dhe nënvizohet se kërkohen më tepër përpjekje nga shoqëria greke për t’u kthyer ekonomia në një rrugë qëndrueshmërie.

Eurogrupi insistoi në përforcimin e aftësive administruese rtë Greqisë dhe në këtë kuadër ftoi Komisionin Europian që mbështesë në mënyrë të konsiderueshme Task Force-n për Greqinë, kryesisht përmes pranisë së përforcuar e të përhershme në Greqi për një korrdinim më të mirë të asistencës teknike. Shtetet anëtare deklarohen të gatshme për të ofruar ekspertë të cilët do t’i bashkohen Task Force-s.

Eurogrupi gjithashtu përshendeti gjithashtu gatishmërinë e autoriteteve greke për të përfshirë në legjislacionin vendas një dispozitë që do të garantojë prioritetin e shërbimit të borxhit publik. Kjo dispozitë do të përfshihet në kushtetutën greke sa më shpejt që të jetë e mundur, theksohet në komunikatën e Eurogrupit. (Amna)

© Panorama.al

Te lidhura