
Italia mund të prekë fondin e ndihmës së eurozonës për të lehtësuar kosto e borxheve të saj, Spanja fitoi një hua prej 100 miliardë eurosh, ndërsa Greqia nuk mori dhe as kërkoi asgjë në takimin e eurozonës. Besohej se fokusi në këtë takim do të ishte Greqia dhe kushtet që do të ofronte ajo në këmbim të reduktimit të vrullit të reformave të dhimbshme në vend, por pasi ministri grek i Financave, Sturnaras, takoi kreun e Eurogrupit, Zhan-Klod Xhunker dhe homologun francez, Pierre Moskovisi, ai nuk paraqiti asnjë kërkesë. Gjatë mbledhjes së Eurogrupit janë diskutuar rezultatet paraprake të auditorëve të vizitës së Trojkës në Athinë. Ministrat e Financave të bllokut kanë premtuar t’i rikthehen shqyrtimit të çështjes greke, pasi treshja e përfaqësuesve të kreditorëve të mëdhenj të përfundojë vlerësimin dhe raportin përfundimtar mbi ecurinë e zbatimit të programit grek. Hë për hë nuk do të ndodhë asnjë lëvizje e re. Kreu i Eurogrup, Zhan-Klod Xhunker, pas takimit që zgjati rreth 10 orë, konfirmoi se pala greke nuk ka bërë asnjë kërkesë për shtyrje afati. “Ministri grek i Financave nuk ka paraqitur ndonjë kërkesë formale në Eurogrup për një zgjatje kohore për reduktimin e deficitit buxhetor prej 3 për qind. Unë e imagjinoj se ka kërkesa të tilla nga pala greke”, tha Xhunker, ai shtoi se ministri Janis Sturanaras ka garantuar homologët e tij europianë se Greqia do ta risjellë programin e përshtatjes në kursin e duhur. Xhunker pohoi se diskutimet për zgjatjen e kohës së reduktimit të deficitit financiar grek në 3 për qind do të bëhen jo më vonë se muaji shtator. Ndërsa urgjenca e grekëve për të marrë këstin e huas deri më 20 gusht nuk u konsiderua shqetësuese nga Xhunker. Sipas tij, “Eurogrup do të gjejë një zgjidhje”. Ndërkohë në takim anëtarët e grupit të euros vendosën t’i japin një ndihmë të shpejtë Spanjës, prej 30 miliardë eurosh deri në fund të korrikut. Këto para parashikohet ta ndihmojnë këtë vend duke i dhënë kohë deri në 2014-n për të reduktuar deficitin e saj buxhetor në 3 për qind të GDP-së, por edhe për të forcuar financimet në sistemin bankat spanjoll. Ndërsa kushtet e paketës së ndihmës prej 100 miliardë eurosh, do të miratohen në takimin e jashtëzakonshëm të Eurogrupit, më 20 korrik. Ndërkohë Italia ka dhënë sinjale se mund të prekë fondin e shpëtimit. Kryeministri italian, Mario Monti, i cili është në presionin e madh të tregjeve për të forcuar ekonominë e vendit të tij dhe të evitojë rënien e Italisë në qendër të krizës së borxhit, tha se Italia mund të jetë e interesuar të prekë fondin e shpëtimit të eurozonës për mbështetjen e bonove.
Deklarata e Sturnaras
“Qeveria duhet të fillojë zbatimin e masave ekuivalente me përftimin e 3 miliardë eurove në javët e ardhshme”, tha ministri grek i Financave, Janis Sturnaras, në Bruksel. Ai theksoi se ministrat e Financave të eurozonës ishin të ngurtë në kërkesën për zbatimin e masave, për të cilat është e angazhuar Greqia. Sturnaras tha se Greqia duhet të kthejë në rrugin e duhur programin rregullues brenda këtij viti, e më pas të fillojë debatin mbi ndryshimet e mundshme në objektivat fiskale.











