Faqja zyrtare e kalkulimeve të vlerës së futbollistëve, “transfermarkt.de”, ka bërë riklasifikimin e 368 futbollistëve të grumbulluar me 16 kombëtaret finaliste të “Poloni dhe Ukrainë 2012”, duke nxjerrë lojtarët që iu rrit vlera pas turneut dhe atyre që çmimi i kartonit u pësoi rënie. Lojtari që ka bërë kapërcimin më të madh është fantazisti i Rusisë, Alan Dzagoev. Mesfushori i talentuar i CSKAsë së Moskës, përpara datës 8 qershor kushtonte vetëm 16 milionë euro, ndërsa sot klubet që dëshirojnë transferimin e yllit të ardhshëm të Rusisë duhet të paguajnë në arkat e klubit moskovit plot 9 milionë euro më shumë (25 milionë euro). Në top-20- shen e klasifikimit ndodhen shtatë yje të Bundesligës gjermane, por edhe shumë lojtarë të kampiones së Italisë, Juventusit. Nga ky klasifikim përjashtohen 23 kampionët e Evropës, pasi vlera e futbollistëve të Spanjës do të llogaritet me të tjerë koeficientë. Kështu, humbësit më të mëdhenj janë dyshja holandeze Uesli Shnajder dhe Arjen Roben. Mesfushorit të Interit dhe Bajernit të Mynihut u ka rënë vlera e kartonit me të paktën 4 milionë euro pas eliminimit të një pretendeteje si Holanda që në fazën e grupeve. Sot kushtojnë ata nga 28 milionë euro secili. Në gusht të 2010- ës kartoni i Shnajderit vlente 45 milionë euro, ndërsa në qershor të 2011-ës pësoi një rënie prej 17 milionë eurosh.











