Shefi i EULEX-it Xavier de Marnhac ka deklaruar se misioni që drejton i ka shtuar patrullat policore në veri si dhe ka filluar hetimet për djegien e portës në Jarinje, për vrasjen e një pjesëtari të Policisë së Kosovës dhe për veprat e tjera penale të dy javëve të kaluara.
“Ne jemi duke punuar bashkë me KFOR-in për t’i ulur tensionet dhe për gjetjen e zgjidhjes. Ky është prioriteti për EULEX-in. Dhuna është e papranueshme dhe ne po punojmë që kryerësit t’i sjellim para drejtësisë”, tha De Marnhac gjatë vizitës së shefit të diplomacisë gjermane në pikën kufitare në Jarinje në veri të Kosovës, thuhet në komunikatën e EULEX-it. (Koha Ditore)











