Prokurorët e misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX, thonë se në procesin kundër shtatë personave të akuzuar për trafikim të organeve në rastin e njohur Medikus, kanë kërkuar ndihmë nga disa vende për identifikimin e viktimave.
“Ne kemi disa kërkesa për ndihmë juridike për shumë vende, përfshirë ato më të rëndësishmet, Federata Ruse, Izraeli, Ukraina dhe Turqia, për t’i identifikuar dhe lokalizuar viktimat e donatorëve si çështje urgjente”, i tha agjencisë AFP, prokurori special i BE-së, Xhonatan Ratel.
Në rastin Medikus janë të akuzuar shtatë persona për trafikim të organeve dhe se ishin pjesë e unazës së krimit të organizuar.
Ndër të akuzuarit gjenden edhe ish sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së shëndetësisë së Kosovës, Ilir Rrecaj, urologu i njohur prishtinas, Lutfi Dervishi, pastaj mjeku turk, Jusuf Sonmez, dhe shtetasi izraelit, Moshe Harel.
Sipas aktakuzës, viktimat ishin rekrutuar nga vendet e varfëra të Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore.
Atyre u ishte premtuar shuma prej 15 mijë eurosh për organe, ndërsa ata që i pranonin këto organe paguanin edhe nga 100 mijë euro secili.
Aktakuza thotë se afro 20 viktimave, që janë identifikuar deri tash, nuk u janë paguar shumat e premtuara, megjithëse organet u ishin marrë.
Prokurori Xhonatan Ratel thotë se po punohet edhe me Shtetet e Bashkuara, Kanadanë, Gjermaninë dhe Britaninë, për të gjetur më tepër viktima.
“Ne po punojmë në mënyrë intensive me të gjitha këto vende dhe përdorim çdo gjë që kemi, për t’i lokalizuar, identifikuar dhe për t’i pasur këto viktima si dëshmitarë”, tha Ratel.
© Panorama.al











