Policia Ekzekutive e EULEX-it (Njësia e Hetimeve Financiare) ka kryer bastisje në Zyrën e Kadastrës Komunale (ZKK) në komunën e Graçanicës, duke përfshirë edhe zyrat e shefit dhe drejtorit të ZKK.
“Bastisjet janë kryer në kontekst të një hetimi për keqpërdorimin e pozitës zyrtare lidhur me regjistrat e rrejshëm të privatizimit të ish ndërmarrjeve shoqërore (NSH). Bastisjet ishin autorizuar nga një Gjykatës i EULEX-it për Procedurë Paraprake në Prizren. Policia është duke intervistuar katër persona nga ZKK”, thuhet në një njoftim të EULEX-it.
Një Prokuror Special i EULEX-it ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes në ZKK me qëllim të mbikëqyrjes dhe sigurimit të mbledhjes efektive të provave materiale dhe sigurimin e një shpjegimi të plotë dhe të duhur për personat e pranishëm në vendin e ngjarjes.
Hetimi është nën mbikëqyrjen e dy prokurorëve të EULEX-it nga Prokuroria Speciale (PSRK).
© Panorama.al











