EULEX, akuzë kreut të PTK-së dhe 4 zyrtarëve

Jun 9, 2011 | 9:38

PRISHTINE- Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj kryeshefit ekzekutiv të Postës dhe Telekomit të Kosovës, Shyqri Haxha dhe katër personave të tjerë.

Krahas tij, të akuzuarit e tjerë janë, Rexhë Gjonbalaj Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të PTK-së, Ismet Bojku përfaqësues ligjor i Dardafon dhe Dardafon.net, dhe Shkelqim Devolli e Blerim Devolli, pronarë të kompanive private që i përkasin DEVOLLI GROUP.

Aktakuza  kundër pesë të pandehurve është ngritur në kontekstin e një hetimi në lidhje me marrëveshjen për Operatorin e Rrjetit Mobil Virtual  në mes të PTK-së dhe Dardafon dhe transferimin e mëvonshëm të licencës për Dardafon.net në vitin 2008 dhe 2009.

Akuzat kundër Shyqyri Haxha dhe Rexhë Gjonbalaj janë Lidhja e Kontratave të Dëmshme, Shpërdorimi i Pozitës Zyrtare dhe Keqperdorim i Autorizimeve në Ekonomi.

Akuzat kundër Blerim Devollit, Shkelqim Devollit dhe Ismet Bojku janë: Mashtrim, Lidhja e Kontratave të Dëmshme, Keqpërdorim i Besimit, Falsifikimi i Dokumenteve, Rastet e Posaçme të Falsifikimit të Dokumenteve, dhe Krim të Organizuar.

Posta dhe Telekomi i Kosovës kohë më parë ka qenë shkak i bastisjeve të mëdha nga EULEX-i, nga ku ishin marrë shumë dokumentacione. (koha ditore)

© Panorama.al

Te lidhura