Etogo, një ish-lojtar i Interit vjen te Tirana

Jul 6, 2011 | 9:30
Refik Halili me disa nga lojtarët e Tiranës

Njëzet e katër herë kampionët e Shqipërisë kanë arritur të gjejnë akordin dhe të sjellin në kryeqytet edhe dy lojtarë të tjerë, që kanë dalë nga skuadra të Serisë A në kampionatin italian.Presidenti Refik Halili ka realizuar afrimin e sulmuesit 23-vjeçar Etogo Esama, i cili ka lindur në Kamerun, por është rritur në ekipet zinxhir të skuadrës së Interit. Po ashtu Tirana ka siguruar shërbimet e mbrojtësit të majtë, Manel Vengori, i cili është rritur tek të rinjtë e Leçes, madje është zbuluar si lojtar nga ish-trajneri i Palermos në sezonin e fundit në Itali, Delio Rosi. Veç këtyre është siguruar përfundimisht ardhja te skuadra bardheblu e mesfushorit nga Bahamas, Kamerun Heple. Që të tre lojtarët shihen si një vlerë e shtuar e skuadrës bardheblu jo vetëm për ndeshjet e Kupave të Europës, por edhe për sezonin e ri futbollistik.
Etogo Esama – Ka lindur në Nkolmba të Kamerunit. Që në moshë të vogël është larguar së bashku me familjen drejt Italisë. 23 – vjeçari ka filluar karrierën e tij te ekipet zinxhir të Interit dhe në verën e 2009-s u aktivizua për herë të parë te skuadra modeste e Sestese Calcio në zonën e Toskanës. Më pas, në merkaton e verës 2010 , futbollisti nënshkroi për herë të parë një kontratë profesioniste me skuadrën hungareze të Debrecenit. Drejtuesit e këtij klubit, për t’i bërë të mundur një aktivizim të rregullt, e dhanë në huazim te Bocs KSC, po në Hungari, skuadër kjo e divizionit të dytë. Ndërsa vetëm para dy ditësh lojtari pranoi ofertën e bërë nga Tirana dhe prej sot do të jetë në dispozicion të trajnerit spanjoll Hulian Rubio. Etogo shquhet për lojën në ajër (një “pykë” e vërtetë) dhe me gjasa do të jetë një gjetje interesante si për Tiranën dhe për Kategorinë Superiore.
Manuel Vergori – 25-vjeçari vjen nga një karrierë e gjatë nga disa skuadra diletantësh në Itali, por duhet thënë se ai ka dalë nga shkolla leçeze e futbollit. Luan si mbrojtës i majtë, por parapëlqen shumë daljet në sulm duke shënuar shumë gola gjatë këtyre viteve. Në dy vitet e fundit ai ka luajtur edhe në kampionatin vietnamez te skuadra e Kan Tho FC, para se të kthehej në Itali te Frankavila. Lojtari ka mbërritur dje në Tiranë dhe është nisur pasdite drejt Ohrit për të qenë në dispozicion të trajnerit spanjoll. Me këtë blerje, te Tirana duket se kanë gjetur edhe zëvendësuesin e serbit, Ivan Gvozdenoviç, duke sistemuar njëherë e mirë edhe krahun e majtë të mbrojtjes.
Kamerun Heple – Është më shumë një konfirmim, sesa një blerje e re e Tiranës. Heple në fakt ka rënë dakord që të veshë fanellën bardheblu që ditë më parë, por nuk ka shkelur ende në tokën shqiptare, për shkak të impenjimeve me Kombëtaren e Bahamas. Kjo e fundit merr pjesë në kualifikimet për Botërorin 2014 për zonën e Amerikës. Sipas formulës, 10 kombëtaret më të dobëta të këtij kontinenti luajnë nga dy ndeshje (vajtje-ardhje) dhe më pas 5 ekipet që kualifikohen u bashkëngjiten përfaqësueseve të tjera në shortin për kualifikimet në këtë zonë. Para katër ditësh, më 2 korrik, Bahamas fitoi bindshëm 4-0 në fushën e Ishujve Turks & Kajkos, ku një gol e shënoi pikërisht Heple. Takimi i kthimit do të luhet më 9 korrik dhe direkt pas kësaj ndeshjeje futbollisti do të niset drejt Shqipërisë. Madje te Tirana kanë prenotuar edhe biletën e mesfushorit, i cili shihet si një nga blerjet më të mira të klubit bardheblu në vitet e fundit.

 

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura