Samuel Eto mund të quhet lojtari më i ri i Anzhit. Edhe pse nuk është ende zyrtare, janë faktet ato që nuk lënë hapësirë për komente të mëtejshme.Në fakt, ditën e djeshme kamerunasi ka bërë një vizitë të shkurtër në “Appiano Gentile”, duke i dhënë lamtumirën Interit, por pa u përshëndetur me gati 2500 tifozët që gjendeshin në qendrën stërvitore zikaltër pikërisht për lojtarin. Bomberi afrikan ka qëndruar vetëm 30 minuta në “Pinettina” dhe, pasi ka rënë dakord me trajnerin Gasperini, ka preferuar që të mos merrte pjesë në seancën stërvitore. Pasi ka takuar tashmë ish-shokët e tij të skuadrës dhe stafin teknik të zikaltërve, është larguar me Ferrarin e tij drejt Romës, ku ditën e sotme do t’u nënshtrohet vizitave mjekësore për Anzhin, në klinikën “Villa Stuart”. Me fjalë të tjera, duket se mungon vetëm zyrtarizimi i largimit të sulmuesit të Interit drejt Rusisë, edhe pse vetëm ditën e sotme përfaqësuesit e klubit të Anzhit do të takohen në Milano me drejtuesit e klubit milanez për të mbyllur tratativën. Në qendrën stërvitore të Interit kanë qenë prezent gati 2500 tifozë, të cilët nuk e kanë pritur mirë largimin e Etosë pa i përshëndetur.
Shifrat – Kamerunasi sapo të firmosë kontratën me rusët, do të shndërrohet në lojtarin më të paguar të historisë së futbollit. Por edhe Interi do të përfitojë një shifër marramendëse. Janë plot 85 milionë euro që zikaltrit do të kenë në arkat e tyre pas largimit të bomberit afrikan. Eto tek nënkampionët e Italisë përfitonte 10 milionë euro në sezon, por bruto klubi i Masimo Moratit paguan përafërsisht 20, të cilat për 3 vitet e ardhshme (kohë kur skadonte edhe kontrata e lojtarit) do të shkonin në 60 milionë. Kjo shifër, plus 25 milionë euro kesh që do të përfitojë nga Anzhi për kartonin e tij, shkon në 85 milionë.
Tevez – Meqenëse mungon vetëm zyrtarizimi i largimit të Samuel Etosë, Interi është hedhur në sulm për zëvendësuesin perfekt, që nuk është as më pak e as më shumë se Karlo Tevez. Kia Jorabkian, menaxheri i sulmuesit argjentinas, pritet të zbarkojë këto ditë në Milano, për të parë nëse ekzistojnë me të vërtetë bazat për të kënaqur vullnetin e “Apashit”, i cili ëndërron të veshë fanellën zikaltër. Problemi nuk është pagesa që do përfitojë futbollisti, sepse një paramarrëveshje me zikaltrit është arritur, por është shifra e kërkuar nga Mançester Siti që nuk dëshiron ta huazojë dhe as ta shesë përfundimisht, pa të paktën 40 milionë euro. Gjithsesi, janë të shumta të dhënat që të bëjnë të mendosh se transferimi i Tevezit në klubin zikaltër do realizohet shumë shpejt.
Alarm te Milan, dëmtohet Ibra
Zlatan Ibrahimoviç është dëmtuar sërish në kaviljen e majtë, në të njëjtin vend që e detyroi të rrinte një muaj larg fushës në muajin maj. Sulmuesi mori një goditje në sfidën ndaj suedezëve të Malmos, në trofeun “Champions Game”, të fituar nga italianët. Alegri ka vendosur t’i japë suedezit dy ditë pushim, ndërsa stafi mjekësor do t’i bëjë një kontroll të detajuar. Megjithatë, te kuqezinjtë vërehet shqetësim. Kjo, pasi të gjithë nuk duan që të ketë problem për një lojtar, i cili e bëri të suksesshëm Milanin në këtë para-sezon. Për më tepër që lojtari së fundmi është dukur tepër i karikuar. Vetë futbollisti u duk i mërzitur pas ndeshjes, ndërsa tregoi episodin ku ai u dëmtua.











