Etika, FSHF-ja pranon trukimin e ndeshjeve

Jun 1, 2012 | 14:00
Foto ilustruese

Federata Shqiptare e Futbollit pranon zyrtarisht për të parën herë fenomenin e trukimit (në rastin konkret, tolerimit) të një nde-shjeje futbolli. Edhe pse duhet theksuar me të madhe se vendimi i marrë dje nga Komisioni i Etikës në FSHF është realisht për t’u përgëzuar, nuk duhet harruar fakti se në asnjë rast deri tani, pavarësisht se ka pasuar fakte me bollëk, institucioni i futbollit shqiptar nuk ka pranuar se në kampionatin tonë ka trukim, paracaktim apo tolerim të ndeshjeve. Sakaq, u deshën “estradat” e javës së fundit (dhe jo se nuk ka pasur edhe më parë), në Fier, Shkodër, Burrel dhe Gjirokastër, që Etika t’i përvishej punës dhe të konstatonte se në këto katër stadiume, golat e shënuar kanë qenë totalisht fiktivë, ndaj edhe “goleadorëve fitimtarë” u hiqet çmimi i golashënuesit më të mirë për këtë sezon. Komisioni i Etikës së FSHF-së është mbledhur dje, datë 31 maj 2012, dhe pasi u njoh me materialin e paraqitur nga sekretariati teknik dhe diskutoi çështjet e paraqitura për shqyrtim, vendosi që ta linte në fuqi vendimin e para një jave ku ky komision vetëm e pezullonte dhënien e çmimit “Këpuca e Artë”, ndërsa dje Etika e ka zyrtarizuar me një vendim të formës së prerë mosdhënien e këtij çmimi. “Etika vendosi që për sezonin futbollistik 2011-2012 të mos e akordojë çmimin ‘Këpuca e Artë’ për golashënuesit e Kategorisë Superiore dhe Kategorisë së Parë. Ky vendim është marrë sepse në vlerësimin e Komisionit të Etikës së FSHF-së, në javët e fundit janë vërejtur tolerime për efekt  klasifikimi të golashënuesve për kategoritë respektive”, – thuhet në vendimin dërguar mediave. Siç edhe vërehet, në vendimin e vet Etika përdor fjalën “tolerim”, fenomen ky i dënueshëm edhe nëse verifikohet se për ndeshjen në fjalë klubet ose protagonistët nuk kanë përfituar financiarisht (referuar edhe Kodit të Drejtësisë Sportive, fjala “tolerim” është e barabartë me “trukim” ose “përcaktim rezultati”). Fenomeni i goleadave të stisura në javën e fundit të kampionatit, denoncuar nga “Panorama Sport”, gjeti kështu edhe mbështetjen juridike-ligjore të Komisionit të Etikës. Kështu, pas golave fiktivë, mbrojtjeve inekzistente dhe portierëve që thjesht qëndronin nëpër shtylla në disa ndeshje të javës së fundit të Superiores, ka ardhur edhe ndëshkimi i parë kundër farsës në futbollin shqiptar. U duk qartë se një pjesë e mirë e skuadrave, si në Superiore dhe në të Parën, patën rënë në një ujdi me njëra-tjetrën, ku trepikëshat shkëmbeheshin me gola të lënë për sulmuesit që luftonin për “Këpucën e Artë”. Në këtë situatë, nga FSHF-ja u hodh ideja që ky trofe, si për Superioren dhe për të Parën, të mos jepej. Për sa i përket shpërblimit financiar, ai u vendos që më parë që të mos akordohej. Kështu, Roland Dervishi, golashënuesi i Superiores i cili përfitonte 2 milionë lekë të vjetër shpërblim dhe Kreshnik Ivanaj i Burrelit, që do të merrte 1 milion lekë të vjetër, nuk do të kenë mundësi t’i shijojnë këto parà.

Tolerimet, ja pse tani rrezikojnë edhe klubet
Pas heqjes zyrtarisht të çmimit “Këpuca e Artë” dhe me formulimin e arsyetimin e bërë nga Komisioni i Etikës, mund të themi se tashmë “në lojë” nuk janë vetëm goleadorët, por edhe klubet. Faktikisht, referuar Kodit të Drejtësisë Sportive, por edhe ligjit për trukimet, nën hetim, kur vërehen raste të tolerimeve ose trukimeve nuk janë vetëm protagonistët, por edhe klubet (shiko sot në Itali, ku Napoli, por edhe ekipe të tjera mund të dënohen për shkak se një ose disa lojtarë të tyre kanë trukuar ndeshje. Kështu, edhe klubi ndëshkohet me heqje pikësh ose edhe rrëzim nga kategoria). Në rastin konkret, përderisa Komisioni i Etikës pranon dhe vendos se golat e shënuar në ndeshjet Vllaznia-Shkumbini dhe Burreli-Gramozi kanë qenë fiktivë, pasi skuadra kundërshtare ka toleruar, atëherë normalisht përgjegjëse në tolerim janë edhe klubet.

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura