Apolonia mbijeton në Superiore dhe do të jetë pjesë e më të mirave të kampionatit shqiptar edhe sezonin e ardhshëm futbollistik. Fierakët shkatërrojnë 3-0 Lushnjën në sfidën e “play-off”-it, që u zhvillua dje në “Niko Dovana” të Durrësit. Dopieta e Ribajt dhe goli i Gërxhos mjaftojnë për t’i gjunjëzuar lushnjarët, që treguan se ishin në ditën e tyre më të keqe. Apolonia dominon thuajse gjatë të gjithë 90 minutave. Të vetmet momente të mira për verdhejeshilët janë disa raste të pjesës së parë pas pësimit të golit. Në minutën e 33, një pasim perfekt i Sefës nxjerr të vetëm Cankën që hyn në zonë, por ndërhyrja e Moçkës është e pasaktë, Jemini jep 11-metërsh dhe i tregon kartonin e verdhë portierit fierak. Lushnjarët protestojnë pasi kërkojnë karton të kuq. Goditjen e merr përsipër kapiteni Çela, por topi përplaset në traversë dhe përfundon jashtë. Malko në pankinë dhe tifozët në shkallët e stadiumit vënë duart në kokë. Nëse do të realizonte ai, gjërat mund të shkonin ndryshe në takimin e djeshëm. Sefa e Canka dalin disa herë përpara portës, por nuk arrijnë të shënojnë. Fierakët tregohen më racionalë dhe, në pjesën e dytë, kundërsulmet e tyre janë gjithmonë të rrezikshme. Ribaj në disa raste tregohet më shumë se bujar ndaj lushnjarëve. Me më shumë se 5000 bileta të shitura, por me një diskriminim nga ana e FSHF-së për sa u përket vendeve ku qëndruan tifozët (vetëm në tribunën kryesore dhe anësore), në pamje të parë duket se do të luhet një sfidë ku stadiumi është i dënuar. Gjithsesi, në fund festa është e gjitha për fierakët, të cilët ua shuajnë ëndrrën lushnjarëve për t’u ngjitur në Superiore.
Gërxho
Kapiteni i Apolonisë, Julian Gërxho, pas përfundimit të takimit tha: “Mobilizimi ishte shumë i madh, duke filluar nga portieri e deri te lojtari më i fundit. Falënderoj tifozët e shumtë që na u ndodhën në ditë të vështirë”. Një apel për Bashkinë, pasi prezent ishte edhe kryetari Baftjar Zeqo. “Besoj se do të kenë mbetur të kënaqur nga loja jonë. Do t’i sugjeroja ta shikonin me vëmendje merkaton e kësaj vere”.











