
Një rastësi e çuditshme do të kryqëzojë sërish rrugët e dy sopranove “rivale” Ermonela Jaho e Anna Netrebko. Ashtu si katër vjet më parë në skenën londineze, edhe kësaj here sopranos shqiptare do t’i duhet që të zërë vendin e sopranos ruse, Anna Netrebko. Kësaj here bëhet fjalë për “La Scala”-n e Milanos dhe operën “Manon” të Jules Massenet. Ndonëse e bukur dhe shumë e kërkuar, sopranos Netrebko duket se nuk po i ecën fort mirë me shëndetin. Sërish për arsye shëndetësore, ajo është detyruar të tërhiqet nga interpretimi në “La Scala”, por ndryshe nga rasti i Londrës, organizatorëve nuk u duhet të thërrasin me emergjencë sopranon shqiptare. Në të vërtetë ishte parashikuar që Jaho do të mbante 5 prej netëve, por tashmë do t’i duhet të ngjitet në të shtata netët e parashikuara të “Manon”, prej premierës së mbrëmshme deri në 7 korrik. Arsyet e tërheqjes së Netrebkos janë publikuar në faqen zyrtare të teatrit “La Scala”: “Anna Netrebko komunikon se, pasi ka luftuar kundër një seri infeksionesh në rrugët e frymëmarrjes gjatë gjithë muajit të shkuar, mjekët i kanë rekomanduar pushim absolut, për të paktën dy javët e ardhshme. Kështu që është e detyruar të heqë dorë nga interpretimi i programuar në operën “Manon” në “La Scala”, më 19 dhe 22 qershor dhe të anulojë koncertin në “Net të bardha” në Shën Petersburg. Anna është e dëshpëruar që do të mungojë në këto

aktivitete, pasi priste me ankth të këndonte në qytetin e saj të lindjes në Shën Petersburg dhe të interpretonte “Manon” për herë të parë në “La Scala”. U është mirënjohëse të gjithëve për mirëkuptimin në këtë moment të vështirë dhe mezi pret që të kthehet në skenë sa më shpejt të jetë e mundur, në veçanti në takimin e ardhshëm në “La Scala” në muajin tetor, në operën “La Boheme”. Sopranoja Ermonela Jaho, e impenjuar në këtë produksion që prej provave të para, do të mbajë rolin e Manon në të gjitha netët e kalendarit. “Manon” është një opera prej 3 orësh e 40 minuta, kënduar në gjuhën frënge. Bëhet fjalë për një bashkëpunim mes Royal Opera House, Covent Garden, Londër; Metropolitan Opera, New York, Théâtre du Capitole, Toulouse. Një produksion i ri nën drejtimin e Fabio Luisit, regji e kostumet nga Laurent Pelly, skenografia nga Chantal Thomas. Në krah të Ermonela Jahos do të interpretojnë Simona Mihai, Louise Innes, Brenda Patterson, Matthew Polenzani, Russell Braun, Jean-Philippe Lafont etj.











