Ermela e BB festë orientale për 26-vjetor, mbledh miqtë dhe bën martesë jozyrtare me Jotin

Aug 26, 2012 | 12:07

Gjithmonë është shquar për ide të veçanta, ndaj edhe këtë herë s’kishte si të ndodhte ndryshe. Ermela Mezuraj, fituesja e “Big Brother 4”, ka organizuar një party jashtë parashikimeve të miqve të saj, duke i ftuar ata të udhëtojnë drejt Shëngjinit, për të festuar ditëlindjen e saj të 26-të në breg të detit. Festa nisi rreth mesditës, dhe ka vazhduar deri në orët e para të mëngjesit në zonën e plazhit të quajtur Rëra e Hedhur, pranë Shëngjinit, vendlindja e saj dhe të dashurit, Jotit. Ka qenë ideja e të dyve për të organizuar një ditëlindje krejtësisht ekzotike, me ushqime të gatuara në natyrë dhe me argëtime krejtësisht të veçanta. Nga miq të tyre, kjo darkë është konsideruar dhe si një festë, ku Ermela dhe Joti kanë shpallur në një farë mënyre një martesë jozyrtare, edhe pse të veshur si për plazh. Kulmi i festës, ku kanë qenë të ftuar disa banorë të BB, si: Toros, Mirjeta me bashkëshortin, Liam me Evelin etj., ka qenë momenti kur Ermela dhe disa mikesha të saj janë veshur si balerina të stilit oriental dhe kanë performuar kërcime joshëse para të pranishmëve. Natyrisht që nuk i kanë kursyer njëri-tjetrit birrat apo pijet e tjera alkoolike, për të përfunduar pastaj të zhveshur me rroba plazhi, ndërsa janë hedhur në det. Vitin e kaluar Ermela e festoi në fshehtësi të plotë përvjetorin e saj të 25-të, ndërkohë që kishte nisur bashkëjetesën me Jotin, i cili sapo ishte kthyer nga Italia. U fol madje se ata kishin vendosur të martoheshin gushtin e kaluar në ditën e ditëlindjes së saj, gjë që në një farë mënyre u realizua këtë vit, ndërsa Ermela ka shpallur hapur jetën e saj të re në çift me Jotin. Nga miqtë e ftuar ajo ka marrë dhurata të shumta, ndërsa ka preferuar ta mbajë sekret dhuratën e Jotit. Ermela nisi bashkëjetesën me Jotin në Tiranë pas tetë vitesh ndarjeje. Joti u kthye nga Italia ku kishte ndjekur studimet e larta dhe filloi punë si operator në “Top Channel”. Në fillim, ajo u përpoq ta mbante të fshehtë lidhjen, dhe vetëm pas më shumë se gjashtë muajsh bashkëjetesë, vendosi ta bëjë publike historinë e saj të dashurisë, për të cilën pohoi se ndihej vërtet e lumtur.

© Panorama.al

Te lidhura