Ermela bën dalje, të gjithë miqtë e “BB4” nuk i fton në 25-vjetor

Aug 20, 2011 | 14:00

Duket si një histori dashurie, që mund të jetë shumë afër rikthimit nga momenti në moment. Gjithsesi, ata kanë hedhur aq shumë vrer ndaj njëri-tjetrit, sa tingëllon pak e çuditshme një rifillim, por gjithmonë e kanë pohuar që gjithçka mund të pritet nga ata, përderisa janë dy tipa të paparashikueshëm. Fjala është për fituesen e BB4, Ermela Mezuraj dhe Ervin Sinjarin, të cilët nisën një histori dashurie gjatë këtij reality show dhe e vazhduan pas daljes së saj si fituese, një lidhje që u mediatizua shumë.
Megjithatë, për kohën që kanë kaluar bashkë, me sa duket thellë-thellë ruajnë një lloj emocioni që, pavarësisht inateve në momente të caktuara, do të donin ndoshta t’ia shprehnin sërish njëri-tjetrit. Dhe do ishte një moment i duhur, që ndoshta do ta kishin festuar bashkë, pikërisht ditëlindjën e Ermelës, të enjten në mbrëmje, kur ka pasur dhe 25-vjetorin.
Ervini, i cili pas ndarjes u largua direkt drejt Londrës, ka ardhur pikërisht një ditë para ditëlindjes së saj, duke menduar dhe për surprizën speciale, në shenjë mirënjohjeje për lidhjen që kanë pasur. Por Ervini nuk ka mundur dot t’ia japë dhuratën asaj, pasi Ermela nuk ka organizuar party për këtë ditë, ku s’ishte çudi që të merrte ftesë dhe Ervini. Ajo ka preferuar ta kalojë e vetme ditën e saj të veçantë, duke i lënë të gjithë miqtë në pritje të ndonjë ftese surprizë për party, siç kanë bërë ish-banorët e tjerë. Në dhuratën suprizë që Ervini i ka sjellë nga Londra Ermelës, janë një palë të brendshme, veshje plazhi, një çantë dhe disa aksesorë të tjerë, por që ende nuk ka gjetur mundësinë t’ia dhurojë. Ai i ka dërguar dhe një SMS urimi Ermelës për ditëlindje, ndërkohë që nuk ka marrë asnjë ftesë nga ajo për t’u mbledhur dhe festuar diku së bashku. Po ashtu, një ftesë nga Ermela nuk e kanë marrë as Torosi, miku i saj më i ngushtë, Jonela apo të tjerë ish-konkurrentë në “Big Brother 4” me të cilët fituesja e “Big Brother 4” vazhdoi miqësinë më tej pas përfundimit të lojës. Duket se Ermela, e cila shquhet për taktikat me të cilat luajti dhe në reality show, tashmë po ndërton një tjetër strategji për sukses. Ajo ka vendosur të shkëputet nga ish-banorët e BB4, ndërkohë që është fokusuar në projektin e ri të saponisur me tre fituesit e edicioneve të para në BB, Arbrin, Qetsorin dhe Jetmirin. Ata janë gati drejt përfundimit të këngës së tyre të parë së bashku, për të lançuar kështu projektin e tyre, që u bë publik nga gazeta “Panorama”. Ndërkohë që nuk dihet ende diçka për jetën private të Ermelës, nëse është duke njohur ndonjë djalë me të cilin mund të shfaqet publikisht.

Ervini tani del me një ekonomiste

Historitë e tij duket se nuk zgjasin aq shumë, por le të shohim tani e tutje se sa do të vazhdojë lidhja e tij me vajzën brune që shihni në foto, e cila quhet Ada, 23 vjeçe nga Tirana. Vajza brune është me profesion ekonomiste dhe shoqe e ngushtë e  Jonelës së “BB4”, e cila vazhdon të ketë miqësi me Ervinin. Ndërkohë që ajo për muaj të tërë ka qenë një nga mikeshat e afërta të çiftit, Ermelës dhe Ervinit, nuk flet më me Ermelën pas një konflikti në Kosovë. E kjo nuk e ka penguar ta vazhdojë njësoj si më parë miqësinë me Ervinin, aq sa kanë mundur të dalin bashkë jo vetëm për kafe, por të frekuentojnë dhe pishinat në Tiranë. Ka shërbyer kjo miqësi e tyre, që Ervini të prezantohet dhe të njihet më shumë me shoqen e saj të ngushtë, vajza që shihni në foto. Ata janë fotografuar në pishina, ndërkohë që e kanë komentuar si një miqësi të bukur të sapokrijuar mes tyre. Kthimi i tij nga Londra dhe qëndrimi në Tiranë për ca kohë tani e tutje do t’u japë mundësi të dyve të njihen më mirë. Ndërkohë, kjo është vajza e dytë, emri i së cilës bëhet publik pas Megit, e cila u komentua nga Ermela si shkaku i ndarjes. Duket se tani Ervini preferon brunet, duke lënë pak mënjanë flirtet me biondet.

Ermela lëshon “vrer” kundër familjes, shokohen prindërit dhe motrat

Ka bërë një rrëfim që mund të quhet i dëshpëruar apo hakmarrës,  e që në këtë rast nuk ka kursyer as prindërit dhe motrat. Në intervistën e saj të gjatë për kopertinën e revistës “Psikologjia” që sapo ka dalë në treg, Ermela Mezuarj, fituesja e BB4, përveç fjalëve kundër ish-të dashurit, Ervinit, ka folur hapur dhe pa doreza ndaj familjes së saj, ndërsa ka treguar për marrëdhëniet që ka me dy motrat binjake dhe prindërit, të atin një ish-oficer në pension dhe nënën e saj, që e quan “një shtëpiake të dëshpëruar”. Në intervistën e ilustruar me një set fotografish shumë të bukura, ajo ka treguar se motrat i ka thjesht motra, por jo mike, pasi nuk ka asgjë të përbashkët me to, aq sa dhe dollapët i kyçin nga njëra-tjetra. Kjo deklaratë e saj duket se i ka shokuar motrat binjake, të cilat nuk e kanë pritur një rrëfim të tillë në publik nga Ermela. Më tej, ajo komenton dhe marrëdhëniet me prindërit, ndërsa tregon se babai nuk e ka lejuar të ndjekë studimet e larta, duke i kërkuar të punësohej më mirë për të ndihmuar familjen. Ajo e rrëfen jetën e saj si një kalvar të mundimshëm në kërkim të parave, që ka qenë dhe arsyeja pse ajo hyri në “BB4”, ku arriti të fitonte 100 milionë.

Toros: Pas pushimeve që kalova me Ermelën në Jug, vendosa të mos shoqërohem më me të

Duket pak e çuditshme, por tashmë as Torosi nuk shoqërohet më me Ermelën. Ka ndodhur një ftohje në miqësinë mes tyre, direkt pas një javë pushimesh që kanë kaluar të dy bashkë në gjithë plazhin e Jugut. Torosi, i cili që në lojën e “Big Brother 4” bëri përshtypje për natyrën e tij prej protagonisti në lojë, është një nga personazhet e vetëm që i organizon bashkë ish-konkurrentët e “Big Brother”. Ndaj, të gjithë do të kishin pritur një festë të organizuar nga Toros për ditëlindjen e Ermelës, por jo. I pyetur nga “Panorama Plus” për pushimet me Ermelën dhe arsyen e ftohjes së miqësisë së tyre, Torosi u përgjigj se “Nuk ka ndodhur asnjë konflikt mes nesh, por thjesht duke e parë më nga afër në ditët e pushimeve që kaluam bashkë, e njoha më mirë tipin e saj, dhe mendoj se miqësia jonë nuk duhet të vazhdojë më”. Më tej ai shtoi se “Kam qenë miku më i afërt i Ermelës, e kam mbështetur dhe i kam qëndruar shumë afër, dhe tani mendoj ta mbyll me kaq për të vazhduar planet dhe jetën time”. Ndërkohë që këto ditë pas kthimit të Ervinit nga Londra ata kalojnë kohën e lirë bashkë, sidomos tek pishinat në Mai Tai. Për Torosin, kjo vjeshtë do të nisë ndryshe. Ai ka vendosur t’u hyjë studimeve të larta në Fakultetin Juridik, që është dhe dega e tij e preferuar.

© Panorama.al

Te lidhura