Ermali & Françeska nuk mund të gënjejnë më, por pohojnë: Jemi ndarë

Sep 9, 2012 | 12:15

Ermali dhe Françeska e “BB5” janë ndarë dhe nuk mund të fshihen më pas gishtit të vogël. U munduan të hiqen si çift ende, edhe pse realisht kanë dy muaj të ndarë, por tashmë kanë dalë zbuluar. “Panorama Plus” e botoi e para lajmin, pasi ishte 100 për qind e sigurt, por ata sërish bënë të pamundurën që ta mbanin edhe pak të fshehtë, duke folur lart e poshtë se ishin ende bashkë, pa dhënë asnjë detaj se si vazhdonte lidhja, duke lënë qartaz të kuptohej se në fakt kishin dy muaj që nuk shkëmbenin asgjë me njëri-tjetrin. Ndërkohë që Françeska, e komentuar për tradhti dhe histori me djem të tjerë paralelisht me Ermalin, dje pasdite ka deklaruar hapur se tashmë mund ta pohojë me plot gojën se është ndarë nga ai. Në komentet e saj plot duf dhe nervozizëm, ajo shprehet se për arsyen e ndarjes mund të pyetet vetë Ermali, duke lënë të kuptohet se ka qenë vendimi i tij për t’i dhënë fund lidhjes.
Nga ana tjetër, vetë Ermali i pyetur në lidhje me ndarjen e përfolur, për herë të parë e ka pranuar pa mëdyshje, duke e konsideruar një çështje të mbyllur në jetën e tij, që nuk do dëshironte ta përmendte më tej. Ndërkohë  Françeska ka filluar jetën e saj në Tiranë, duke marrë një shtëpi me qira dhe duke u përgatitur për të nisur vitin e katërt të shkollës së mesme, tashmë si “single”.
Por, ajo që bëri përshtypje ishte arsyeja e fshehjes së ndarjes nga ana e tyre. Edhe pse u ndanë pas disa grindjeve të shpeshta, që kishin të bënin me tradhtinë, ata u përpoqën ta përgënjeshtronin këtë lajm të vërtetë, duke u shfaqur me dy fytyra, atë para miqve që ishin në dijeni të ndarjes, dhe ata para fansave të tyre, duke u shitur para tyre si çift. Natyrisht që nëse s’do i kishin hyrë një aventure televizive si “BB”, ata s’do të kishin asnjë detyrim moral për të dhënë llogari për jetën e tyre private. Por, në momentin që kanë kërkuar mbështetje për një garë televizive, natyrisht që do ishte më mirë të heshtnin, sesa të mashtronin, duke dhënë intervista pa fund se ishin bashkë, ndërkohë që i kishin dhënë duart njëri-tjetrit. Kështu ata vërtetuan edhe një herë parashikimin që iu bënë banorët e tjerë brenda BB-së, se mes tyre nuk ekzistonte ndjenjë, por thjesht një tërheqje seksuale, që shumë shpejt do i çonte drejt ndarjes. Dhe këtë fakt ata e përforcuan edhe më shumë me kompromiset që bënë herë pas here me njëri-tjetrit pas përfundimit të lojës, duke mbajtur me dhëmbë imazhin e “çiftit të lumtur”, imazh që u interesonte edhe për pak kohë, për ta shitur veten mediatikisht. Ky fakt, i shoqëruar dhe me ndonjë deklaratë të shtirur për dashurinë mes tyre në media, apo komenteve të Facebook, natyrisht që e kishte një synim të caktuar. Qëllimi ishte pikërisht për të kapur ndonjë kopertinë reviste me pagesë, apo ndonjë ofertë televizive në këtë sezon të ri. Dhe rezultati ishte në dëm të tyre, që me gjithë sforcimin e dy muajve të ndarë, njësoj si çifte të martuar që rrinë bashkë për hir të fëmijëve, edhe Ermali me Françeskën po e shtynin pak nga pak, për hir të ndonjë përfitimi që do u ndryshonte jetën profesionalisht. Por, edhe pse e provuan, e vërteta është se dështuan në planin e tyre, pra nuk morën asnjë ofertë televizive për sezonin e ri, pasi s’i shkoi askujt në mendje që t’u bënte qoftë edhe ndonjë ofertë simbolike për të qenë imazh promocional i ndonjë kompanie, e jo më diçka më shumë se kaq. Kjo mesa duket për faktin se publiku tashmë, pas kaq shumë viteve që Shqipëria është sprovuar me imazhe të fabrikuara nga ekrani, nuk e duron dot falsitetin, apo shtirjen, që në rastin konkret shikuesit e “Big Brother” e ndienë në ajër.
Fansat nuk i rezervuan komentet se në “BB” ata rrinin bashkë për të fituar, pasi dolën nga loja rrinin bashkë për famë, dhe tani që e panë që asgjë nuk fituan nga të qenët çift, vendosën ta shpallin hapur ndarjen. Por Françeska si gjithmonë e gjen një mënyrë të paramenduar për të rënë në sy. Vetëm pak ditë më parë, ajo ka realizuar një set fotografish topless, për të eklipsuar lajmin e ndarjes, dhe për t’u komentuar si e vetme edhe për sharmin e saj. Nuk dihet se deri kur do të vazhdojë me këto strategji, deri diku  të dala jashtë mode, pasi tashmë njerëzit janë lodhur nga zhveshjet pa kriter të vajzave të ekranit, dhe sidomos të personazheve që nuk kanë ç’të ofrojnë tjetër përveç kësaj. Nga ana tjetër, Ermali, një ish- mister, të cilit iu lexua mendimi që kishte për Françeskën që në lojë, është i vendosur në karrierën e tij në televizion, edhe pse ende s’ka asgjë të konfirmuar. Çifti i BB5, Ermali dhe Françeska, nga kjo verë e tyre e dashurisë nuk kanë shumë çfarë të kujtojnë, pasi as pushimet që kishin planifikuar t’i bënin në Korfuz me paratë e finales së BB nuk i bënë kurrë, sepse kur ishin bashkë s’kishin paratë dhe kur i morën ato, s’ishin më bashkë.

© Panorama.al

Te lidhura