Ermali & Françeska argëtohen, por edhe luten

Jul 1, 2012 | 12:52
Françeska dhe Ermali tek Kisha e Laçit

Pas daljes nga ‘’Big brother’’, çifti i njohur Ermal Merdani dhe Françeska Jaçe kanë marrë shumë oferta për të realizuar fotosesione të ndryshme, pasi kërkohen shumë nga publiku shqiptar dhe mund të thuhet pa frikë se ata janë çifti i kësaj vere, edhe falë numrit të madh të fansave që kanë bërë për vete gjatë qëndrimit tremujor në shtëpinë e “Big Brother”. Ngado që shfaqen ata po bëhet zhurmë e madhe, ndërsa fotosesionin e fundit Ermali dhe Françeska e kanë shijuar shumë. Në fotot e hedhura në qarkullim ku shihet se si çifti i njohur i BB përveçse ka realizuar fotosesion, edhe ka vendosur se cilat foto do të hidhen në qarkullim e cilat jo, pasi nuk kanë dashur që ndonjë pozë jo e zakonshme të gjendet në ndonjë nga gazetat shqiptare. Që të dy nuk e kanë pasur problem shkëmbimin e puthjeve, si dhe ledhatimin në plazh. Edhe pse kanë pasur eksperienca të ndryshme jashtë shtëpisë, që të dy kanë rrëfyer emocionet që po i shijojnë tani, duke thënë se janë një çift i freskët, paçka se nuk nxitohen për të deklaruar se dashuria e tyre është në nivele të larta. ‘’Ka lindur brenda në shtëpi dhe ata tre muaj konvertohen me një vit. Ke presion më të madh nga banorët, nga kamerat dhe bëhet më e fortë si lidhje. Kjo është gjëja më e bukur mendoj unë. Që njerëzit ta pëlqejnë atë dashuri me dikë, duhet të rrinë sa më ngjitur, se në momente të caktuara mund të tregohen shenja vërtetësie. Ky ishte një rast shumë i mirë dhe, derisa unë jam me Françeskën, edhe pse jemi i freskët si çift, do ta shihni sa do vazhdojmë të jemi të lumtur si çift në këtë shoqëri dyshuese’’, ka theksuar Ermali. Ndërsa Françeska ka thënë se mënyra se si e trajton Ermali është shumë e veçantë. ‘’Çdo lidhje apo çdo marrëdhënie me njerëz të ndryshëm ka situatat dhe bukurinë e vet. Mund të them thjesht që vendi ku ka lindur është i veçantë, po ashtu dhe mënyra se si e kemi përballuar lidhjen. Mënyra se si më trajton Ermali, është e veçantë’’, ka përfunduar ajo. Por plazhet me miqtë sidomos në Vlorë, ku banon Françeska, janë disa nga aktivitetet me të cilat po merret çifti në këtë verë të nxehtë, ku kuptohet qartë se ata i janë dhënë jetës së qejfit në maksimum. Por kanë menduar të bëjnë edhe një gjë tjetër. Ermali dhe Françeska kanë vizituar Kishën e Laçit, duke treguar se janë edhe besimitarë. Meqë për atë vend thuhet se bën mrekulli nëse e viziton, e beson dhe lutesh, nuk e dimë se për çfarë mrekullie mund të jenë lutur Ermali dhe Françeska.

© Panorama.al

Te lidhura