Erjon Braçe kundër Majkos për Presidentin

Aug 4, 2011 | 11:28

Deputeti socialist, Erion Braçe, kundërshton analizën e bërë nga Pandeli Majko te “Panorama” rreth ndryshimeve kushtetuese të 2008-s. Në statusin e tij në Facebook, Braçe del në përfundimin se logjika që çoi në ndryshimet kushtetuese të 2008-s rrezikojnë të përsëriten. “Sot, një udhëheqës i PS-së, në një analizë të tij shkruante: Presidentit nuk iu hoq asnjë kompetencë; thjesht u ndërrua mënyra se si zgjidhej; kjo ishte luajale sepse një shumicë nuk kish përse të ndërpriste mandatin për një shumicë që nuk ishte e saj!!! Nëse analizohet kështu, atëherë PS-ja nuk e ka seriozisht ndryshimin e Kushtetutës! Rreziku i humbjes së mandatit po na çon te shteti njëpartiak! Pushteti nuk është më i rëndësishëm se shteti!!!”, shprehet Braçe në statusin e tij në Facebook. Në intervistën e tij në “Panorama”, ish-kryeministri Pandeli Majko i cilësoi të gabuara ndryshimet kushtetuese të prillit 2008, duke prishur balancat mes pushteteve. “Në ndryshimet kushtetuese të 2008-s opozita ra në psikozën e “post-Gërdecit”, ku marrja e pushtetit konsiderohej çështje e mbyllur dhe Berisha një “gjynahqar në ikje”. Këto ndryshime kushtetuese, së bashku me Kodin Zgjedhor, ndërtuan një sistem votimi, i cili është thuajse absurd”, shprehet Majko në intervistë. Në komentin e tij ndaj kësaj interviste, Braçe, shprehet se “pushteti që ndryshimet kushtetuese i kanë dhënë maxhorancës parlamentare e çojnë vendin në një shtet partiak ku maxhoranca kontrollon të gjitha institucionet, në një shtet me balanca të prishura pushtetesh”. “Mënyra se si ne në Kushtetutë menduam të shpëtojmë mandatin e një maxhorance bën që vitin tjetër Presidentin ta zgjedhë një shumicë me 71 deputetë! Pas kësaj, prokurorin ta zgjedhë ky president, Gjyqësorin ta drejtojë ky president, shefin e SHISH-it ta emërojë po ky president, kryetarin e KLSH-së, guvernatorin po i njëjti president! Ky është shteti njëpartiak! Të gjitha një parti! Tani mendoni që ky president do të jetë Jozefina Topalli! E shikoni ç’kemi bërë?”, shprehet Braçe. Duke iu përgjigjur reagimeve të miqve të tij në Facebook ndaj ndryshimeve kushtetuese, Braçe apelon që ndryshimet e reja në Kushtetutë të garantojnë pikësëpari balancat mes pushteteve. “Mua me shqetëson mendësia tani! E kupton, për një shumicë që nuk e kishim, por që mendonim se do ta kishim, i dhamë mundësi Berishës të kthejë shtetin njëpartiak. Nëse për të ndryshuar Kushtetutën do të nisemi nga i njëjti parim dhe duke refuzuar parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, atëherë do të bëjmë të njëjtin gabim, mbase edhe më të madh”, shprehet Braçe në statusin e tij në Facebook.

Braçe i kërkon ministrit kinez: Më pajtoni me Ramën

Në statusin e tij në Facebook, nënkryetari i Grupit Parlamentar socialist, Erion Braçe, i kërkon ministrit të Jashtëm kinez që viziton Tiranën zyrtare, të ndërmjetësojë në pajtimin e tij me kryetarin socialist Edi Rama. “Zoti Yang Jiechi- ministër i Jashtëm i Kinës, mirëmëngjes! Unë që po të shkruaj quhem Erion Braçe, jam deputet i PS-së në Kuvendin e Shqipërisë. Kam një arsye të madhe që po ju bezdis: Edi Rama, kryetari i PS-së, nuk më flet me gojë. Ai e bën këtë sepse nuk i njeh dhe adopton rregullat e Kinës së madhe! Ju lutem ndërhyni tek ai që të nisë të më flasë!!!”, shkruan deputeti socialist në faqen e tij në rrjetin social të komunikimit masiv, Facebook. Qëkur Braçe ka paraqitur një platformë antikorrupsion në Asamblenë Kombëtare dhe pas thirrjeve të përsëritura për të hyrë në Parlament në korrik dhe jo në shtator, marrëdhëniet e tij me Ramën kanë ardhur duke u ftohur.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura