Erjon Braçe: Je gabim, Preç!

Aug 27, 2011 | 10:56

Nënkryetari i Grupit Parlamentar socialist kundërshton aleatin e PS-së, Preç Zogaj, për bojkot të Kuvendit.Në profilin e tij në Facebook, Erjon Braçe shprehet kundër idesë së anëtarit të Opozitës së Bashkuar, Preç Zogaj, përmes një editoriali në një të përditshme, ku parashtron arsyet pse deputetët e Grupit Parlamentar socialist nuk duhet ta shohin bojkotin si një histori të mbyllur, por që mund të aplikohet rast pas rasti, sipas situatave që mund të paraqiten në Kuvend. Komenti i Braçes është pasuar nga dhjetëra komente të miqve të tij, një pjesë e të cilëve e mbështesin dhe të tjerë kërkojnë bojkotin e Parlamentit. Braçe shpjegon arsyet pse deputetët e PS-së duhet të rikthehen ndryshe në shtator në Kuvend. “Je gabim, Preç! Grupi i deputetëve të PS-së nuk duhet të ikë më nga Kuvendi! Duhet të qëndrojë e bëjë detyrën ndaj një regjimi që nis mu aty! Duhet të qëndrojë për të vënë nën kontroll qeverinë, për të kundërshtuar qeverinë, për të përthyer për popullin ligjbërjen klienteliste e të korruptuar, për të treguar alternativën e PS-së! Edhe kur të dhunohet e poshtërohet duhet të jetë aty! Jo të ikë, të qëndrojë e të përgjigjet, jo me gjuhën e dhunës, por të forcës!”, shprehet Braçe në reagimin tij. Duke përsëritur kërkesën e vazhdueshme të tij të bërë muajt e fundit për rikthim në Kuvend që në muajin korrik e jo në shtator, nënkryetari i Grupit Parlamentar socialist shprehet se deputetët e PS-së duhet të sillen në Kuvend krejt ndryshe nga ç’janë sjellë deri tani. “Grupi i deputetëve duhet të qëndrojë aty dhe të bëjë atë që s’e ka bërë deri sot, të dokumentojë zhbërjen e demokracisë parlamentare, ligjet antipopullore, por të klientelës së Familjes, abuzimin me procedurat e ligjbërjes, vjedhjen e votës mu aty në Kuvend!”, shprehet Braçe. Numri dy i Grupit Parlamentar socialist vëren dhe gabimet e bëra deri tani, që lidhen me mungesën e deputetëve socialistë në Kuvend. “Për të mos rënë me surrat nga gabimi në gabim, si në rastin e supertaksave të naftës, që s’i kundërshtuam e tani po i pranojmë; apo për të mos qenë më të padobishëm, si në rastin e vjedhjes së votës për shkak të mungesës sonë në votimin e ligjit për regjistrimin!!! Duhet të jemi në Kuvend e të mos ikim, por të propozojmë reformën për Kuvendin, ta bëjmë me ligj Kuvendin, t’u japim deputetëve punën e t’i heqim parazitizmin e kapadaillëkun, të ndalim abuzimin me paratë e taksave atje e të financojmë më në fund punën e deputetit, jo qejfet e harbimin e kryetares së Kuvendit, t’u japim deputetëve mbrojtjen kushtetuese e t’u heqim imunitetin për të bërë ‘punët e tyre’ të biznesit në konflikt të hapur interesi apo mu në mes të praktikave korruptive! Për të paraqitur nga Kuvendi reformën e Kushtetutës për të rikthyer republikën demokratike përmes kontrollit e balancës së pushteteve e për të zhbërë Republikën autokratike që po vuajmë të gjithë bashkë sot!!! Të qëndrojë e të bëjë betejë për ato vlera në të cilat beson, duke ngjizur në këtë vend kulturën e shpresës, jo të ikë e frustruar duke i imponuar një populli të tërë kulturën e frikës e të poshtërimit!”, shprehet Braçe në reagimin e tij.

Rama shpalli mbylljen e bojkotit

Kreu socialist, Edi Rama, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare, deklaroi se opozita i jepte fund bojkotit ose marrëdhënies së kushtëzuar me Kuvendin, duke u kthyer në shtator. Sipas Ramës, opozita, në shtator, me vajtjen në Kuvend, do të nisë një kurs të ri politik duke treguar alternativën e saj politike.

Zogaj: Bojkot jo të plotë seancash
Opozitari Preç Zogaj, në një opinion në një të përditshme, shprehet se opozita nuk duhet të heqë dorë krejtësisht nga bojkoti. “Bojkoti përligjet kur opozitës i bëhet e pamundur të përmbushë normalisht funksionet e saj, si një institucion i pazëvendësueshëm kontrolli ndaj qeverisë dhe si një alternativë e pushtetit. Nëse me dhunë, me  diversion, me shantazhe, me rregulla dhe rregullore të shpikura enkas kundër saj, opozitës i mbyllen të gjitha hapësirat për t’u realizuar si e tillë, ajo e ka për detyrë të denoncojë Kuvendin dhe të largohet prej andej solemnisht. Të gjitha këto do të  përligjnin bojkote seancash, rast pas rasti, por jo një bojkot të planifikuar afatgjatë. Nuk jemi në gjendjen e pamundësisë së opozitës për t’u shprehur në Kuvend”, shprehet Zogaj, ndër të tjera, në opinionin e tij.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura