E ardhmja e Erjon Bogdanit vazhdon të jetë e paqartë. Qëndrimi i tij te Çezena asnjëherë nuk ka qenë i sigurt, edhe për vetë faktin se trajneri nuk ka shprehur bindje për ta mbajtur. Gjithsesi, mjaft klube të tjera përflitet se e kërkojnë. Së fundmi, në median italiane qarkullon emri i Kaljarit, ku trajner ka shkuar Masimo Fikadenti, i njëjti që drejtoi Bogun te Çezena në sezonin e kaluar. “Është e vërtetë që kam dëgjuar se Kaljari interesohet për mua. Kam pasur një bisedë telefonike me Fikadentin, por vetëm për ta uruar për detyrën e re. Nuk kemi folur për të ardhmen time”, u shpreh sulmuesi shqiptar. Ai konfirmoi se pozitat në klub kanë ndryshuar: – “Kam pasur një takim me presidentin e Çezenës. Ai më tha që trajneri kishte ndryshuar mendim për mua dhe dëshiron të më mbajë. Unë do vazhdoj të jem pjesë e kësaj skuadre, nëse nuk marr një ofertë që plotëson kushtet e mia. Te Kaljari do shkoj vetëm po më ofruan një kontratë 2-vjeçare.” Bomberi 34-vjeçar bën të ditur se është në tratativa me dy klube të tjera, te të cilat mund të transferohet brenda tri ditëve. “Kam dy oferta, të cilat mund të mbyllen shumë shpejt. Bëhet fjalë për dy skuadra që nuk janë përmendur asnjëherë në media, te të cilat mund të transferohem brenda tri ditëve. Janë gati të gjitha kushtet, përfshirë kontratën time.











