Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho i është drejtuar me një letër të gjithë ambasadorëve në vend, në ditën ndërkombëtarëve të fëmijëve, viktima të agresionit.
Ajo thotë se një vit pas miratimit të ligjit për regjistrin kombëtar të të dënuarve për krime seksuale, regjistri nuk është krijuar ende.
Xhixho kërkon mbështetjen e ambasadorëve në drejtim të punës me institucionet që kanë detyrimin ligjor për ta bërë atë të aksesueshëm për qytetarët.
Letra e plotë
Letër e hapur për të gjithë ambasadorët në vend, sot në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve Viktima të Agresionit.
Si inicuese e Ligjit për Regjistrin Kombëtar të të Dënuarve për Krime Seksuale, por mbi të gjitha si nënë, mbetem e angazhuar maksimalisht në vënien e tij në shërbim të sigurisë së fëmijëve në kopshte, shkolla dhe në të gjitha mjediset që ata frekuentojnë.
Fatkeqësisht, gati 1 vit pas miratimit të ligjit, regjistri nuk është krijuar, edhe pse kam kërkuar edhe zyrtarisht informacione nga organet pëgjegjëse me qëllim nxitjen e vënies në zbatim sa më parë të ligjit.
Ndaj sot u jam drejtuar me një Letër të Hapur ambasadorëve që veprojnë në vend, në mënyrë që të rritim ndërgjegjësimin për këtë shqetësim shumë të madh.
Të nderuar,
Më 21 korrik të vitit të kaluar, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 124 vota pro dhe vetëm një abstenim Ligjin për Regjistrin Kombëtar për të Dënuarit për Krime Seksuale.
Qëllimi i ligjit është krijimi i një mekanizmi kombëtar për monitorimin e të gjithë personave që kryejnë krime seksuale. Fokusi i këtij ligji është mbrojtja sidomos e fëmijëve nga çdo formë e abuzimit seksual.
Hartimi dhe miratimi i këtij ligji ka qenë një domosdoshmëri për shumë vite në Shqipëri, pasi sipas statistikave, thuajse 80 për qind e krimeve seksuale në Shqipëri kryhen kundër fëmijëve dhe adoleshentëve.
Në 22 janar 2023, ligji hyri në fuqi, gjashtë muaj pas miratimit të tij, por fatkeqësisht nuk është bërë ende i zbatueshëm, duke qenë hapur në shkelje të ligjit.
Përgjatë kësaj kohe, të gjitha institucionet përgjegjëse kishin kohën e mjaftueshme për të regjistruar të gjithë të dënuarit për krime seksuale dhe për ta vendosur regjistrin në dispozicion të palëve të interesuara, sipas përcaktimeve ligjore në e-Albania.
Ligji ngarkon me përgjegjësinë e krijimit të regjistrit brenda 6 muajve nga momenti i miratimit në Kuvend Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Drejtësisë dhe institucionet në varësi të tyre. Kanë kaluar më shumë se 9 muaj nga miratimi i Ligjit dhe regjistri nuk është ende i aksesueshëm për publikun.
Si propozuese e këtij ligji, kam kërkuar informacion pranë institucioneve përgjegjëse për hartimin e regjistrit, por përgjigjja ka qenë se regjistri nuk është krijuar akoma.
Duke e konsideruar emergjencë krijimin e këtij regjistri, në respekt të ligjit të miratuar me shumicë votash, kërkoj mbështetjen tuaj në drejtim të punës me institucionet që kanë detyrimin ligjor për ta bërë atë të aksesueshëm për qytetarët.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al