Nuk dihet se ku do mund ta shohim Erion Zeqirajn e “Big Brother 3” sezonin e ri televiziv, por një gjë është e sigurt, që ai nuk do të drejtojë më emisionin e mëngjesit “Agon” në “Albanian Screen”. Drejtuesit e këtij televizioni ia kanë komunikuar këtë vendim Erjonit këto ditë, pak para mbylljes së programit në verë. Por tashmë kanë filluar të qarkullojnë fjalë për gazetarin që do e zëvendësojë Erionin gjatë sezonit të ri televiziv, në mëngjeset e këtij ekrani. Fjala është gazetarin politik, Endri Xhafo të “Top Channel”, i cili siç konfirmon edhe “AS”, ka vendosur të pranojë këtë ofertë nga “AS”. Xhafo, i njohur për kronikat e tij pranë Presidencës, ka ideuar një format krejt ndryshe për emisionin e tij të ri, duke iu referuar modeleve të programeve perëndimore. Ende nuk dihet më shumë përse Xhafo ka vendosur të ndryshojë profilin e gazetarit politik prej vitesh, në drejtuesin e një emisioni informativ dhe argëtues, ndërkohë që presim të shohim programin e tij të parë si autor. Erjon Zeqiraj ka më se një vit që prezanton “Agon” në AS, së bashku me një vajzë të quajtur Lori. Pas një viti pauzë, pas daljes nga loja e BB3, ku u klasifikua me vota i treti, Erjoni iu rikthye ekranit me këtë program. Para se të hynte në këtë reality show, ai kishte një eksperiencë televizive si spiker lajmesh në “Ora News”. Patjetër që ai do të kërkojë sërish të mbetet në televizion, pasi gjithmonë e ka shprehur se dhe pjesëmarrja e tij në “Big Brother” ka pasur pikërisht këtë qëllim. Në faqet e shtypit rozë, Erjoni është komentuar vazhdimisht për lidhjen me vajzën nga Delvina, Bertina. Lidhja e tyre mori fund disa muaj më parë, edhe pse arsyet e ndarjes nuk u thanë asnjëherë në media nga ndonjëri prej tyre.











