Erenestina Halili: Është koha të ndaj eksperiencat me studentët

Jun 5, 2011 | 12:28
Erenestina me dy fëmijët, Kejdi dhe Nizea

Nga gazetaria e terrenit, në studiot e lajmeve në TVSH. Nga kryeredaktore, në drejtoreshë kabineti qeveritar. Erenestina Halili ofron modelin e suksesit, bashkë me ndjesitë e humbjes… Pasioni për gazetarinë nuk e ka tradhtuar asnjëherë! E në orvatjet mes tij dhe zhvillimit në sferën akademike gazetareske, Erenestina Halili ofron modelin personal. Një femër në karrierë që ende “preh” shpirtin tek rrënjët e vjetra, prej nga edhe mori emër figura e saj publike mediatike e televizive.
“Era” mediatike
Në “pasqyrën” ku ajo shihet, nuk e ka aspak të vështirë të dallojë vetveten. Të njoh anën më të bukur të saj, e pse jo të rrëmojë në të kaluarën për të gjetur Erenestinën e dikurshme, gazetaren e zellshme dhe aktive. Nuk e ka aspak të zorshme të rrëfejë terrenin nëpër të cilin ka shkelur, duke nisur me kronikat më të thjeshta e pa peshë, tek studiot televizive si folëse e lajmeve. Nga kryeredaktore, në drejtoreshë e kabinetit qeveritar pranë Ministrisë së Shëndetësisë. “Gazetaria është për mua një prej kapitujve më të rëndësishëm të jetës e karrierës profesionale. Ajo shënjoi maturimin tim në mendimin e perceptimin e fenomeneve shoqërore, politike, familjare. Lëvrova gazetari televizive dhe të shkruar, ngjita shkallët në karrierë e sot jam krenare që emri im rri në një faqe të Enciklopedisë së Gazetarisë Shqiptare”, thotë ajo. Ndodh që nostalgjia e kaplon shpeshherë 40-vjeçaren, duke e pështjelluar në gjithë situatat që e kanë shoqëruar ndër vite në profesion, ndër gjithë ato momente ku i është dashur të përballet edhe me “bërrylat” e “shkopinjtë nën rrota”, me shikimet vëngër apo një padrejtësi që mund t’i jetë përplasur si dera në fytyrë. I ka përjetuar si emocione që i ndodhin çdokujt. “Kur isha e angazhuar në RTSH, jam përballur me situata nga më të vështirat, me probleme të larmishme. Kam marrë sadisfaksion e kam ndarë suksesin. Jam mërzitur me hipokritët e kam qarë me hallin e një mikeje në punë. Momentet e vështira përveçse më kanë bërë më të fortë, assesi nuk më kanë poshtëruar. Për mua, çdo gjë e pashlyer rikthehet në nostalgji”.
Erenestina dhe familja!
Për vite të tëra të punuarit në gazetari ishte njësoj si ai “jastëku” i rehatshëm, ku ajo bënte gjumin e qetë. Pa e ditur se një “erë” e re do të frynte në jetën e saj. Martesa me Nikun, bashkëshortin e jetës dhe njeriun e pozicionuar fuqishëm ekonomikisht, krejt pa dashje do ta përfshinte në një tjetër hulli… ku nuk i duhej të punonte me orë të stërzgjatura në korridoret e televizionit, t’i hynte në hak familjes e fëmijëve. Për Erenestinën, me krijimin e familjes, me ardhjen në jetë të Kejdit dhe Nizeas fokusi i gjithë angazhimeve dhe intensitetit të ditëve të saj u kthyen kah familjes e fëmijëve. Vetë ajo e ka të vështirë ta pranojë se është tërhequr nga ky lëm, sepse sërish tenton të jetë e pranishme me shkrime të botuara në media, intervista e personazhe protagoniste. “Jam munduar që trofeun tim të radhës ta kem të pozicionuar pikërisht në gjirin e familjes që kam ndërtuar unë edhe im shoq. Nuk është aspak e lehtë të rrisësh fëmijë sot. Besoj se ia kam dalë bashkë me tim shoq”, vijon Halili. Duket se ajo e ka gjetur veten edhe në sipërmarrjet private e të rëndësishme të bashkëshortit të saj, duke qenë këshilluesja më e mirë e tij. Ajo nuk e fsheh dot faktin se fillimet e veta në gazetarinë televizive kanë vetëm një nxitës dhe ai është pikërisht bashkëshorti. Të dy udhëhiqen në jetë nga të njëjtat parime, gëzojnë njësoj për sukseset e njëri-tjetrit dhe diskutojnë gjatë për sfidat e radhës që trokasin në jetët e tyre.
Gazetaria dhe pedagogjia!
Ndonëse prej disa vitesh nuk endet lartë e poshtë si gazetare terreni, ngjan se një tjetër zhanër e ka tërhequr fort pas vetes. Ai i akademisë dhe pedagogjisë në Fakultetin e Gazetarisë pranë Universitetit të Tiranës, ku Erenestina ka zgjedhur të bëjë pedagogen në lëndën e quajtur “Faqja e tretë”. “Përvoja ime e gjatë në media më jep mundësinë që me shumë studentë të ndaj eksperienca jetësore e të përditësuara nga puna ime. Pedagogjinë e kam fort për zemër, e tashmë prej disa kohësh kam armën më të fortë në duar për ta transmetuar gjithçka mundem në aspektin profesional, pikërisht tek brezi i gazetarëve të rinj”, përfundon ajo.
Të ndihesh e plotësuar!
E teksa përgjigjet, në kokë i vërtitet e njëjta pyetje të cilën ia drejton shumëkush personit të saj: A ndihet realisht e plotësuar? I ka provuar të gjitha ndjesitë e hierarkitë profesionale. Nga gazetare e terrenit, në kryeredaktore, nga folëse e lajmeve, në drejtoreshë kabineti, së fundmi pedagoge… Një grua në karrierë, një nënë e plotësuar me dy fëmijë të mrekullueshëm dhe gruaja e një burri të fuqishëm ekonomikisht. Nëse ajo do të kërkonte më shumë nga jeta, pakkush mund ta besonte, por përgjigja e Erenestinës është krejt tjetër. “Të ndihesh e plotësuar është një nga ato ndjesitë më të sprovuara në jetën time. Çdo ditë më ndodh të trishtohem, por plotësimi im  vjen kur ata që kam rreth vetes janë mirë e gëzojnë shëndet. Kam  mësuar që kjo është arsyeja më e madhe për të qenë e lumtur…”.

 

ERMIRA ISUFAJ

© Panorama.al

Te lidhura