“Një dado për babin”, seriali më i ri ku aktori luan familjarisht.
Ata kanë marrë përsipër një risk, të luajnë një rol, emri i të cilit mund t’u ngelet edhe nofkë, nëse do arrijnë të spikasin vërtet në serialin më të ri me titull “Një dado për babin”. Redon Makashi, Alban Dudushi, Dashnor Diko, Mariza Ikonomi, Aleksandër Gjoka, Ledion Liço, Eno Popi, Endri & Stefi Prifti, Ornela Bregu, Ezdalin Gorani e Manjola Hasani do të shfaqen si “guest stars” në role fantastike në serialin televiziv me 100 seri, që do të nisë transmetimin e tetë serive të para së shpejti në kanalin T në Digitalb. Regjisori Erand Sojli ka zgjedhur ata të parët, pasi i janë dukur si më të vërtetët në tipin e tyre, ndërkohë që protagonistë të serive të tjera do të bëhen dhe politikanët e sportistët. Personazhet VIP do të vijnë në role episodike, ku nuk luajnë vetveten, duke na bërë kureshtarë t’i shohim se si këto personazhe pranojnë të shfaqen pa problem, si shitësa, infermierë, dado, truproja, apo deri tek bojaxhinj. Erand Sojli, i cili është protagonist vetë, zbulon detajet në serialin ku aktron gjithë familja.
Po përgatiteni për shfaqjen e një realizimi të ri televiziv. Ç’është ky serial?
Po, është një serial i ri me 100 seri, që ka për protagoniste kryesore vajzën time, Sonja Sojli. Ndërkohë, luaj së bashku me Mariana Kondin, Rina Narazanin, Brunilda Zekthin, Kreshnik Ibrahimin dhe Greta Sojlin. Jemi në përfundim të tetë serive të para, për t’u shfaqur së shpejti në kanalin T në Digitalb, bazuar në një skenar të shkruar nga unë, Rina Narazani dhe Iris Sojli.
E keni titulluar “Një dado për babin”. Cila është intriga në seritë e tij, po roli yt?
Protagoniste kryesore e këtij seriali është vajza ime 5 vjeçe, Sonja dhe vajza e vogël, Greta 2 vjeç, pra dy vajza që drejtojnë një shtëpi. I rrethuar nga pesë femra, Mateo (unë) mundohet të mbijetojë në situata nga më të ndryshmet, në të cilat shfaqen papritur personazhet e njohura VIP. Rolin e dados në këtë rast e luan bashkëshortja ime në jetë. Konflikte, romanca, tradhti, pajtime, zënka, dashuri, ngatërresa, komedi, dramë, gjithçka është e përfshirë nën titullin “Një dado për babin”. I rrethuar nga pesë femra, unë në rolin e Mateos mundohem të mbijetoj në situata nga më të ndryshmet dhe kjo është historia.
E veçanta e këtij seriali është se në seritë e tij shfaqen si “Guest stars” personazhe të njohur. Cili ishte qëllimi me të cilin janë ftuar për të qenë pjesë e këtij seriali?
Ata janë personazhe që shfaqen papritur në role episodike dhe që nuk luajnë vetveten. Por në serinë e 30-të, dy prej tyre do të kthehen në personazhe kryesorë.
Pse zgjodhe pikërisht këto personazhe si protagonistë në serial, dhe jo të tjerë?
Zgjodha këto personazhe sepse mendoj se janë më të vërtetët, dhe mua për këtë serial më duheshin personazhe që të dalin nga profesioni i tyre dhe të shfaqen po aq realë në rolin që u kërkohet.
Ishte e vështirë t’i bindje, duke pasur parasysh se ata luajnë role nga shitës e deri tek bojaxhinj?
Në fakt, ata e kanë parë si risi dhe kanë qenë të predispozuar për ta pranuar ftesën time, madje mund të them se e kanë përqafuar si ide dhe janë ndier të vlerësuar.
Je mbështetur në një format të njohur botëror për të bërë pjesë të një seriali personazhe VIP?
Ky është një fenomen i njohur edhe në serialet amerikane, që fusin në seriale personazhe të njohur, por që ata të luajnë vetveten. Në këtë rast ata nuk e luajnë vetveten, por një rol që u caktohet. Dhe, në këtë rast, kjo është një ide jona.
Deri tani kemi parë që protagonistë VIP janë moderatorë apo artistë. Politikanët do mund të bëhen protagonistë?
Personazhet që shihni, janë vetëm të këtij sezoni. Në sezonet e tjera do të ketë personazhe të tjerë, mes të cilëve futbollistë dhe politikanë, të cilët për herë të parë do të thyejnë një tabu të tillë.
KLOTILDA HARKA
















