Epoka e errët kur muzika botërore ishte e ndaluar për skenat shqiptare! Rrëfimi i Zhani Cikos përtej TOB: Nga “Rusalka” në vitin ‘53, te koncerti i fundit

Nov 1, 2023 | 15:34
SHPËRNDAJE

ZHANI CIKO/ “Muzikë nga vitet e stuhishme”. Ky spot informues i orës së vonë mjaftoi të më cytë drejt përjetimesh të gjata gjumëshfarosëse për ditë rresht, përsihatjesh në përcaktime konkluzive që tronditin bindje, të cilat mendohet se janë definuar kaherë dhe të komplikojnë mendimin që në rrugëtimin jetësor të një qenjeje, në një moshë me “M” të madhe është si të shtrosh pyetjen bazale dekartiane të dyshimit mbi esencën.

Rusalka teatri i operas dhe baletit1

Është fakt që jeta artistike e institucioneve muzikëprodhuese është tepër ndikuese në drejtime që përbëjnë shinat ku ajo udhëton. Veçanërisht lidhjet e saj me historinë e artit që përfaqësojnë,janë gati shprehje të vullnetit të autoritetit që i ka ngritur ose i drejton.

Ka raste kur kjo shinë vihet në funksion dhe e rreh udhën bukur mirë, siç ndodh jo rrallë e kundërta, lirimi i saj nga lëvizja dhe për më tepër lënia në qetësi gjatë, ku ndodh vetëm rastësisht kalimi i ndonjë mjeti lëvizor që e përdor shinën që po zë ndryshk pamjaftueshmërisht dhe jeta institucionale mbushet kësisoj, me ngjarje rutinore pa shumë vlerë.

Në historikun tonë të fushës, ku kryesorja është se falë pasionit dhe përkushtimit të armatës artistike, me siguri në shumatore bëhen mijëra, gjatë rreth 100 viteve nga zanafilla e këtyre instituteve kryesori ka qenë vullneti i pushteteve që kanë dominuar këtë vend dhe kanë bërë çeljen e semaforëve në drejtimet që kanë dashur.

Gjithsesi, udha ka lëvizur pa ndalë. Po nis muaji i festimeve të mëdha kombëtare dhe ndërkaq po atrohet dhe dita kur në skenën e Filarmonisë shqiptare, në Teatrin Popullor më 27 nëntor 1953, u shfaq “Rusalka” një opera e interpretuar nga një trupë artistësh shqiptarë. Kronika filmike është edhe sot tepër emocionuese.

Rusalka teatri i operas dhe baletit1

Nuk është vepra në vetvete ajo që bën historinë, është realizimi i saj në skenë, që ka sjellë menjëherë një datë të shenjtë arti, që solli pas zhvillimet madhore që dihen. Po kështu, pas operetës të parë shqipëtare të kompozitorit Kristo Kono, në Korçën e arteve dhe kulturës, realizimi i një opere shqiptare ca më vonë në Shkodër nga “kapelmaestri i qytetit kulturor”, kompozitori Prenk Jakova, dhe libretisti Llazar Siliqi, solli me vete ngritjen e Teatrit impozant “Migjeni”, që u përurua me këtë rast.

Më pas, me ndryshimet epokale që ndodhën, shinat u shtuan, pavarësisht nga tronditjet e shumta dhe të herëpasherëshme, institucionet gjalluan. U hapën, u transformuan, u bënë kombëtare, po jo të mbyllura për artin botëror dhe lëvizjen e lirë artistike që afirmoi dhe personalitete ndërkombëtare të këtij lloji, madje dhe lëvizje të trupës jashtë e madje deri në nivelin e orkestrës permanente të festivaleve prestigjioze ndërkombëtare.

U realizua dhe ardhja e përfaqësuesve të shumtë nga bota. Shpesh dhe madje së fundmi fokusohet vëmendja, krahas krijimeve të rejave dhe atyre të herëshme që edhe se meritojnë më shumë vëmendje. Koha i ka kthyer tashmë “prej së vedi në relike”. Por, me gjithë “kaleodioskopin” e syhedhjes historike, ka pasur dhe periudha kur shinat janë bllokuar periodikisht dhe jo pa prodhuar avari, për kohën dhe përjetimet artistike institucionale dhe individuale.

Reformat në historinë e muzikës kanë qenë bashkudhëtare me zhvillimet positive, kryesisht nga mesjeta dhe ditët tona, por askund s’ka ndodhur si te ne, që nga viti 1966, në vitin ’70 dhe ’73, për rreth dhjetë vite të tërë, kulturës muzikore botërore t’i mbyllej drita e skenës (për hir të së vërtetës, kjo nuk ndodhi brenda procesit mësimor artistik).

Edhe korrigjime që ndodhën, si ato të viteve ’70, me realizimin Simfonisë së 9 të Beethovenit për nder të 200-vjetorit të tij dhe veprave të tjera, pjesëmarrja e Ansamblit Popullor në Festivalin e Dizhonit në Francë, konceri i artistëve tanë për herë të parë në Kosovë, demostrimet e artistëve lirikë në Kubë dhe Rumani, e më pas shfaqja në Kinë në një turne të gjatë e baletit “Cuca e Maleve”, krijim muzikor i kompozitorit Nikolla Zoraqi dhe koreografit Agron Aliaj, ngacmuan idenë e lëvizjeve jashtë, por që në fakt, mbeti vetëm për Ansamblin, ndërsa Opera u mbyll në muret e saj gjatë.

Sfondi politik i kohës jep një shpjegim të vërtetë për periudhën dhe “pse”-të që korrigjuan ngurtësimin. Si protagonist i këtyre viteve të një atmosfere krijuese frymëzuese, e kam shijuar periudhën e cila më pas rezultoi zhgënjyese, ku një rol të zullumit e patën protagonistët që zëvendësuan karriget. Akoma më i pakuptimtë dhe absurd për t’i qëndruar përkufizimit, është ajo që pas viteve ’90 ndodhi në skenën tonë me veprat e muzikës shqiptare të kohës që ndaloi klasikët, të cilave u erdhi rradha t’i mbulojë pluhuri i harresës edhe atëherë kur subjektet i kishin me vërtetësi historike, pa idolatri dhe propagandë për regjimin.

Madje, hiq raste të përveçme me autorë si Mikel Koliqi, Dhora Leka e muziktarë të hershëm që gjalluan, sidomos në veprimtaritë me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë e të tjerë. Veprat kombëtare të shfaqura më parë panë një rreze dritë vetëm në dhjetëvjeçarin pas 2003, si “Halili dhe Hajria”, “Delina” dhe “Lumi i vdekur”, “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”, “Borana”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Historia e një kënge”, “Migjeniana”, “Skënderbeu”, “Maleve për liri”, 1998 dhe “Një jetë në stuhi”, 2008 e të tjera vepra, premiera botëore, si opera “Dhoma”, e para vepër me gjuhën muzikore seriale, kompozuar nga kolegu i ndjerë Ermir Dergjini, sipas dramës absurde të Sartrit, opera “Oirat” e Aleksandër Peçit që duke trajtuar tragjedinë e Otrantos të trondit dhe sot me modernitetit e saj muzikor dhe skenik. Të tjera krijime në Festivalin e autorit Aleksandër Peçi plot novitete dhe në të gjitha gjinitë. Mbetet rast unik Festivali Autor i Peçit jo vetëm për vendin.

Rusalka teatri i operas dhe baletit

“Jeta është ëndër”, e kompozitorit David Tukiqi dhe më pas “Tirana by nicht”, balet-debat dhe “Rituali i jetës”, të dyja me koreografinë e Arjan Sukniqit dhe muzikë nga E. Dergjini dhe e dyta, me muzikë nga Klodian Qafoku. Brenda një dhjetëvjeçari, rasti i vetëm kur u shfaqën 9 produksione të reja operistike apo koreografike kombëtare, gjë që plotësoi si asnjëherë tjetër në 30-vjeçarin plural, shinën që çoi në jetësimin e repertorit shqiptar të hershëm dhe të ri, që u ndje i vlerësuar në panoramën gjithëpërfshirëse të hapësirës së pamatë të një kalendari 10-vjeçar, ku dominonte një produktivitet marramendës prej dy premierash skenike mujore.

Po nuk do rrëfej më shumë se si definicioni në 2003 nga TOB u plotësua në TKOB, si institucion kombëtar përcaktuar ligjërisht si i tillë, ndërgjegjësoj gjithë formacionin artistik për t’u përfshirë zellshëm në vorbullën e rikrijimit të artit muzikor skenik shqiptar. Çfarë shihet qartë në këtë rrugëtim artistik gati shekullor që vlerësohet përgjithësisht i dobishëm për gjithë kohën.

Që nga opera e parë, u shfaq si prirje esenciale krijimi i një gjuhe muzikore që e shkruan muzikën shqip, nuk organizon formën e saj jashtë tradicionalizmit që përmban gjinia operistike pa e sofistikuar atë. Nëse thjesht asaj nuk i erdhi zor të shfaqet si e paangazhuar në rrymat bashkëkohore, po e nisi atje ku muzika dhe ndodhia do përshtateshin si pjesë e një simbioze. Krahas gjuhës muzikore që shqiptonte, citimit dhe direkt të ndonjë teme a silabusi etnik, pranonte dhe traditën e vepërbërjes në vendet ku ekzistonte hershëm. Troç thënë, që në fillim lindi jo tradita e operës apo baletbërjes, por pluritradita e formësimit kompozicional të saj.

Nga krijues që rrugëtonin në kohë të ndryshme do të vinte natyrshëm azhurnimi i gjuhës dhe sintaksës së saj në udhitë bashkëkohase. Nuk vuajti kjo gjini se nuk i hipi dot menjëherë këtij treni, por u bë më e freskët duke u mbështetur në letërsinë më të mirë të së kaluarës apo asaj bashkëkohëse. Të tjerat vareshin nga individualitete dhe talentet përkatëse të tyre. Një larmi më e madhe përvojash në shkollim ku krijuesit u profesionalizuan do të kishte ndikuar më pozitivisht në larminë e stileve dhe pasurinë e të shprehurit muzikor, se sa unikumi i së vetmes shkollë formuese, sado e shquar që ishte.

Në ndonjë moment, ky monopat i vetëm u bë diktues dhe gati predikues i së vetmes rrugë, sa që predikuesi me sa e ndiqnin dhe të tjerë që kishin përzgjedhje dhe moshë tjetër, sollën kundërshti konceptuale, tronditje dhe rezistencë për të përballuar imponimin apo kufizimin e hapësirës. Në kalimin nga kursi i ngurtë te hapësira e krijimit të paimponuar, individualitetet ose i qëndruan vetes duke u transformuar në kohë dhe dije, ose dhe e braktisën rrugën duke pretenduar se ecuria në trasenë e re do t’i nxirrte padyshim në oqeanin e premtuar.

Është interesante t’i hedhësh një sy kategorive përmbajtësore të operistikës amëtare që në 26 opuset e saj, ngërthen një gamë të larmishme temash që nisin nga një ngjarje e aktualitetit të viteve ’50, te “Mrika” që në esencë ka emancipimin shoqëror që sjell “Drita” si fenomen i transformimit të jetës, e më pas patriotike “Lulja e kujtimit” me gjuhën tipike të viteve rilindëse. Autorët janë përpjekur të ruajnë karakteristikat individuale që në vepra të tilla kanë, përmes numrave të mbyllur rritje të kreativitetit.

Mjafton të kujtojmë ariet e Mrikës, të denjën Arien e Gjinit me gjithë koralen, që mund ta përfshish në çdo antologji operistike, koralet e komitave, arie dhe finalen me patos patriotik. Më pak të zhvilluara janë disa tituj që nuk i frymëzon dot vetëm portreti protagonist, e stisja e situatave, deri te madhore Skënderbeu, ku ndonëse ruhet dramaturgjia e numrave të mbyllur, kupton ndarjen e koreve, arieve, skenave recitative, hyrjeve orkestrore, dhe sidomos fjalimeve historike të heroit në formë monologu që pasohen çdo rast nga hymnizime masive që ngrenë lart madhështinë e prijësit para apo pas fitores.

Opera, me gjithë situatat jashtëmuzikore që ndan veprën dhe autorin, mbetet dominuese në relievin më të lartë të arritur. Trajtimi figurist i kampit osman vjen më shumë si pjesë e historizmit dhe thurjes së personazheve intriguese, ku sidomos aria e Lekë Dukagjinit është kulminante në katalogun e autorit dhe më tej. Thuajse në çdo vepër gjen emocion, që tregon përpjekje për të sjellë gjithsesi artistizëm. Dhe autorët i kanë mëshuar muzikës që kanë krijuar vetë edhe kur të ndërgjegjshëm kanë spikatur ngërçin e skematizmit.

Iu drejtuan letërsisë më të mirë si premisë. Libretet në këto raste ishin më të njohur, por jo gjithmonë superiorë. Dikush dhe e braktisi bitisjen për shkaqe vetjake duket. Sidomos në fushën e baleteve pati më shumë realizime cilësore, kjo edhe për faktin që libretisti dhe koreografi ishin të njësuar individualisht dhe gjithçka vendosej në funksion dhe të lëvizjeve koreografike. Kështu, erdhën balete ku drama sillej përmes kërcyeshmërisë si të tjera balete të ekspresivitetit teatror, pikë delikate për të mos kaluar në pantomimizëm.

Disa prej tyre u rimorën sa kohë koreografi Aliaj jetoi duke fituar të drejtën e rishikimit edhe të titullit të tyre, si “Para stuhisë” në “Lumi i vdekur” nga ku kishte rrjedhur baleti, apo te “Tokë e pamposhtur” në “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, ku trajtimi i ri ishte më organikisht brenda thurjes kadarejane.

Kështu, dhe tema delikate e luftës çlirimtare erdhi estetikisht e trajtuar më hollë dhe madje me situata fantazmagorie poetike e theksime që arti i baletit i pranon natyrshëm. Nuk mund t’i shmangej skenizmi muzikor e sidomos ai operistik temës së luftës çlirimtare kur ka në historinë e kësaj gjinije vepra epope, mitologjike historike e deri politike. Këtu kërkohej vërtetësia brenda kohës së realizimit, gjetja e një subjekti përgjithësues, por dhe me galeri të pasur personazhesh që plotësonin një afresk masiv. Kush më mirë se Dritëroi me shumë sprova mund ta frymëzonte Zoraqin për këtë opera-epope me rreth 20 personazhe të individualizuar mirë në libret, të ndjente gjallë ekzistencën e personazhit masiv popull, apo të zgjidhte drejt raportet muzikore mes frymës kombëtare të theksuar dhe karakteristikave të stilit me pëlqyeshmëri bashkëkohore të autorit.

Preferoi një gjuhë muzikore jo të thjeshtë dhe një kompozim jo të ndarë në numra, por në skena që ndërlidhin disa syresh. Një korale në stilin autentik lab, arie dramatike dhe vokalisht të vështira sidomos për protagonistin dhe një finale e shkutër, tronditëse dhe monumentale për historinë e saj. Ndër operat e kësaj teme, dy krijimet e Dhora Lekës njëherësh përfaqësuesja më e madhe e këngëve të luftës çlirimtare dhe disidente e mëvonshme deri në vetëflijim, nuk mund të anashkalohen, pavarësisht anabasit shumëvjeçar të krijimit, zhdukjes dhe memorizimit të tyre.

Rasti i së parës “Një vjeshtë me stuhi”, që nga kalimi i romanit libretin e shkuar nga autorja vetë dhe që erdhi për t’u vënë në skenë në vitin e fundit saj ishte një opera autobiografike që s’di të ekzistojë kund dhe që për këtë fakt, ne e shndërruam në opera-baletin “Një jetë në stuhi”, me dekorin e krokive të viteve të privimit të Maks Velos dhe nxjerrjen realisht të Dhorës në skenë. Pak ditë më pas ajo e mbylli qetësisht jetën e saj.

Dhora Leka, Nikolla Zoraqi e Simoni

PAK RADHË PËR KONCERTIN E MADH

Nesër rikthehen në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit kompozimet e tre ikonave të artistëve shqiptar Dhora Leka, Simon Gjoni dhe Nikolla Zoraqi në një koncert memorial. Ata i bashkon rastësia e datave jubilare që pavarësisht vitit të lindjes dhe datës së rëndësishme që kanë këtë vit, të dy festojnë 100-vjetorë dhe pak më i riu, 95. Muaji i 11-të është përbashkues. Koncerti do të përmbajë tituj të rëndësishëm, e në ndonjë rast kulminacione jo vetëm për autorin, por për gjithë katalogun skenik kombëtar. Të gjitha janë përfaqësuese për opuset përkatëse.

Veç gjinive madhore që kapin himnizimin e atdheut, përpjekjet dhe luftën për çlirimin e tij, vjen dhe nostalgjia përmes këngëve më të spikatura dhe të gjitha, pjesë e fondit të artë të këngës shqiptare, muzikë nga veprat koreografike, intervista dhe përjetime jetësore do mbushin kohën e programuar për shfaqjen. Me këtë rast, duke vlerësuar shumë rikthimin e veprimtarisë të TKOB edhe ndaj kulturës muzikore kombëtare, si po rimëkëmbet këtë sezon nga drejtuesit e institucionit, gëzohem që u hoq dorë nga lodhja e rrjeteve sociale qokatare dhe tempulli ku blatohen vlerat është skena e shenjtë. Duke e parë me sy kritik periudhën e gjatë, 7 vite në fillimin e karrierës profesionale më 1997 dhe rikthimin për dekadën e fundit të saj më 2003, kam pasur fat që inisiativat dhe bindjet e mia për veprim drejtues, kanë nisur në momente të vështira, por më pas kanë qenë pjesë e ndryshimit pozitiv, kjo jo vetëm prej vullnetit dhe kapacitetit tim, por dhe autoriteteve të larta që m’i kanë mundësuar, madje besimplotë dhe ata për dobinë e ndryshimeve dhe profesionalizmit. Koha ka qenë imja!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura