Enti i banesave: Të pastrehët, lista me 3289 emrat që marrin kredi

Sep 5, 2012 | 10:59

Lista e personave që banojnë në shtëpitë e ish-pronarëve për 24 bashki. Emrat, nga dje në bankë për kreditë me 0 për qind.

Banuesit në shtëpitë e ish-pronarëve për 24 bashki.

Në 24 bashki të vendit janë 3 289 persona të cilët do të përfitojnë kreditim të zbutur për blerje banese. Enti Kombëtar i Banesave, në zbatim të aktit normativ të qeverisë, miratuar pak kohë më parë, ka dorëzuar dje pranë bankës me të cilin shteti ka marrëveshje, BKT, emrat e qytetarëve që banojnë në shtëpitë e ish-pronarëve. Të gjithë këta individë përfitojnë kredi me interes zero për blerje banese dhe me një afat 30-vjeçar dhe gjithçka duhet të përfundojë brenda dy muajve. “Nga ky moment, të gjithë personat që gëzojnë statusin e të pastrehut dhe që banojnë në shtëpi të ish-pronarëve, duhet të aplikojnë pranë kësaj banke, për të përfituar kredinë për strehim. Në përputhje me aktin normativ, ata duhet që brenda datës 1 nëntor 2012 të përfundojnë procedurat e kredisë, të zgjidhin përfundimisht problemin e strehimit dhe të lirojnë banesat e ishpronarëve”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Punëve Publike, nën vartësinë e së cilës është dhe Enti i Banesave. Nga lista e depozituar pranë bankës, numrin më të lartë të kësaj kategorie të pastrehësh e kanë bashkitë e mëdha si ajo e kryeqytetit ku rezultojnë 908 persona apo ajo e Durrësit me 689 persona dhe Shkodra me 605. Numri i të pastrehëve që banojnë në shtëpitë e ish-pronarëve për bashkitë e tjera është më i limituar. Sakaq, nga ana e bankës emrat do të vlerësohen për përmbushjen e kushteve për dhënie kredie. Pronarët legjitimë të banesave, sikurse bëhet me dije nga MPPT-ja, duhet që të ndjekin procesin e lirimit të shtëpisë së tyre dhe në rast se ajo nuk lirohet brenda datës 1 nëntor, duhet që të njoftojnë pranë Entit.

(Artikullin e plotë e lexoni në numrin e sotëm të gazetës Panorama)

© Panorama.al

Te lidhura