Prodhimi i energjisë në vend është ulur përgjatë 6-mujorit të parë të këtij viti dhe në kontrast me këtë, konsumi ka ecur në kahun e kundërt, duke shënuar rritje.Të dhënat e Institutit të Statistikave për bilancin e energjisë për gjysmën e parë të vitit tregojnë se nga hidrocentralet është prodhuar më pak energji se e njëjta periudhë e një viti më parë, ndërkohë që nga termocentralet nuk pati kurrfarë prodhimi. “Prodhimi total i energjisë elektrike në vend u ul me 45.1 për qind, krahasuar me gjashtëmujorin e parë 2010. Energjia elektrike e prodhuar në gjashtëmujorin e parë 2011 është 2,502 gigavat/ora (GWh) dhe zë 63.3 për qind të sasisë gjithsej të energjisë”, thuhet në raportin e INSTAT-it. Rënia e prodhimit në hidrocentralet kryesore në vend ka sjellë edhe nivelin e ulët të prodhimit, ndërkohë që një tendencë e kundërt shihet tek impiantet e koncesionit. Këto të fundit kanë prodhuar më shumë energji se e njëjta periudhë e një viti më parë. Një tjetër e dhënë që vjen nga INSTAT-i është ajo lidhur me termocentralin, ku gjatë këtij viti nuk është vënë në punë. I quajtur si një vepër rezervë që do na shërbejë në kohë thatësire, Termocentrali i Vlorës nuk është vënë në punë as këtë vit për shkak të kostos së lartë që ka energjia, ndërkohë që pjesa tjetër e energjisë që duhej për të plotësuar konsumin në vend është importuar. Lidhur me shifrat e importit, INSTAT-i nxjerr në pah se janë importuar 1,452 GWh energji në gjashtëmujorin e parë të vitit 2011, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm ishte 177 GWh. Diferenca është dukshëm e lartë, por gjatë 2010-s prodhimi i energjisë arriti shifra rekord. Por, në kohën që prodhimi ka rënë, konsumi është rritur. Konsumatorët kanë përdorur më shumë energji gjatë 6 muajve të parë të këtij viti krahasuar me një vit më parë. Sipas INSTAT-it, përdorimi nga konsumatorët është rritur me 8.7 për qind. “Sasia e disponueshme për konsum final arriti vlerën 2,389 GWh dhe përbën 60.4 për qind të sasisë gjithsej të energjisë elektrike për përdorim. Energjia e konsumuar nga sektori i familjes është rritur me 0.3 për qind ndaj sasisë së energjisë elektrike të konsumuar në gjashtëmujorin e parë të vitit 2011”, thuhet në raportin e INSTAT-it. Rritje, në fakt, ka pësuar edhe konsumi i energjisë nga përdoruesit e tjerë jofamiljarë, me një nivel prej 19.8 për qind.
Energjia, 6-mujori
Prodhimi -45.1% krahasuar me 2010-n
Prodhimi total 2,502 GWh
Në HEC-e prodhimi -46.1%
krahasuar me 2010-n
Koncesionarët +9.9% krahasuar me 2010-n
Importi 2010 177 GWh
Importi 2011 1,452 GWh
Humbjet 1,237 GWh
Humbjet 92.3% në shpërndarje
NERTILA MAHO
© Panorama.al











